Wednesday, 21 January 2026

Shërim të shpejtë i dashur Tomi!


Për Tomi Kondakçiun kam shkruar vite më parë, por edhe pse miq, nuk flisnim në telefon. Të dy nuk ishim as pjesë e mediave sociale, ndaj vonë e pata mësuar që kishte kaluar një inshemi ose hemoragji cerbrale, që pavarësisht emrit, lenë të njëjtat pasoja tek i sëmuri. U trondita, si kushdo që mëson diçka jo të mirë për një bashkëmoshatar, të cilin e vlerëson.

Tek Tomi kam vlerësuar talentin, modestinë, vuajtjen, qytetarinë, sinqeritetin dhe mbi të gjitha shpirtin e madh të dikujt që nuk ankohet as për xhelatët. Pinim të dy kafenë më 5 të mëngjesit, në lokalin e parë që hapej në Korçë, gjatë vizitave të mija në vendlindje. Tomi e shoqëronte edhe me një konjak, si kujtim ndoshta të kohëve të rinisë, kur të gjithë hidhnim nga një gotë para se të fillonim punë. Pastaj flisnim për muzikën dhe për të kaluarën kulturore të Korçës. Druhesha ta pyesja për burgun, se mos e lëndoja, por ato vite të gjata të tij atje, më silleshin gjithnjë në mendje. Ndoshta kam shkruar që kisha një lloj ndjenje disi absurde fajësije, që kur Tomin e kishin arrestuar dhe ne kishim shkuar në Universitet.

Po nuk jam vetëm unë, në një lloj borxhi moral ndaj Tomi Kondakçiut. Eshtë e gjithë Korça dhe veçanërisht ata që e patën dënuar dhe të tjerët që nuk bënë aspak për t’i rikthyer diçka nga ajo që i kishin marrë.

Duke qeshur disi hidhur, ndërsa ngrihej nga tavolina për të shkuar në punë, më theshte: “Ja dhe pojaku i Sevastisë duhet të shkojë të ndezë kaldajën!” Dikush që me talentin dhe njohuritë për artin që kishte duhet të ishte të paktën një drejtues kulture në Bashkinë e Korçës. Por dukej që bijtë e atyre që e kishin dënuar, tashmë në partitë e të dy krahëve, nuk kishin nevojë për një të talentuar të ndershëm dhe jo konformist ndaj e kishi lënë të punonte si punëtor i thjeshtë në Spital, ose më vonë si roje shkolle.

Të vjen të klithësh me sa ke në kokë, kur mendon se si është trajtuar një muzikant dhe këngëtar, që në moshën 19 vjeçare u dënua rëndë për Tradhëti ndaj Atdheut.

Me bashkëmoshatarin tim, u mblodhëm disa herë të këndonim, sikundër kishim kënduar edhe kur ishim në shkollë të mesme edhe pse unë isha në gjimnaz dhe Tomi tek Ndërtimi. Kishte patur gjithnjë aftësinë për të kënduar ëmbël dhe shtruar me zërin melodioz të një baritoni. Dhe këndonte gjatë dhe këngë me cilësi. Nuk do e quaja kurrë këngëtar të serenatave, por më tepër një këngëtar i pop dhe i soft rock. Dinte të kalonte në repertorin e tij të pasur nga Gjebrea tek Tom Xhonsi dhe nga Celentano tek Leo Kohen. Dhe shumë e shumë këngë me vlera të vendeve perëndimore, si dhe greke e shqiptare.

Në foton më sipër, jemi në një mbrëmje të bukur në restorant “Liceu”. Ishte rastësi, që Tomi pas punës në një lokal tjetër, u kthye bashkë me Miran, në restorantin ku unë po darkoja me miqtë e mij Eva dhe Ferdi Kosti. Dy djem të tjerë luanin në kitarë dhe këndonin. Pastaj e mori kitarën mjeshtri dhe gjithshka ishte më e bukur, më emocionuese. U bashkova dhe unë me muzikantët për të përjetuar ndjenjat e forta të interpretimit me dikë që është këngëtar i vërtetë. Nuk kujtoj se ç’kënduam. Por ishte bukur. Dhe jo thjesht nga alkoli që kishim pirë. Dehja ishte nga kitara dhe zëri i ëmbël i Tomi Kondakçiut.

Sot, këngëtari më i mirë i brezit tim (këtë e them me bindje të plotë duke shkuar në mendje shumë këngëtarë korçarë) po kalon ditë të vështira. Sëmundja nuk është e lehtë dhe ai nuk është më i ri edhe pse shpirtin e ka prej 19 vjeçari.

Unë nuk di ç’të bëj më shumë për të veçse të shkruaj dy fjalë inkurajimi. Këtë duhet ta bëjmë të gjithë. I detyrohemi Tomit për orët e bukura që na ka dhuruar dhe për vitet e gjata që ka vuajtur.

I detyrohet Korça!

Shërim të shpejtë i dashur Tomi!

No comments:

Post a Comment