Thursday, 22 January 2026

Nuk më ndahet Muzeu i Artit Mesjetar


Ndonëse nuk e kam harruar historinë e errët të Muzeut Mesjetar, ose MAM si e kanë quajtur kulturistët dhe vendorët e Rilindjes, ka kohë që nuk e kam prekur në shkrimet e mija. Gjatë vizitave në Korçë, edhe pse kam kaluar pranë qëllimisht, nuk kam guxuar të hyj. E kam menduar se do isha skandalizuar nga mbivendosjet e ikonave që kam parë në disa foto dhe video të Muzeut me më shumë vlera në Shqipëri.

Më detyroi të shkruaja sonte, një telefonatë e shkrimtarit Kristaq Balli, i cili ka punuar një kohë të gjatë si inxhinier kimist në Muze. Shkrimtarin me origjinë nga Dardha nuk e kam njohur nga afër, se edhe natyrën e ka të heshtur, por kam pasur konsideratë kryesisht se babai e quante djalë të mirë dhe ishte ai që mbajti fjalën e përcjelljes së Andon Marës. (Fjala ishte shkruar nga poeti Vangjush Ziko, mik i babait, por ndoshta nga emocionet ose për të mos rënë në sy të autoriteteve, Vangjushi zgjodhi t’ja linte Kristaqit. Ishte akoma Diktaturë dhe vetvrasja quhej e dënueshme nga Partia.)

Kristaqi hapi historinë e Muzeut, dhe unë pa kuptuar mirë se cili ishte qëllimii tij final, i spjegova gjithë historinë korruptive të projektimit dhe ndërtimit. Këtë e kisha bërë të njohur qysh në vitin 2009 në një media qëndrore (ndoshta gazeta “Tema”) me një shkrim të titulluar “Një histori bizantine me Muzeun e Artit Mesjetar”. Në shkrim fshikulloja kryesisht siguruesin e fondeve nga Greqia, njëfarë Andrea Miço dhe firmën ndërtuese të lidhur me ministrin e atëhershëm Oketa. Edhe pse e kuptoja se Niko Peleshi ishte një nga autorët e “çorbës” u mundova të mos e godisja direkt, sepse nuk doja të prishja përfundimisht marëdhëniet me të. Sigurisht Nikoja e kishte marrë mesazhin, por ruajti maskën e dikujt dashamirës ndaj meje dhe herë herë kërkonte këshilla për ndërtimet në Korçë.

Kur ishte botuar artikulli objekti kishte mbetur në vend sepse i ishin mbaruar fondet. Kërkush nuk hetoi mbi atë aferë, as Kontrolli i Shtetit dhe as Prokuroria. As gazetarë të qendrës apo të qytetit nuk u morrën me atë punë. Ndjenja keqardhje që punonjësit e Muzeut (përfshi Kristaqin) heshtnin, por i justifikoja me mbajtjen e vendit të punës sepse nuk ishte e pamundur që qeveritarët vendorë të hakmerreshin dhe t’i hiqnin nga puna.

Objekti mbeti “varr zbuluar” edhe 5 vite të tjera dhe pas transferimit të Peleshit si zv,kryeministër në Tiranë u gjet zgjidhja për fondet dhe projekti i adaptimit mbi strukturën ekzistuese i kaloi si shumë projekte të tjera australianit të famshëm Pite,

Piteja i dha dum, madje aplikoi edhe në një nga konkurset e shumta të kota në botë për “Vepra më e mirë e vitit” dhe hyri në 100 ose 200 të nominuarit. Përurimi u shit si supersukses i Rilindjes nga vetë Edvini i Gjatë- Mbret i shqiptarëve.

Edhe pas kësaj nuk heshta edhe pse nuk e njihja me hollësi projektin, por kisha shumë rezerva për trajtimin arkitektonik të eksterierit. Disa shkrime janë në këtë blog dhe ndonjë syresh duhet të jetë botuar në Shqipëri.

Kristaqi ka vite në pension (ai e mbylli karrierën e tij në Muzeu në fjalë) por ka ende dhimbjen e projektit të keq, të pamjaftueshëm dhe që nuk plotëson standartet ndërkombëtare. Ndaj me shpresën që të bëhet një Muze dinjitoz, po gërmon në historinë “palavi” të projektim-zabatimit dhe kërkon origjinën e aferës. Këtu ai përmend shumë shkelje ligjore, përfshi edhe angazhimin tim në një projekt që duhej iniciuar nga Qeveria dhe jo nga pushteti lokal.

I rispjegova historinë e projektit të nisur në Greqi, cilësinë e dobët të tij, dhe përfshirjen time si një dinakëri e Nikos për të marrë lejen e ndërtimit. Pasi leja ishte miratuar asgjë nga projekti im nuk u zbatua por u zbatua projekti grek.

Inxhinieri kimist i Muzeut vazhdoi të theshte se edhe projekti im ishte i papërshtatshëm dhe unë nuk duhet ta kisha nisur pa u konsultuar me punonjësit e Muzeut dhe atë vetë.

Nuk pata qetësinë t’i thoja “Je uon!”, por me damarin tim të Marave i thirra që dikush që ka heshtur gjithë kohën nuk mund të më bëjë mua fajtor për një faj që nuk e kam. Më pas, në mënyrë tepër ballkanike e mbylla telefonin se në ekran tregohej se kishin kaluar 45 minuta të bisedës.

Nuk di moshën e saktë të shkrimtarit, por duhet të jetë 9-10 vjet më i madh se unë dhe duhet të isha treguar më i duruar, por edhe unë kisha egoizmin e dikujt që ka frikë se i ngrihet shumë tensioni dhe pastaj e godet.

Ndaj zgjodha violencën verbale!

Për shkak të Muzeut të Artit Mesjetar!


 

No comments:

Post a Comment