Saturday, 17 January 2026

Vitet ‘60-’70 në arkitekturën e Korçës


Nuk di sa është prekur periudha e viteve ‘60-’70 të shekullit të kaluar në ndonjë libër të studiuesve të arkitekturës, si një kapitull më vete. Por prekje të saj ka pasur lart e poshtë, përfshi edhe disa shkrimet e mija, kryesisht rreth projekteve të Petraq Kolevicës.

Vitet ‘60 filluan me një tërmet të madh, që edhe pse nuk pati viktima të shumta (vetëm një vdekje) solli dëmtime të mëdha veçanërisht në shtëpitë më të vjetra dhe që nuk ishin rinovuar dot për shkak të vështirësive ekonomike të pasluftës. Dëmtimet e banesave individuale dhe nevojat në rritje për strehimin e familjeve të reja, solli ndërhyrjet në bulevard “Gjergj Kastrioti” me banesat kolektive 3 katëshe, që janë ndër objektet më të shëmtuara të qytetit. E megjithatë nevojat për zgjidhje urgjente ndonjëherë i justifikojnë ndërhyrjet e tilla.

Por më të dëmshme për urbanistikën dhe arkitekturën e Korçës ishin ndërhyrjet e të njëjtës periudhë në sheshin para Bankës dhe ato në bulevard “Republika”. Për fat të keq ishin bazuar në studimet urbanistike të një urbanisti korëar, që ishte kthyer nga studimet në Bashkimin Sovjetik. Ishte Misto Mele dhe më pas pat patur një veprimtari të suksesshme në Vlorë. Ndoshta për idetë e tij të reja, ose edhe me ndonjë sugjerim nga pushtetarët, Mele ndryshoi formën e sheshit të Bankës (i projektuar rrethor nga arkitektët italianë) me futjen e dy banesave kolektive harkore të gjata, që konfiguronin sheshin në një mënyrë të ndryshme. Ishin pallatet e quajtura Cajupi dhe ai i Optikës, Gjithashtu zgjedhje arkitekturore shumë të dobëta, por ndoshta në Institutin e Projektimeve ishte marrë dikush tjetër me projektet e tyre.

Ndërhyrja tjetër shumë e gabuar ishte futja e dy banesave kolektive të gjata në bulevard “Republika”. E quajtura “Vetshërbimi” dhe ajo përballë kinemasë. Ndërtimet e reja ndërprisnin ritmin tradicional urbanistik të bloqeve 20-24 metra që i kishte dhënë trajtë të gjithë asaj shëtitoreje dhe që ishte karakteristika kryesore dhe më e pëlqyeshme e qytetit të ndërtesave të ulëta.

Bashkëkohësit tregonin edhe për një përfshirje të Myftar Grabockës në këto ide, kur e shihnin herë herë në tarracën e Bankës me disa arkitektë duke dhënë orientime se si duhet të zhvillloheshin linjat e sheshit. Por nuk ka arsye të lemë fajin tek Grabocka, i cili edhe pse kryetar i komitetit ekzekutiv nuk ishte një pushtetar arrogant që imponohej. Kjo dëshmohet më vonë nga Kolevica, që e përmend Grabockën si mbështetës të projekteve të tij në Korëë.

Disavantazhi i Korëës në ato vite ishte se në qytet nuk kishte arkitektë dhe urbanistë të mirëfilltë. Peshën kryesore në projektim, si dhe në idetë për zhvillim të qytetit, e mbante Koëo Koëiu, i cili kishte studiuar në Greqi për “kallfë“ (diëka më shumë se një teknik ndërtimi) dhe që kishte projektuar mirë, por brenda kufizimeve që i krijonte shkollimi i tij. Edhe ai kishte mbështetjen e Grabockës në projektin e pallatit të Bar Korëës, që edhe me ndonjë të metë në konceptim, ishte ku e ku më i mirë se pallatet në fjalë, apo dhe ai i Mapo-s përballë tij. Koëiu pata harmonizuar objektin me ndërtimet përgjatë tij (Banesa e Rakos, Banesa e Ilove, Bashkia dhe hotel Pallas) dhe banesa kolektive e tij qëndronte më mirë se ëdo objekt tjetër arkitekturor i ndërtuar paslufte.

Por mungesa e profesionistëve bënte që zërat e intelektualëve të tjerë (shkrimtarë, mësues, piktorë) të binin në vesh të shurrdhët. Thuajse të gjithë ishin kundër mbylljes së rrugëve që të ëonin në dy arteriet kryesore të qytetit. Por projektet e Meles u realizuan dhe njëkohësisht në kohën e Grabockës, u ndërhy në interierin e kinemasë, gjë që ju “faturua” në atë kohë një pushtetari tjetër të ekzekutivit, Pandush Ballëos.

Edhe pse janë interpretuar më vonë si “goditje ndaj një interieri aristokrat” e të tjera dëngla si këto ekstremistet të pas ‘90-ës, e vërteta është që ndërhyrja u bë për të rritur kapacitetin dhe njëkohësisht për t’i dhënë një frymë më moderne. Nuk jam i sigurt se firmën e kujt mban projekti, por di që të githë u zhgënjyen nga pamja që mori interieri i objektit më të rëndësishëm të zbavitjes së qytetit. Në ato vite kinemaja ishte gjithshka. Njerëzit shtyheshin në biletaritë e saj të vogla për të marrë bileta. Ishte vërtet një shfaqje force dhe mungese qytetërimi në qytetin që e mbante veten tepër të kulturuar.

Po në fillimin e viteve ‘60 nis periudha e projekteve të Kolevicës, të cilin e kishin mënjanuar nga projektet në Tiranë, për shkak të “modernizmit” të tij, por duke ja njohur aftësitë dhe talentin e kishin lënë të projektonte për Korçën.

(vijon)


No comments:

Post a Comment