Saturday, 17 January 2026

Vitet ‘60-’70 në arkitekturën e Korçës (2)

 


(vijim)

Rastësitë edhe nën një regjim të ashpër, sjellin kthesa të përkohshme pozitive. Kështu ndodhi me arkitekturën e Korçës (jo me urbanistikën e saj) kur disa objekte të rëndësishme u lanë në Institutitn e Projektimeve në Tiranënë dorën e projektuesit shumë të talentuar dhe punëtor, Petraq Kolevica. Periudha përkoi me rritjen ekonomike të Shqipërisë, kryesisht në sajë të lidhjeve ekonomike me Kinën, por edhe nga vënia në funksion e shumë fabrikave dhe uzinave të ndërtuara në vitet ‘50 me ndihmën e vendeve socialiste të Lindjes.

Rritja e buxhetit shtetëror kishte krijuar mundësinë t’ju hapej rrugë projekteve të veçanta jo vetëm për objekte social-kulturore dhe tregëtare-industriale, por edhe të banesave kolektive, që përsëri përbënin numurin më të madh të objekteve të projektuara dhe ndërtuara në Shqipëri.

Në gjysmën e dytë të viteve ‘60, në Korçë u ndërtuan më pak banesa kolektive tip dhe në pjesët qëndrore të saj asnjë e tillë. Kjo solli realizimin e projekteve të Petraqit (pallati Agimi, ai përballë Lëndinës së Lotëve dhe 7 katëshi). Përgjithësisht Petraqi ishte i ndikuar nga i quajturi “International Style” që ishte në themelin e arkitekturës moderne të shekullit të XX-të kudo në botë. Por ai nuk ndoqi parimet e atij stili në mënyrë fanatike, por i përshtati me vendvendosjen e objektit si dhe u përpoq të krijonte zgjidhje arkitekturore origjinale, si është rasti i banesës tek Lëndina e Lotëve. Tek ajo ka një shkëputje nga idea e shiritave horizontalë të dritareve, por bazohet në një ritëm llozhash trekëndore, që e bëjnë shumë interesant si zgjidhje dhe në raportet dritë-hije, gjë që lehtëson masën e madhe vëllimore të objektit.

Projekti më i plotë dhe i arritur mes banesave koektive ishte ai i 7 katëshit, që për herë të parë në zgjidhjen planimetrike të apartamentit , fuste konceptin e dhomës së ndenjes me një kuzhinë aneks të madhe, e cila mund të shërbente edhe për ngrënie mëngjesi. Më në fund, në Korë hynte koncepti i apartamentit modern, shumë i krahasueshëm me apartamentet që ndërtoheshin në atë kohë në të gjithë vendet europiane. Ballkonet e mëdha gjithashtu mund të shërbenin si sipërfaqe shlodhjeje dhe lidhjeje psikologjike të banorit me natyrën.

Banesat e mësipërme nuk ishin projektet e para të Petraqit në Korçë. Rreth vitit 1963-64 ishte ndërtuar Shtpia e Oficerëve, tek e cila duket prirja e Kolevicës për një arkitekturë elegante bashkëkohore si dhe zgjidhje planimetrike racionale. Në të ka më tepër Bahaus se “ International Style”. Edhe pse në një bisedë me mua, arkitekti korçar Maks Velo, përpiqej ta paraqiste si një dështim të Kolevicës, unë sërish këmbëngul, që edhe pse në një zonë delikate projektimi, si është ajo pjesë e shëtitores “Republika”, objekti nuk “klith në stonaturë“, sikundër bën banesa kolektive pranë tij, e ndërtuar mbi gërmadhat e kishës së Shën Sotirit.

Shtëpia e Oficerëve është gjithashtu i pari objekt shumëkatësh i ndërtuar me skelet betorname në Korçë. Deri në atë kohë të gjitha objektet e mëdha e të vogla, kishin konstruksione mbajtëse muratura guri ose tulle (të dytat më të përhapura) si dhe konstruksione të përzjera, mur tulle dhe betonarme. Ndërtimi me skelet betonarme nuk ishte vetëm më i qëndrueshëm nga ana konstruktive, por ishte kusht për të pasur objekte me karakteristikat e arkitekturës moderne (panimetri e lirë, sipërfaqe të mëdha vetratash dritare tepër horizontale etj.)

Projekte të kësaj natyre nuk mund të realizoheshin nga forcat projektuese të qytetit, jo vetëm për mungesë të arkitektëve, por edhe të konstruktorëve projektues të një niveli mbi mesatar.

Por veprat më cilësore të Petraqit në Korçë, janë shkolla “Themistokli Gërmenji” dhe Biblioteka e qytetit (sot ndërtesa 2 e bashkisë), të cilat për fat të keq u rikonstruktuan dhe ndryshuan në shekullin e XXI, pa u këshilluar me autorin dhe duke i deformuar nga ajo ç’ka ishin në origjinal dhe që pa droje mund të themi se ishin vepra të denja për çdo qytet perëndimor europian të asaj kohe.

(vijon)

No comments:

Post a Comment