Një natë tëgjatë dimri (ndoshta ishte nata e solsticit dimëror) duke shfletuar disa shënime të hershme më lindi idea të bëja një libër rreth kulmit dhe të tatëpjetës së Korçës. Mu duk interseant si ide, edhe pse nuk është e re për mua. E kam nënvizuar në disa shkrime të këtij blogu, kryesisht rreth arkitekturës dhe urbanistikës, Por gjithashtu di nga ç’kam studiuar, që dy disiplinat e sipërpërmendura janë rrjedhojë e gjendjes ekonomiko- shoqërore, ndaj mendova që libri mos jetë vetëm arkitekturës, por të përfshijë edhe të dhëna ekonomike, kulturore, historike për të qënë i lexueshëm dhe ndoshta interesant edhe për korçarët (shqiptarët në përgjithësi) që nuk kanë njohuri apo interes për arkitekturën.
Kur më lind idea për një libër të ri, edhe pse jo në vakuum, më rrotullohet me shpejtësi në kokë dhe më duket se në dy tre muaj do jem në gjendje ta përfundoj librin. Por mosha, logjika dhe jeta më kanë mësuar se nuk mund të shkruhet kaq shpejt. Veçanërisht një libër serioz për historinë e një qyteti. Do të dilte në rastin më të mirë, një simite e papjekur, dhe në më të keqin, një simite që do të trazonte rropullitë sa ta fusje në gojë. (Më ndodh ndonjëherë me libra të autorëve shqiptarë.) Dhe për më tepër unë nuk jam Zhorzh Simenon , që shkruante një roman policor brenda 48 orësh.
Disa ngjarje tepër të vogla, në harkun e 48 orëve, më bënë të mendoja më thellë se cilat ishin arsyet e vërteta të së të tatëpjetës (fatkeqësisht pa kthim) të qytetit ku kam lindur.
Mendova i bindur, që shkaktarët e vërtetë, jemi ne “bijtë bastardë të Korçës”. Me këtë nuk dua t’i fut në një thes të gjithë, por do përmend tre shembuj nga njerëz të brezave të ndryshëm.
* I pari jam unë, përfaqësues i brezit të pasluftës, të ashtuquajturit “baby boomers”, që një ditë të shkurtër dimri të vitit 1996, mendova të ikja nga sytë këmbët, se posa kishte falimentuar Sudja dhe dukej se kohë të errëta ishin në horizont. Bëra ç’ishte e mundur “t’i linja pendët” qytetit-mëmë ku më kishte rënë koka dhe ku isha bërë burrë. Ika dhe bëra shumë pak më pas për të.
* Në një mëngjes dimri me diell, parkova në një zonë të qetë e të bukur të Bostonit, të quajtur Marina Bay, Doja t’i kërkoja diçka rreth parardhësve të tij mjekë, doktor Ivi Kasimatit, si pjesë e librit. Ivi duhet të jetë i “brezit X”. (Nuk jam i sigurt për moshën e tij). Mjeku shqiptaro-amerikan më priti mirë dhe më premtoi që diçka do më dërgonte me e-mail, gjë të cilën po e pres ende në postë time elektronike. Edhe ai mbart “mëkatin” e emigrimit, edhe pse ndoshta ka bërë dhe bën për qytetin. Unë i shtova edhe moskorrektesën për të bërë diçka rreth kujtimit të gjyshit dhe babait mjek.
* Po një mëngjes dimri, telefonova të nderuarin ing. Pirro Thomo, pedagogun dhe udhëheqësin e diplomës sime. Edhe ai i lindur në Korçë, por pjesë e brezit “tradicionalist”. Pirroja ka bërë shumë për arkitekturën e vjetër të qytetit si studiues dhe restaurator, veçanërisht me librin e mirëpritur nga rrethet e profesionistëve, “Korça arkitektura dhe urbanistika”. Më tha që punon itensivisht dhe edhe me një program Master për restaurator arkitekture të Universitetit Politeknik. U kujtova që programi ishte në Korçë dhe e pyeta se si shkonte. Më tha që nuk zhvillohej më në qytetin tonë dhe se idea për ta bërë atje pat qënë “një budallallëk i madh”. U kujtova që ai ishte ndër nismëtarë e tij dhe e pat propaganduar si një gjë të madhe për qytetin tonë. E tillë më ishte dukur edhe mua. Mësova që ishte ai që e kishte anulluar më vonë dhe jo me të qeshur i thashë që bashkë me mua është ndër ata që kanë kontribuar në rrokullisjen drejt “Fundit “ të qytetit.
Për fat të keq kështu ka ndodhur dhe ndodh. Jemi ne, që i biem gjoksit për dashurinë për Korçën, që jo vetëm nuk bëjmë përpjekjen për të ndalur këtë të tatëpjetë të frikshme, por kur mundemi i japim edhe një të shtyrë të lehtë për të shtuar shpejtësinë e rrëshqitjes, në këtë “kolovajzë“ akulli ekonomiko-shoqëror-arkitekturor.
Sigurisht që të tre të sipërpërmendurit nuk janë më tipikët, por janë “bashkëfajtorët” e thjeshtë dhe më pak të këqijtë mes “bastardëve” të qytetit tim të dhemshur.
No comments:
Post a Comment