Friday, 23 January 2026

Unë, poeti i dështuar


Më erdhit të qeshja teksa lexoja një email të vitit 2023, drejtuar avokatit tim, që së fundmi ka hapur zyrë në Lion. Po e ve më poshtë tekstin thuajse të plotë, me një korrigjim të vogël.

...E thame qe (cazzatura) me i madh i imi per kete vit dhe ndoshta edhe per ata qe vijne ishte botimi i librit me poezi. E kuptova qe nuk ka me interes per keto lloj librash dhe mbase te thashe, qe ne Korce, ne nje librari ne Pazari as ma pranuan.

Me e cuditshme eshte, qe edhe atyre qe ju dhashe nga nje, qofte ne Tirane apo Korce nuk e kane marre mundimin ta lexojne. E them se deri me sot askush nuk me ka derguar asnje fjale (qofte edhe rrene) per librin.

Sigurisht kjo nuk duhet te me shkurajoje per krijimtarine e se ardhmes, se shume vlera te artit boteror (degjo by... tralala) jane zbuluar pas vdekjes se autoreve. Por pak frena per (cazzature) te tjera do kem...”

Nuk kërkova të gjeja gjegjen e avokatit, por edhe ai ma merr mendja se do ishte i kësaj linje se e kishim diskutuar në telefon më parë.

Ajo për të cilën po shkruaj nuk është as cilësia e poezive të mija, as ç’interesimi i lexuesve shqiptarë. Poezia lexohej pak në Europë qysh prej viteve të pasluftës së dytë botërore dhe vendin e saj në vendet si Franca, Italia, Anglia dhe Gjermania e kishte zënë romani. Sot librat më të lexuara në Europë nuk janë as romanet, por letërsia fantastiko-shkencore.

Poezia lexohej më shumë në vendet e Europës Lindore dhe unë nuk di t’i spjegoj arsyet. Poetët në vendet socialiste ishin shumë të vlerësuar. (Ndoshta dhe i ftonin edhe në darkat përkujtimore të ngjarjeve të luftës.) Tek ne më të nderuarit mes shkrimtarëve ishin tre poetët: Kadare, Agolli dhe Arapi. Dy të parët shkruan njëkohësisht edhe prozë, madje Ismaili vite më vonë u mundua të shkëputej plotësisht nga e kaluara e tij si poet.

Ajo që dua të them është vështrimi përçmues ndaj atyre që nuk duhet të shkruajnë poezi sipas opinionit të përgjithshëm shoqëror.( Po çne, nga na nisi ky të shkruajë poezi!) Ma ka përshkruar dikur bukur miku im, mjeku Dhimitraq Papando, që ka botuar disa përmbledhje me poezi pas ndryshimit të sistemit politioko-shoqëror në Shqipëri. E kam ndjerë edhe unë në vështrimet e shumë njerëzve, kur ju kam dhuruar ndonjë nga librat e mij me poezi. Madje një miku im, i përdrodhi dukshëm buzët pas shpinës sime.

Të shkruarit poezi (për ata që nuk e kanë provuar ndonjëherë) nuk vjen nga jashtë, sepse lexon dhe mendon se edhe ti mund të shkruash vargje. Eshtë një thirrje e brendëshme, e mendimeve të renditura disi në mënyrë të pazakontë, që herë rimojnë dhe herë jo, por kanë një ngarkesë figurative të ndryshme nga mendimet e përditshme. Eshtë një lloj melodije, që të lind në mendje, por ti nuk zotëron notat muzikore për ta hedhur në partiturë, por veç vendos rrokjet në një renditje tingëlluese. Për amatorët si unë, kjo nuk ka të bëjë as me studimet dhe as me njohjen e thellë të teknikave poetike. Rrjedh natyrshëm në disa periudha të caktuara të jetës dhe unë kam “marrëzinë” t’i bëj publike edhe pse kjo më bën vulnerabël.

E di që të njohurit (por edhe të tjerë) mund të tallen e qeshin me vargjet e mija, por nuk më bëhet vonë, sepse shkruaj vargje jo se dua , por se më vijnë.

A janë të qëlluara?

Këtë nuk e di sepse në Shqipëri nuk ka kritikë objektive. Po t’ja jap një të njohuri të shkruajë diçka rreth tyre, me siguri që do i ngrerë në qiell, si ndodh në rrjetet sociale me “respekte” që ju drejtohen autorëve të vjershave bajate e që janë jo të pakta.

Unë nuk kam nevojë as për “respekte” dhe as të më thonë “poet i dështuar”, se këtë të fundit deri diku e di vetë. Por më pëlqen që njerëzit të lexojnë më shumë poezi, përfshirë këtu edhe të mijat, se kur nuk janë “skarco” të lartësojnë shpirtin.

No comments:

Post a Comment