(vijim)
Ndërkohë, në fushën e restaurimeve gjithashtu kishte ndodhur diçka me rëndësi. Në krye të Ateliesë të Monumenteve ishte emëruar ing. Pirro Thomo, i ardhur nga Instituti i Monumenteve në Tiranë. Deri në atë kohë atelieja ishte drejtuar nga tekniku i ndërtimit Pandi Saro.
Në vitet ‘60, me vrullin revolucionar të mbështetjes të së resë në të gjithë fushat e jetës, krahas prishjes së Shën Gjergjit, ishte bërë edhe prishja e shumë objekteve të arkitekturës tradicionale veçanërisht në Qendër dhe në zonën e Pazarit. Edhe pse kishte rezistencë nga intelektualët korçarë, zelli i pushtetarëve ishte i tillë, sa mund të kishte sjellë prishjen e të gjithë Pazarit. Ishte sërish një ndërhyrje e Hoxhës, që shpëtoi atë pjesë të mbetur të Pazarit të Korçës. Por nuk shpëtuan dot ndërtimet e mira përballë merkatos, ku u ndërtua ai që quhet pallati i Postës, vepër e arkitektes së mirënjohur korçare Valentina Pistoli. Për fat të keq, pedagogia ime e dashur, pat projektuar ndoshta veprën e vetme të dobët të saj. La pas dhjetra vepra me cilësi në gjithë Shqipërinë,
Pirro Thomo solli një dinamikë tërësisht të ndryshme jo vetëm në ruajtjen e vlerave arkitekturore të Korçës, por edhe në zhvilimet e tjera arkitekturore të qytetit duke pasur peshë në diskutimet mbi zhvillimet urbano-arkitekturore të qytetit. Objektet e Pazarit, por edhe të tjera u shtuan në listat e ndërtimeve të mbrojtura dhe po restauroheshin gradualisht në varësi edhe të fondeve që jepte Tirana. Me vlera ishin resturimi i kompleksit të Piastos (Muzeu Arkeologjik), i disa banesave përreth banesës-studio të Vangjush Mios, Hani i Elbasanit etj.
I angazhuar që në vitet ‘60 në mbrojtjen e Kishës së Mitropolisë (e Burimit Ujëdhënës) ai në fundin e viteve ‘70 u morr edhe me ndryshimin e funksionit të saj në Muze të Artit Mesjetar. Për fat jo të mirë, projektimi arkitekturor dilte jashtë mundësive të tij projektuese. Thomo kishte studiuar inxhinieri ndërtimi dhe temën e diplomës e kishte pasur një projekt hidrocentrali. Futja në botën e Monumenteve pat qënë rastësore, por ai ishte bërë një nga figurat e rëndësishme të studim-restaurimeve. Muzeu Mesjetar nuk ishte vepër e kësaj natyre dhe si rrjedhojë ishte një dështim i plotë veçanërisht në fasadë.
Me fundin e viteve ‘70, me filimin e rënies së madhe ekonomike, merr fund edhe periudha e ndërtimeve cilësore në Korçë. Problemi nuk qëndronte vetëm në largimin e Kolevicës nga Instituti i Projektimeve. Kishte arkitektë të tjerë të mirë, që mund të projektonin vepra të rëndësishme për qytetin tonë. Shqipëria socialiste po asfiksohej ekonomikisht për shkak të ndërprerjeve të ndihmave “internacionaliste” nga Kina socialiste. “Varfëria” filloi të ndjehej edhe në mungesën e materialeve cilësore ndërtimore.
Gjithashtu për arsye shpesh të pakuptueshme për mua, Zyra e Urbanistikës në qytet, nuk u drejtua asnjëherë nga një arkitekt apo urbanist. Madje miopia e pushtetarëve lokalë arrinte deri aty, sa edhe një arkitekt shumë të talentuar korçar si Vladimir Bregu, i diplomuar në vitin 1977, nuk u tërhoq në Korçë, por u la të emërohej në Ersekë nga ku u mor më vonë në Tiranë ku pati një karrierë shumë të suksesshme.
“Perdja” e viteve të projekteve të mira, rra me një ndërhyrje shkatërruese urbanistike në vitin 1979. Sipas sugjerimit të Enver Hoxhës, u projektua Qendra e Korçës, si një hapje gjysëm rrethore mbi arterien e bulevardit Shën Gjergji. Diktatori kishte sugjeruar që harku të përmbante tre objekte të rëndësishme që do simbolizonin periudhën e lavdishme socialiste. - Komiteti i Partisë, Pallati i Kulturës dhe një supermarket shumëkatësh. Pra do ishte një trinom Parti-Kulturë-Ekonomi, “nga populli, për popullin dhe mbi popullin“. (Të sjell në mendje sugjerimet e Hitlerit që i bënte Hitleri ark Speer, për vepra dhe komplekse monumentale.) Koncepti ishte shkatërrues për qendrën e qytetit, gjë që e kam prekur më gjatë në shkrimin tim, “Si vdes një qytet”.
Projekti u drejtua nga urbanisti Gjergji Kotmilo, por të cilin nuk mund ta bëjmë me faj, sepse orientimi nga lart ishte i detajuar dhe me siguri që përcillej tek Kotmiloja nga dhëndëri i Hoxhës, arkitekti me origjinë korçare Klement Kolaneci, asokohe i posaemëruar drejtor i Institutit të Projektimeve nr 1. Kështu realizimi i studimit vazhdoi në vitet ‘80, por shfytyroi qendrën e ndërtuar mirë të qytetit. Në të duhet të bëheshin ndërhyrje, se pjesa e rrugëve të lagjes 3 ishte e mbyllur dhe e mbuluar nga një linjë dyqanesh njëkatëshe, por i gjithë konceptimi duhej të udhëhiqej nga arkitektët e Institutit të Monumenteve (mundësisht edhe Pirro Thomo) dhe në bashkëpunim me urbanistët e Institutit. Rastësia e keqe solli shkatërrimin e asj pjese të dashur dhe të rëndësishme të qytetit. Eshtë e çuditshme se si mund që pa studime urbanistike (si ishte gjysma e parë e shek XX, pjesë të rëndësishme të qytetit ndërtoheshin bukur dhe pa disonanca.)
Në fatin e projektimeve në një periudhë të një rendi ekonomiko-shoqëror socialist ndikojnë disa faktorë.
Edhe pse mund të duket më e lehtë arritja cilësore veçanërisht në fushën e Urbanistikës (parcelat janë përgjithësisht pronë shteti, por edhe fuqia shpronësuese është e pakufizuar) shembulli jo vetëm i Shqipërisë, por dhe i gjithë vendeve të Lindjes, dëshmon që arritjet janë më poshtë se ato të vendeve kapitaliste. Ky është faktori kryesor, por shumë gjëra varen nga vetë njerëzit, qofshin këta pushtetarë lokalë, projektuesa profesionistë apo edhe intelektualë të fushave të tjera.
Korça humbi që në fillimin e viteve ‘60 atë që do ta quaja rezistencë intelektuale lokale. Gjithshka që vinte e projektuar nga Tirana miratohej verbërisht nga pushtetarët servilë të qytetit. Fati i mirë ishte që shumë vepra u projektuan nga arkitektë seriozë si Kolevica, Comi dhe Bega, të brymosur me idetë e Bahaus-it dhe të arkitekturës moderne.
Në cilësinë e objekteve ndikoi edhe prania e shumë mjeshtrave të mirë montatorë, muratorë, karpentierë, suvaxhinj e të tjerë, më të mirët e asokohe në Shqipëri. Të njëjtat projekte (shkolla Th, Gërmenji, Pallati i Sportit) të ndërtuar në qytete të tjera, qëndrojnë shumë më poshtë në cilësinë e zbatimit se objektet tona.
Ndaj po e mbyll shkrimin me një “ulje kapeleje” ndaj kujtimit të të gjithë atyre korçarëve projektues dhe ndërtues, që nuk rrojnë më, po që bënë shumë për bukurinë e qytetit të tyre të dashur.
Si përfundim të këtij shënimi, jo shumë i gjatë si kapitull libri, por i gjatë për një blog, dua të theksoj se vitet ‘60 dhe ‘70 nuk ishin as vite suksesi dhe as dështimi në arkitekturën dhe u.rbanistikën e Korçës. Të kujtojnë një përpjekje të ngjashme me Rilindjen Urbane, ku regjimi mundohet të rregullojë “fytyrën” e qytetit, por le pas dore gjithë trupin e saj. Kështu në lagjet periferike vazhduan të ndërtohen banesa individuale dhe kolektive me vlera të dobëta arkitekturore; tek ish-fabrika e qelqit vërtet u ndërtua Uzina e Precizionit, por në krah të saj edhe TEC-i, që prishi ajrin e pastër për të cilin Korça ishte e famshme; u la pa përfunduar unaza e qytetit; u ndërtua keq si zgjidhje urbanistike dhe arkitekturore shkolla “Stavri Themeli” etj.
Si çdo gjë nën Diktaturë, që nuk mund të jetë mirë, por as edhe tmerrësisht keq.
No comments:
Post a Comment