(vijim)
Në libër ka herë pas here zmadhime, si psh kur tregohet se e veja e spiunit Lefter Ruço dha garanci në gjermanët për të mos trazuar shtëpinë e Petraq Kolacit; kur përshkruhet parakalimi i partizanëve në fund të tetorit 1944 mes të cilëve dhe teze Elisabeta; kur një episod i ikjes pa leje nga zbori për të parë një ndeshje futbolli më 1966 cilësohet Dezertim; kur përshkruhen aktet pedofile të një fqinje ndaj Vaskës fëmijë etj.. Kjo ndoshta ka të bëjë edhe me shpirtin poetik të autorit, i cili pasqyrohet edhe në shumë pjesë të përshkruara bukur prej tij.
Ka një kapitull të gjatë dhe shumë dramatik në jetën e Vaskës dhe gjithë familjes së Kolacëve, që është Internimi në nëntor të vitit 1975. Ishte tronditje për të afërmit, por edhe për të gjithë qytetin. Nuk kam dëgjuar njeri të mos thoshte: Si është e mundur?, sepse të gjithë i njihnin për vlerat e tyre njerëzore dhe qytetare. Ndoshta ky ishte synimi i “autoriteteve”, që të ngjallnin frikën tek cilido, që askush mos mendonte se ishte “i paprekshëm”.
Kjo pjesë e jetës së tij ze vendin kryesor në kujtimet e Vaskës dhe është më e ndjera dhe njëkohësisht më e vërteta.
Meqënëse nënat tona ishin kushërira të para, por ndjeheshin më të afërta, ne i kemi ndjekur gjithë sy e veshë ato kohë të tyre dhe sidomos periudhën deri tek largimi nga jeta i Gjenkës, nënës së Vaskës. Shpesh hamendësonim se kush ja u kishte bërë atë të keqe, që solli vdekjen e parakohsme të Gavrilit. Ngjarja bëhej më absurde, se në Korçë nuk ishin internuar fëmijët e Kol Kolacit (i pushkatuar në Vithkuq), por dy nipat e tij. Mesa hamendjeve sillnim edhe ndonjë sjellje të mundshme të Vaskës, sepse e dinim që Gavrili ishte i përkorë.
Por edhe Vaska për një kohë të gjatë, kishte qënë në “udhëheqjen” e jetës artistike të Korçës. Tepër aktiv dhe jo i tërhequr, ai drejtonte orkestrën e qytetit dhe atë të Shkollës së Muzikës (disa vite e përfshirë brenda të mesmes “Th. Gërmenji”) dhe tek shkolla ishte autoriteti kryesor edhe pse nëndrejtor për muzikën ishte një mësues tjetër. Diçka ka ndodhur në fillimin e viteve ‘70, kur kam parë një lloj tërheqje të tij. Unë isha nxënës në shkollën e muzikës dhe arrija ta dalloja largimin e të tij nga “pozita” e mësuesit më me autoritet dhe më të rëndësishëm. As në libër nuk gjej përgjigje rreth saj. Fillimi i viteve ‘70 ishte pjesë e periudhës së “liberalizmit” dhe kishte më tepër se kurrë liri sidomos në mjediset artistike ndaj dyshoj se ka pak të bëjë me luftën e klasave.
Nga libri mësova (ndoshta e kisha harruar), që në vitin e internimit Vaska ishte mësues në Vreshtas dhe jo më në shkollën tonë. Ai ishte dhe viti i martesës së tij të parë, ngjarje tek e cila kam qënë i pranishëm dhe që karakterizohej nga një atmosferë gëzimi. Kishim vite që prisnim që ai t’i jepte fund beqarisë se në atë kohë, ata që kalonin të 40-tat pa u martuar ishin të rrallë. Kjo nyje e jetës së tij (jo pa rëndësi) nuk preket në libër, gjë që më bën ta fus në një lloj bllokimi (të qëllimtë ose jo) të kujtesës.
Fundi i internimit gjithashtu ka një ngjarje, që më duket e pakuptueshme dhe që rrethanat e vendimit të tij, nuk spjegohen qartë në libër. Kur i njoftojnë për mbarimin e kohës së Internimit, nëpunësit e Zerecit dhe Degës së Brendëshme ju kërkojnë Vaskës dhe të jatit të firmosin që duan të rrinë në fshat si të barabartë me të tjerët dhe Petraqi nuk firmos, por Vaska e bën këtë?!!
Edhe pse mundohem me mendja ta shpjegoj me frikën nga regjimi, në libër autori tregon se para kësaj ngjarjeje, degistëi i kishin kërkuar të bëhej bashkëpuntor i Sigurimit dhe ai jo vetëm nuk kishte pranuar, por ishte tallur me ta sa njëri e kishte zënë për gryke dhe e kishte flakur jashtë Degës!
Si është e mundur që një 45 vjeçar, i vuajtur, i goditur nga dy vdekje në familje, me fizik dhe karakter të fortë të pranojë këtë alternativë që e largon përfundimisht nga Korça dhe shtëpia e tij(humbën të ashtuquajturën të drejtë të passhaportizimit në qytet)? Ky vendim i shtoi kalvarit të vuajtjeve të tij edhe 5 vite të tjera deri sa dashuria e zjarrtë për Teftan (sot Anastasia Kolaci) i ndryshoi jetën në vitin 1984.
Po “ëndërra” më e madhe me syhapur e Vaskës është përshkruar në një fjalë mbajtur para ish-nxënësve të Shkollës së Muzikës në qershor 2005dhe që ai e ka përfshirë në libër. Atje mësuesi dhe ndër themeluesit e shkollës së muzikës deklaron se ishte i vetmi që kishte mbrojtur Kiço Venetikun në gjyqin e zhvilluar ndaj tij. Për fat të keq në vitin 1977, kur u zhvillua gjyqi famëkeq, Vaska ishte i internuar në Zerec dhe as mund të merrte pjesë në gjyq dhe jo më tepër të ngrihej në mbrojtje të të pandehurit për veprimtari kriminale ndaj Atdheut. Duhet të ketë një dëshirë e hershme e tij për të bërë diçka të tillë, por që rrethanat nuk mund ta lejonin dhe pas shumë kohësh ai vetë është bindur se ka ndodhur.
Libri mbyllet me fjalët: Të gjithë keni romanin tuaj, shkruajeni! Kështu do të njihemi dhe do ta duam më shumë njëri tjetrin.
Pas përfundimit të librit, më duket se e njoh më pak, kushëririn tim Vaskë Kolaci.
Shenim: Ne foto Vaska dhe dajoja i tij i famshmi Gaqo Pema me dhine e tij Nora

No comments:
Post a Comment