Nuk po them ndonjë gjë, që nuk dihet, se partitë që dolën menjëherë pas vendosjes së pluralizmit ishin derivate të Partisë së Punës (marksiste-leniniste.) Sigurisht që më e drejtpërdrejta ishte PS-ja e lënë në dorë të Nanos, sepse ishte e mbushur me veteranët, fanatikët, nostalgjikët dhe sigurimsat. Ata që nuk kishin qënë më parë pjesë e saj dhe ju bashkëngjitën në periudhën post-Diktaturë ishin pa përjashtim arrivistë, që ishin prekur nga shkurtimet që bëri PD në administratë, ose nuk mund “të kapnin” ndonjë fije karriere (që konvertohej në lek) brenda Partisë të vetquajtur anti-komuniste.
Kjo temë e përgjithshme është prekur nga shumë vrojtues të paanshëm, madje edhe unë e kam cekur në disa shënime në këtë blog, ndaj edhe mund të ketë paragrafë që përsëriten duke u bërë të mërzitshme për ndjekësit e vëmendshëm të shkrimeve të mija.
Ajo që nuk kam shkruar më parë, është një përsëritje (e natyrës komike) në muajt e fundit e prapaskenave tragjike të kohës së Hoxhës..
Ka të bëjë me çështjen Ballukja.
Nuk ka të bëjë shumë me Ramën, sepse është e pranuar tashmë nga të gjithë, që ai është “sunduesi” absolut i PS-së.
Eshtë sjellja shumëfaqëshe e shumë prej përfaqësuesve të lartë të Kupolës socialiste. Ata sa të gëzuar janë për rënien e Ballukes, po aq luftarakë janë në mbrojtjen e saj. Dhe këtu hyjnë emra të rëndësishëm si Peleshi, Spiropali, Klosi, Balla, Xhafaj për të mos shkuar më gjatë. Dhe e mbrojnë jo se e duan, por se Lideri nuk do “për momentin” arrestimin e saj dhe ju duhet të fshejnë edhe gëzimin për rrokopujën e Be;as.
Më sjell në mendje gjithë episodet e Historisë së Partisë së Punës, kur Xoxeja ankohej në Hoxha për Nako Spiron, e ky i fundit tek ambasadori sovjetik për Hoxhën; kur Mehmet Shehu dhe Liri Belishova sulmonin Bedri Spahiun dhe Tuk Jakovën për të dëshmuar besnikërinë tek Hoxha; kur Beqir Balluku dëshmonte se do ishte besnik ndaj Shehut në rast të vdekjes së Hoxhës edhe pse urreheshin me njëri tjetrin; kur Hazbiu sulmonte Shehun për të shpëtuar lëkurën e tij dhe sërish e shpinin para togës së pushkatimit; kur Ramiz Alia i binte në gjunjë Nexhmije Hoxhës që t’i shpëtonte largimit nga Byroja dhe ndoshta nga Partia si dhe shumë histori intrigash, spiunimesh dhe “shitjes” të shokëve për të mbetur në pozitat e privilegjuara.
Në gjithë kafenetë e Tiranës, socialistët e sipërpërmendur, në rrethe të ngushta deklarojnë, që “Balluku duhet të ikë se e bëri baltë“, se “Partia Socialiste po dëmtohet shumë nga çështja-Bela”, se “Rama po bën gabim të rëndë, që nuk e “lëshon”, por në kuvend dhe në publik i dalin në mbrojtje të hapur se pikërisht kështu janë urdhëruar nga “gjenerali i kazermës socialiste”.
Sigurisht në pozitën më të vështirë është Nicolo Di lana, sepse ai duhet të shkelë ligjet dhe rregulloret për ta shtyrë sa më shumë që të jetë e mundur shqyrtimin e heqjes së imunitetit. Peleshi ka edhe mllefin, që kur ishte zv.kryeministër nuk bëri dot “pare” sa Ballukja, madje shumë më pak edhe se sa Tigri kur kishte të njëjtin post.
Duhet mëshiruar sepse pozita e tij vërtet nuk është për tu lakmuar. Zemra ja do që Ballukja “të pritet”. Llogjika dhe amerikanët i thonë që i duhet hapur rrugë heqjes së imunitetit sipas kërkesës së Prokurorisë dhe se fajësia ose pafajësia mbeten të vendosen nga Gjykata.
Por i plotfuqishmi i thotë, “Belën nuk do e lëshojmë edhe sikur bar të hamë!” (Kjo mund të përkthehet se nuk e lëshojmë edhe sikur të humbasim reputacionin, mbështetjen e amerikonve apo dhe një pjesë të parave të vjedhura.)
Nga t’ja mbajë i gjori Niko!
E di ç’do të thotë po i kundërshtove Të Gjatit! Vërtet që nuk të pushkaton si Dulla, po të zëvendëson menjëherë me Ballën, Cuçin ose me Zengjinenë. E di që për Ramën të gjithë janë si shami hundësh. Të flakshme në çastin më të parë. Dhe Nikoja i sojit të mënçur të Peleshëve nuk ka ndërmend të flaket!
Ndaj do i zbatojë me përpikmëri të gjitha udhëzimet e porositë e shokut Edvin dhe vendimet e Kongreseve dhe Pleniumeve të dymbëdhjetë, të katërmbëdhjetë e të shtatëdhjet e shtatë!
Për hir të unitetit të popullit me Partinë dhe për lavdinë e marksizëm-leninizmit legjendar!
No comments:
Post a Comment