Një miku im më pyeti para disa ditësh nëse dija gjë rreth Nella Sinaerit. U kujtova se nuk dija shumë edhe pse në fëmijëri shkoja shpesh në shtëpinë e tij me babanë. E kishte shok megjithëse Nella ishte disa vjet më i madh. Na prisnin shumë mirë së bashku me gruan e tij Natasha. Ishte një burrë me shtat mesatar dhe me tipare të mira. Shtëpia ishte diku në lagjen 11, në rrugën që të nxjerr në bulevardin “Republika” ku ishte disa vite më parë një kafe e quajtur “Odeon” dhe kishte një oborr të madh dhe gjithë dritë. Nuk mbaj mend të kem shkuar në apartamentin e tij në pallatin në Kinemaja (Agimi), ku ishte shvendosur në vitin 1965.
Në shtëpi kishim dy libra të tij dhe gjithashtu dija që shkruante me pseudonimin Nostradamus. Më dukej një pseudonim letrar i çuditshëm, sepse atë kohë nuk e dija se kush ishte Nostradamus dhe kur kisha pyetur babai më kishte shpjeguar që ishte një filozof francez i Mesjetës, që njihej për parashikimet e tij të së ardhmes. Mendoja se Nella duhet ta cilësonte veten si parashikues. Por ai duhet të kishte studiuar në Francë dhe ka qënë i apasionuar pas “fletorkave” të parashikuesit të famshëm. Por mund të kishte dhe një dozë ironie në zgjedhjen e pseudonimit, sepse Sinaeri ishte shkrimtar humoristik.
Kur nisa shkrimin, u futa në Google të shihja se ç’kishte rreth tij. Kishte shumë pak. Vetëm titujt e dy librave të tij”Kokrra aguridhe” dhe “Djajtë s’bëjnë pallë“, si dhe një përmendje nga Gjergj Bakallbashi, që është i afërm i tij, por fare pak në një shkrim kushtuar veprave arkitekturore të Petraq Kolevicës.
Nella Sinaeri nuk pati fëmijë dhe kjo ndodh me njerëzit që nuk lenë trashëgimtarë. I mbulon “dheu” i harresës. Ndonëse ishte një intelektual i mirëfilltë i Korçës dhe Shqipërisë.
Korça kishte traditë në letërsinë humoristike. Të njohura ishin vjershat satirike të Kristaq Cepës, por në gazetat e saj patën botuar edhe Nonda Bulka dhe Spiro Comora, që kishin jetuar gjatë në Korçë. Këto kanë pasur ndikim në formimin e Nella Sinaerit, Dionis Bubanit dhe Gaqo Veshit, që ishin shkrimtarë të njohur humoristë të pasluftës, mbase dhe të karikaturistit Dhimitër Ligori, njëri nga më të sukseshmit në Shqipëri.
Nuk di se sa bashkëpunonte Sinaeri me Estradën e Korçës, por si e kam përmendur disa herë, niveli i saj ishte shumë mediokër dhe nuk përfaqësonte aspak homorin e zgjuar dhe të hollë të Korçës. Për shkak të materialeve të dobëta dhe të aktorëve të zakonshëm, niveli i saj linte shumë për të dëshëruar, që krijonte përshtypjen se niveli humoristik i korçarëve ishte jo vetëm më i ulët se i shkodranëve, por edhe se i fierakëve dhe lebërve!!
Sigurisht që të kishe sukses në letërsinë humoristike-satirike ishte e vështirë nën Diktaturë. Për këtë duhet të kujtojmë që “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që është vepra më e mirë e Dritëro Agollit, u hoq nga qarkullimi pas vitit 1974. Ndaj dhe veprat e Nellas dhe shkrimtarëve të tjerë të humorit ishin shumë të kufizuara në numur. Se nëse kishte diçka që mund të tallje dhe “qesëndisje” nën Diktaturë ishte ajo vetë dhe nëpunësit e saj duke nisur nga lart. Padyshim që Sinaeri mund të kishte idetë dhe batutat e tij për këtë , por frika dhe autocensura nuk mund ta lejonte kurrë të shkruante rreth tyre. Edhe pse nuk kujtoj ndonjë tregim të tij, me siguri si në rastet e tjera, satira drejtohej sipas orientimeve të Partisë tek “dukuritë“ negative të trashëguar nga e kaluara dhe që pengonin ecjen para të Njeriut të Ri. Pak a shumë kjo ishte përmbajtja e revistës “Hosteni”. tek e cila botonte Sinaeri dhe që unë e kam ndjekur në vitet ‘70, kryesisht i tërhequr nga karikaturat e Zef Bumçit, Dhimitër Ligorit dhe Bardhyl Ficos.
Në linrin tim “Biseda të pakryera me babanë“ e kam përmendur disa herë Nellan, por në shtojcën e emrave të përmendur nuk kam shënuar vitin e lindjes dhe të vdekjes. Kjo sepse në kohën e përgatitjes së librit nuk arrija të gjeja shpejt këto data të rëndësishme të jetës së autorit. Dija që kishte lindur në dhjetvjeçarin e dytë të shekullit të XX dhe kishte vdekur në fillimin e viteve ‘80.
Natasha, e shoqja, jetoi shumë vite më vonë, por nuk e kam takuar sa ishte gjallë e ta pyesja. Vinte nga familja e njohur boboshtare e Gjermanëve dhe ishte veçanërisht e dashur dhe e qeshur. Duhet të kishte qeshur shumë gjatë jetës me batutat dhe humorin e hollë të Nellas.
Ende e kujtojmë Nella Sinaerin, edhe pse ata që duhet ta përkujtojnë janë Bashkia dhe institucionet e tjera, që jo rrallë bëjnë ceremoni për njerëz me vlera shumë më të pakta se ato të shkrimtarit të humorit.
No comments:
Post a Comment