Mbrëmë postova një foto në Instangram të një pjate bazuar në mishin e shqerrës, dhe si diçiturë kisha “Nëse je patriot në ndërrimin e vitit duhet të hash shqerrë“. Postimi ndolli reagime jo shumë të mira dhe disa moshatarë më përmendën se mishi i qingjit ka kolesterol të lartë dhe unë nuk duhet të propagandoj ngrënien e tij duke e veshur me ngjyrat kuqezi, Madje një mik më sugjeroi të ha më shumë peshk!
Kjo më ngacmoi të mendoj më thellë nëse e kisha unë gabim postimin apo miqtë e mij reagimin. Dhe duke vërtitur në kokë brinjët e shqerrës, tavën e kosit, çështjen kombëtare, komitët, Skënderbeun dhe nënshtrimin gjatë Diktaturës, arrita në përfundimin se e drejta anon më tepër nga unë se sa nga miqtë e mij, të cilet i shqetëson kolesteroli i keq.
Shqerra është pjesë e pandarë e identitetit tone kombëtar.
Ndoshta aq sa edhe mund të jetë e barazvlefshme me shqipen për të “kapur” qëndrën e flamurit.
Le të analizojmë disa fakte për të.
Para se të hynte Partia, në Shqipëri kishte më shumë kokë dhen se sa kishte shqiptarë. Ne hanim mish qingji, pinim qumësht deleje dhe dhije dhe shpesh vishnim disa lloj gunash prej lëkure dashi. Ishte thuajse gjithshka për ne. Ndaj dhe Naimi e titulloi poemën e tij (një lloj Himni Kombëtar i gjatç në vargje) “Bagëti e bujqësi”. Nuk i shkoi asnjëherë në mendje ta quante “Bagëti bujqësi dhe peshkim”
Bagëtia ishte jetësore për ne dhe mund të themi pa frikë që kemi qënë dhe jemi bagëti.
Naimi nuk shkruajti : “Kur e ndjen erën e sushit qysh e le qingji kopenë..”. por “ Kur dëgjonin zërin e sëmës qysh e le qingji kopenë“ dhe e ëma e qingjit është delja, një krijesë themeltare në luftën e shqiptarëve për të mbijetuar.
Madje edhe pse pjesa baritore ze vendin kryesor në poemë, lopët dhe demat nuk përmenden gjëkundi. Ka vetëm deshinj, qingja, dele dhe një cjap me zile që mërzen diku.
Por le të shkojmë më thellë në historinë tonë dhe le të kujtojmë se edhe pse kishte shqiponjën në stemën e principatës, Skënderbeu në përkrenare nuk vendosi atë, por një kokë dhije.E egër apo e butë, kjo mbetet për dikutim, por edhe nëse ai donte medoemos të kishte brirë në përkrenare, mund të vinte si vikingët, brirë kau apo bualli dhe jo brirë dhije. Pa dyshim mund të themi se me to ai nuk donte të simbolizonte forcën, por rëndësinë e bagëtive të imta për mbijetesën e popullit shqiptar.
Dhe vërtet ne mbijetuam duke qënë të ngjashëm me delet dhe qingjat. As turku nuk mundi të na tjetërsojë dhe as Diktatura nuk mundi të tjetërsonte shpirtin tonë të butë qingjëror. Ne hymë në vathën e thurrur nga osmanët dhe më pas në atë të thurrur nga sho Enver dhe pritëm me durim e përulje që gjëmat historike të merrnin fund një ditë, sikundër morrën.
Ndaj do vazhdoj të këmbëngul në rëndësinë e mishit të shqerës për një identitet kombëtar tërësisht të dallueshëm nga kombet e tjerë. Kjo më bën që shënimin ta mbyll me vargjet:
O Atdhe më përkëdhele
Linda ujk më bëre dele!

No comments:
Post a Comment