(vijim)
Kur do fillonim klasën e katërt, klasat paralele të fillores, për mungesë mjedisesh u shkurtuan dhe nxënësit e tyre u dërguan në shkolla të tjera. Disa erdhën në klasën tonë dhe plotësuan vendet bosh të atyre që kishin mbetur në klasë. Tashmë nuk kishte më klasa paralele të 8-vjeçares, por vetëm një klasë, ajo e muzikës.
Duke qënë pjesërisht shkollë artistike, ajo kishte shumë figura interesante sidomos mes mësuesve. Kur ishim në fillore u “shfaq” një pianist që sa kishte mbaruar Liceun. Ishte i shkurtër dhe i shkathët dhe i pëlqente të binte në sy. Në pushimin e madh vërtitej me patina me rrotulla në bulevardet rreth shkollës dhe ne të vegjëlit e shihnim me kërshëri. Përfundoi dhe ai në minierën Mborje-Drenovë, por jo për politikë, por për veprime jo të pëlqyeshme me një nxënëse. Pas ushtrisë, ku luante në orkestrën e Estradës së Ushtarit, nuk luajti më piano, por vazhdoi si kamarier i shkathët dhe i suksesshëm.
Violinisti Ilkë Bimbli, i talentuar, por disi fatkeq, dukej gjithnjë i mbuluar nga një tis melankolije. U mbyll për vite të tëra në shtëpinë e tij dhe u largua shpejt nga jeta.
Por mbi të gjithë ishte Rikardo Jorganxhiu (nuk di nëse ende jeton), që kishte mbaruar Konservatorin për kompozicion dhe ishte një muzikant i shkolluar mirë. Historitë me Rikardon ishin pafund, sepse kishte një dozë të theksuar naiviteti dhe nxënësit dhe kolegët e ngacmonin shumë. Rikardoja pat shkuar në Dunavec me biçikletë se i kishin thënë që ka arritur atje Flota e 6-të amerikane. Nuk ishte proamerikan, por vetëm kureshtar të shihte flotën e famshme luftarake. Pasi u martua, shkoi në Tiranë dhe nuk ishte më pjesë e jetës artistike të qytetit dhe shkollës.
Këto dhe shumë ngjarje anekdotike të tjera kishin një sfond muzikor, që niste më 6 të mëngjesit kur Fatimja me Asimenë hapnin shkollën dhe nxënësit e instrumentave të frymës vërshonin dhe nisnin nga notat e gjata dhe deri më 9 të mbrëmjes, kur ishte ora e mbylljes së studimit sidomos e pianisteve. Shoqet tona dhe vajzat e djemtë e klasave të tjera që studionin piano, ishin më të sakrifikuarit sepse ju duhej me orë të tëra të studionin në shkollë. Ishin shumë të pakët ata që kishin piano në shtëpi, ndoshta ndër të vetmet bashkënxënësja jonë Ina Osmanlli. Violinistët dhe violonçelistët mund të studionin edhe në shtëpitë e tyre (si bënte zakonisht ime motër në kohën që unë doja të flija).Kam pasur gjithnjë një ndjenjë keqardhjeje, për ata instrumentistë që nuk mundën të vazhdonin Institutin e Lartë të Arteve pas shumë e shumë studimeve të gjata të instrumentit.
Vitet patën bërë seleksionimin e tyre dhe në përfundimin e 8-vjeçares instrumentistët e klasës sonë ishin shumë të pakët. Vetëm 6 prej tyre vazhduan të Mesmen e Muzikës, ndërsa shumica e ne të tjerëve mbetëm brenda të njëjtës ndërtesë, por në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”.
Por edhe pse në një shkollë të profilit muzikor, arritjet më të mëdha në garat mes shkollave të tjera, klasa jonë i kishte në sportet e basketbollit dhe volejbollit, veçanërisht për djemtë. Dy violonçelistët Alfred Karanxha dhe Ilir Joga ishin basketbollistë shumë të mirë dhe lojrat me dorë i luanim jo keq unë dhe Arben Kallamata. Por dy më të mirët në të dy sportet ishin Petrika Marashi dhe Artur Balli. Të dy trashëgonin nga prindërit e tyre sportistë talente në të gjitha sportet. Arturi ishte edhe futbollist shumë i mirë. Kështu ne jo vetëm mposhtnim ekipet e shkollave të zakonshme, por arrinim të mundnim shpesh edhe ekipet e klasave sportive të “Naum Veqhilarxhit” dhe “Sotir Gurrës”. Ishin arritje që na ngazëllonin sepse ishte ekip që vinte nga një klasë e vetme me 20 djem, kurse shkollat e tjera kishin nga 4-5 klasa paralele ku mund të mblidhnin talente.
Për fat të keq, asnjëri nuk pati një karrierë profesioniste në sport. Petrika, me të dhënat më të mira fizike, u detyrua nga i jati, mësuesi i ndjerë i rusishtes Bozhidar Marash, të përqëndrohej vetëm në mësimet e shkollës për të pasur rezultate sa më të mira për të vazhduar më tej. E mbaroi shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi” me medalje ari. Arturi, që ishte edhe kapiten i ekipit të të rinjve të “Skënderbeut”, pasi nisi studimet universitare e la futbollin.
Por dy shokë të tjerë të klasës sonë, që ishin transferuar në Tiranë në fillimin e viteve ‘70, Gjergji Babi dhe Vaskë Pani patn qënë të suksesshëm në atletikë, i pari në garat e shpejtësisë dhe i dyti në vrapimet e mesme.
Edhe vajzat konkuronin me dëshirë në lojrat me dorë, por arritjet nuk i kishin si tonat. Binte në sy Katerina Jano, por mirë luanin edhe Vjollca, Zana Tabaku dhe Mariana Trebicka. Vajzat e instrumentave edhe kohë nuk kishin por nuk donin të rrezikonin gishtat, aq të domosdoshëm për të luajtur në instrument.
Edhe pse me disa ikje dhe ardhje të reja, shumica e jonë ishte bashkë qysh në klasëne parë. Patëm shkuar shumë mirë dhe me shumë pak grindje, veçanërisht në tre vitet kur mësues kujdestar kishim të mirënjohurin Zhani Pilika. Ai dinte të kultivonte më tej ndjenjën tonë të solidaritetit dhe mbetëm shumë të lidhur edhe kur u shpërndamë në disa shkolla të mesme. Ajo afëri na bëri të festonim sëbashku një prag Viti të Ri kur ishim në vitin e tretë të shkollës së mesme. Me përjashtim të dy vajzave erdhën të gjithë, edhe kush mund të kishte filluar punë. Një ndjenjë e fortë na kishte mbajtur të lidhur ndoshta për gjithë vitet që do vinin.
Sot që po hyjmë në vitin e 67 të jetës edhe pse të shpërndarë nëpër botë ende kemi kontakte. Për fat të mirë të gjitha vajzat janë shëndoshë e mirë. Kemi humbur dy shokë të dashur, Petrika Marashin dhe Ilir Jogën, të cilët i kemi shpesh pjesë të bisedave tona. Fëmijëria edhe pse nën Diktaturë mbetet pjesa më e bukur e jetës. Veçanërisht kur shoqërohet edhe nga instrumenta muzikore.

No comments:
Post a Comment