Babai e quante Totoi. Në biseda me ne e quante edhe Zijai, ndonjëherë me dashamirësi edhe Ziaçka. E dinim që bëhej fjalë për Zija Xholin, shokun e tij të Liceut Francez.
Nuk di nëse të gjithë i thërrisnin Toto, por edhe kushëriri i tij i afërt, miku im i mirë Fredi Bitincka e zinte në gojë me këtë nofkë. Nuk e kisha pyetur Fredin pse i kishte mbetur, por nuk ka pasur lidhje me artistin e famshëm komik napolitan, sepse e thërrisnin që në fëmijëri, kur “il principe” nuk njihej në Shqipëri.
Edhe pse babai e përmendte shpesh dhe e dija që e kishte patur shok shumë të afërt, nuk e kisha takuar ndonjëherë para vitit 1979.
E takova në korrik 1979, kur kisha shkuar në Tiranë për Konkursin e pranimit në Degën e Arkitekturës. Kishim rreth një javë që ishim në Tiranë, në kuadrin e një turneu të Teatrit të Kukullave të Korçës. Regjisorja Drita Kallamata e kishte rregulluar turneun të ishte në një kohë me konkurset e pranimit në Universitet, sepse tre-katër prej nesh do konkuronin për degët që kërkonin konkurs për të hyrë në to. Nuk di nëse sot do quhej një lloj “konflikti interesi”, por atë kohë ishte shumë i përshtatshëm për ne, se jepnim shfaqje në Teatrin e Kukullave në Tiranë dhe njëkohësisht paguheshim për ushqimin dhe hotelin. Ndërkohë mund të merrnim pjesë në konkurs me shpresë të fitonim.
Mëngjesin e ditës së parë të konkursit (ai kishte katër seanca që shtriheshin në dy ditë) u paraqita në katin e tretë të Korpusit Qendror me një dosje të vogël dhe dy lapsa në xhep për të hyrë në sallën ku do niste seanca e parë e konkursit. Si unë edhe shumë nxënës të tjerë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Më 8 pa pesë, një punonjës i Universitetit (me sa kujtoj quhej Adem) hapi derën dhe ndërsa pjesëmarrësit hynin një nga një, ai verifikonte emrat në një listë të gjatë. Kur erdhi rradha ime dhe përmenda emrin, më ndali duke thënë “Seksioni i Arsimit të Korçës nuk ka dërguar ndonjë emër ndaj ti nuk mund të hysh!”
Sigurisht që mbeta keq, me një shije të hidhur në gojë, por nuk mund të thesha asgjë. As dija dhe as kuptoja se ç’kishte ndodhur, se mendoja që gjithshka në kanalet zyrtare kishte shkuar normalisht. Prita dy tre minuta në sheshpushimin poshtë nivelit të sallës së vizatimit, pa ditur se ç’të bëja. Nuk kishim telefon në shtëpi dhe s’dija se ku mund të gjeja një telefon për të marrë babanë në punë.
Ndërkaq pashë një burrë të thinjur, që ngjiste me nxitim dy nga dy shkallët e mermmerta të Korpusit Qëndror. Ishte Zija Xholi me një telegram në dorë, që i bëri të ditur Ademit, se Korça kishte nisur me telegram miratimin për hyrjen time dhe dy nxënësve të tjerë. Më takoi dhe më tha që mos shqetësohesha se çdo gjë ishte në rregull. Më vonë mësova se pasi babai kishte “rendur” në shumë zyra të Komitetit Ekzekutiv për të zbardhur vendimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv (i stërvonuar për shkak të një kokëtrashi pa shkollë që mbulonte kuadrin në seksionin e arsimit), nuk ishte mjaftuar me telegramin që seksioni kishte nisur në Universitet, por kishte njoftuar edhe Zijanë që telegrami ishte nisur. Shoku i tij i adoleshencës dhe rinisë kishte vrapuar të arrinte çdo gjë në kohë.
Më vonë isha përshëndetur me të ndonjëherë korridoreve të Korpusit Qëndror, por druhesha ta takoja. Totoi ishte Dekan i Fakultetit të Juridikut dhe Shkencave Politike dhe edhe pse njeri që nuk mbahej në të madh, vetë pozita e tij më bënte të mbaja distancë. As babai nuk më nxiste ndonjëherë ta takoja. Kishte “shkallë“ afrimi, respekti dhe ruajtje të distancës në ato kohë.
Në një nga letrat e babait për mua (e 30 marsit 1983) shoh sot që emri i Zijait përmend sërish. “...Të bëhet si është më mirë dhe sipas mendimit që ke dhe ti. Prandaj hë për hë mos e tako Zijanë.” U kujtova që ato muaj të fundit të vitit të katërt, problemi kryesor ishte emërimi im. Edhe pse Korça kishte kërkuar një arkitekt në Ministrinë e Ndërtimit, e cila bënte emërimet, nga 12 studentë të kursit tim, vetëm unë isha planifikuar të emërohesha në Burrel, ndërsa gjithë të tjerët në qytetet e tyre! Nuk kishim ku të “përplasnim kokën” ndaj edhe i vetmi njeri ku mund të kërkonim ndihmë ishte prof. Zija Xholi, shoku i babait.
Gjërat rrodhën ndryshe se disa rastësi sollën që sipas sugjerimit të tim eti, mos e takoja Zijanë. Zv.ministri i Ndërtimit i kohës, ing. Serafim Kuke pat ndikuar që emërimi im të bëhej në Korçë dhe në Burrel të emërohej shoku im, i ndjeri Kujtim Maloku, që banonte në Fushë-Krujë. Po të mos kishte qënë kjo rastësi, nuk di sa mund të kishte bërë Totoi dhe unë mund të kisha përfunduar në ZUP-in e Burrelit, ku mund të kisha mbetur deri në kohën e ndryshimit të sistemit ekonomiko-shoqëror.
Dhe pikërisht pas atij ndryshimi erdhën dy takimet e mija me Totoin. Në shkurtin e vitit 2004, ndërsa punoja për një kohë të shkurtër në Tiranë, u përpoqa të gjeja Zija Xholin. Profesori ishte 82 vjeçar, por edhe fizikisht ishte mirë, përpos mendjes tepër të kthjellët. Drekuam në një restorant diku pas Klinikës së Udhëheqjes, ku kishin një specialitet, që servirnin biftekë viçi në një pllakë guri të nxehtë. “Do ta pimë një raki për Andonin”- e nisi bisedën Totoi dhe vijuam për dy-tre orë të flisnim për Korçën, babanë dhe Tiranën e pasluftës. Kishte një kujtesë të habitshme dhe më ndihmoi të qartësoja shumë gjëra rreth atyre kohëve. Disa i përfshiva në librin tim “Biseda të pakryera me babanë“. Pa hezitim. Isha plotësisht i bindur që mbi të gjitha, Zijai ishte i vërtetë dhe nuk ndryshonte asnjë gjë.
Afër fundit tha: “Unë nuk drekoj në këto restorante!” dhe unë u ndjeva keq. Profesori që i kishte dhënë aq shumë Shqipërisë, me siguri duhet të kishte një pension modest. Ishte paradoksi i të ashtuquajturës periudhë të tranzicionit.
E përcolla deri tek banesa e tij dhe pasi u përqafuam dhe u përshëndoshëm, ndoqa me sy figurën e tij elegante, por edhe të thjeshtë njëkohësisht që largohej. Ishte hera e fundit që e pashë Zija Xholin, mikun e mirë të babait tim.
No comments:
Post a Comment