Po bëhen 8 vjet që Bini është larguar nga të gjithë ne dhe veçanërisht nga njerëzit e tij më të dashur, Diana, Dea dhe Jura.
Qëlloi sot, që teksa kërkoja një email të vjetër, hasa tek një që i dërgoja Binit në maj të vitit 2013. Mbase i shkruaja pikërisht atë muaj, me një ndjenjë në nëndërgjegje, që duhet të ishte ditlindja e Deas, vajzës së tij të madhe. Nuk e dija datën e saktë, por dija që Dea kishte lindur në pranverën e vitit 2004. Kisha kaluar shumë ditë të bukura në dimër në Tiranë me Binin dhe Dianan dhe e dija që ato kohë ajo ishte shtatzanë. Më pas, si isha larguar nga Shqipëria, Robini më kishte njoftuar që kishte lindur vajza e parë dhe e kishin quajtur Dea.
Më pat pëlqyer edhe emri, që më sillte menjëherë në mendje kokën e famshme të Deas së Butrintit, të cilën e përdornim si model vizatimi në orët e vizatimit të lirë në Universitet. E mendoja edhe të voglën e porsalindur me flokë kaçurrela e të bukur si dy prindërit e saj.
Në email i përmendja që ishte një baba shembullor, se nga Riku kisha mësuar që e ndihmonte vajzën e madhe për mësimet. Jura ishte ende e vogël për të shkuar në shkollë dhe me të me siguri që merrej më shumë Diana, e cila punonte në farmaci, diçka bënte me drejtimin e Urdhërit të Farmacistëve dhe plot punë të tjera shtëpie që bëjnë gratë e palodhura shqiptare.
Më dukej edhe pak e çuditshme që shtrohej për mësimet e Deas, se kur ishim në Universitet nuk para i hapte librat (unë gjithashtu). Për arkitekturën kishim vetëm dy libra, disa libra ishin për konstruksionin dhe tre- katër rreth marksizëm-leninizmit. Këto të fundit sigurisht që as i vlerësonte se gjatë adoleshencës kishte lexuar Volterin, Rusonë dhe Monteskienë. Më kujtohet që këmbëngulja të hynte në provimin e ekonomisë politike të kapitalizmit në vitin e dytë, por ai sepse nuk hyri fare në atë provim. Ishte shumë i zhgënjyer nga ai sistem dhe dukej se nuk i bëhej vonë edhe nëse humbiste vitin.
Më pas më tregonte se po njëlloj këmbëngulnin arkitektet Anila Kokona dhe Miranda Haxhiu për të mos i braktisur studimet. Kishte gjithmonë rreth tij bashkëstudentë që e donin dhe e vlerësonin. Sepse i donte njerëzit, ishte i mençur dhe kishte në kokë shumë më shumë se të gjithë studentët e atëhershëm të arkitekturës. Dhe kjo e fundit nuk është vetëm vija dhe koncepte hapësinore. Do njohuri më të thella dhe Robin Xoxi këto i kishte.
Shumë vite më vonë u tërhoq nga arkitektura dhe nën ndikimin e Dianas besoj, filloi të merrej me importimin e prodhimeve farmaceutike. Mua më dukeshin të komplikuara jo vetëm shifrat e inventareve të tij, por edhe gjithë emrat e dyfishtë të ilaçeve që importonte kryesisht nga Gjermania. Bini i kishte mësuar mirë dhe dukej që ishte shumë i lirshëm në atë botë “kimike”, të largët tullat dhe betoni i jonë. Më morri në një “tur importimi medikamentesh” në Gjermani, por përqëndrimi kryesor ishte në monumentet e arkitekturës dhe në drekat e darkat e bollshme. Edhe pse u ktheva 12 kile më i rëndë nga ai udhëtim, kisha parë jo vetëm qytetet kryesore të Gjermanisë me veprat e shkëlqyera arkitekturore, por pata parë edhe Bahausin, ëndërrrën tonë të kohës së studimeve. Dhe kisha qeshur shumë bashkë me Binin.
Sepse i tillë ishte shoku im i mirë, Robin Xoxi.

No comments:
Post a Comment