Sunday, 25 January 2026

Janari i 40 viteve më parë


Edhe pse kanë kaluar edhe 39 janarë tjerë, e kujtoj atë janar të ftohtë. Ndoshta jo nga temperaturat, por nga që nuk punoja në zyrën time, por në një dhomë të Hanit të Manastirit. Sho Enver kishte 8 muaj që na kishte lënë dhe ndjenim një lloj lehtësimi; në kinema dominonte figura simpatike e Matilda Makoçit dhe avokati i Lionit bënte një lloj pasuniversitari në Tiranë dhe vinte shpesh në Korçë.

Kisha rreth 6 javë, që kisha nisur të punoja për Ekspozitën e Kulturës Popullore bashkë me Kliti Kallamatën. Vendi ku isha emëruar (Qendra Ekonomike e Arsimit) ishte vend pune për inxhinier ndërtimi, por kishte vite që atje emëronin arkitekt ( i pari pat qënë Ylli Nashi), që seksioni i arsim- kulturës ta përdorte kryesisht për muzeume dhe ekspozita, që në ato vite “ishin në modë“. Bënte muzeume çdo institucion i madh dhe i vogël dhe përgjithësisht ato ishin dhoma ku ekspozoheshin foto dhe objekte të tjera, me të cilat do ruanin kujtesën e sukseseve të Partisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Prej fillimit të emërimit tim (maj 1984) dhe deri në fillimin e punës për Ekspozitën në fjalë, isha marrë me rikonstruksionin e Galerisë së Arteve, Muzeun e Klubit Skënderbeu dhe me një dhomë muze fshati. Por EKP ishte e një rangu krejt tjetër. Bëhej çdo 5 vjet në kuadrin e një Festivali Kombëtar të Kulturës Materiale Popullore dhe finalizohej në nëntor me një ekspozitë të madhe në Shkodër. Të gjitha në prag të Kongreseve të Partisë dhe përvjetorëve të lindjes së Partisë sonë të lavdishme.

5 vite më parë me pavionin e Korçës në Shkodër ishte marrë Kliti dhe kishte qënë një pavion cilësor. Pesë vite më vonë, ekspozita e përhershme (kati përdhe i 7 katëshit) nuk i plotësonte kushtet për një kurim më cilësor dhe prandaj ishte zgjedhur Hani i Manastirit. Ishte një ndërtim shumë interesant i shekullit të XIX, edhe pse jo në nivelin arkitekturor të Hanit të Elbasanit. Kisha hyrë dhe më parë aty, por nuk e njihja me hollësi. E njoha mirë gjatë periudhës kur punova për të. Kliti kujdesej për restaurimin e tij dhe përshtatjen për Muze dhe unë vetëm me përshtatjen e tij për ekspozim dhe organizimin (kurimin) e të gjitha pavioneve.

Si e preka në krye, gjatë janarit të ftohtë dhe me shumë dëborë, punonim në një dhomë të ngushtë, që orientohej nga juglindja dhe që ngrohej shpejt nga një “por” të cilin e “ushqenim” mirë me dërraska dhe tallash nga të zdruktarisë së Ateliesë. Në zyrë me ne punonte një pjesë të mirë të kohës edhe miku im Ladi Katro, që kishte disa muaj që ishte enëruar teknik ndërtimi në Atelienë e Monumenteve të Kulturës. Ladi kishte patur një karrierë të gjatë në vepra të ndryshme industriale dhe civile në disa qytete të Shqipërisë dhe e njihte mirë ndërtimin. Puna në Atelie për të ishte një punë e lehtë, krahasuar me ura, tece, godina industriale dhe blloqe banesash që kishte pasur më parë në “kurriz”.

Ishim një “treshe”miqsh, që edhe pse me diferencë në moshë, kishim një lloj “kamaraderie”” të mirëfilltë. Nuk i imponoheshim njëri tjetrin dhe nuk patëm kurrë këmbime fjalësh të pamenduara.

Kliti ishte ai që binte më shumë në sy për shkak të paraqitjes prej arkitekti “sui generis” i veshur mirë, i gjatë dhe i pashëm dhe shpesh edhe me një çantë plus një aparat fotografik në krah. Kishte 5-6 vjet që drejtonte teknikisht Atelienë ndërsa drejtues i përgjithshëm ishte ing Maqo Papaargjiri.

Janari ishte një muaj i rëndësishëm për projektimin dhe restaurimin e Hanit të Manastirit. Për këtë të fundit ishte filluar të punohej në mjediset brenda, sepse jashtë ishte vështirë, por përparimi ishte jo i shpejtë se objekti ishte i madh dhe numuri i specialistëve të Ateliesë i kufizuar. Afati i hapjes së Ekspozitës ishte maji i vitit, por dukej që do e kishim të vështirë të arrinim në kohë në “finish”.

Që në javët e para pata menduar që Ekspozita të kishte natyrën e një muzeu klasik, me pavione njëri pas tjetrit në katin lart që do lejonin një rrjedhë lëvizjeje në drejtim të akrepave të sahatit, gjë që bëhej e mundur në sajë të dy shkallëve të Hanit. Në pjesën mbi hyrje, ku mjedisi ishte më i madh, mendonim të ishte një pavion i ekspozitave të përkohshme. Në katin përdhe lëvizja mendohej të bëhej përgjatë oborrit dhe dhomat të funksiononin pa lidhje me njëra tjetrën. Kjo për shkak se muratura ishte prej guri, por edhe pse kishte tre ndërprerje të mëdha, për shkak të të tre hyrjeve për në Han. Në oborrin e madh menduam të ngrinim një lloj platforme me muraturë guri, ku të ekspozohej jo vetëm teknika popullore e ndërtimit me gurë të gdhendur, por mbi atë platformë(60 cm e lartë) të ekspozoheshin edhe kapitele, kangjella e një portë metalike, objekte këto karakteristike të Korçës, të cilat nuknuk dëmtoheshin nën qiell të hapur. Sigurisht në rast të një kohe me shira dhe dëborë, katë përdhe nuk mund të vizitohej.

Mund të stërzgjatem me muajt e punës tek Ekspozita, por për të mos u ndarë nga Janari, dua të përmend një takim, që solli një ndryshim cilësor në eksponatet e ekspozitës dhe ndikoi edhe në karrierën e një artisti të ardhshëm të artit të qeramikës.

(vijon)

No comments:

Post a Comment