Wednesday, 7 January 2026

Nxënës i shkollës së muzikës


Unë nisa shkollën në shtator 1966 dhe dëshira e prindërve ishte të hyja në Shkollën e Re, brenda së cilës kishte dhe një klasë muzike. Më parë (5 vjet) në shkollën “Mësonjtorja e Parë Shqipe” kisthe filluar mësimet ime motër në klasën që bënte edhe muzikë dhe vazhdonte të studionte violinën. Dihej se edhe po të hyja në atë klasë unë nuk do merrja vegël muzikore, sepse nuk lejoheshin dy fëmijë nga një familje të studionin vegël muzikore. Klasat e muzikës ishin të organizuar me gjysmën e nxënësve që studionin edhe instrument, ndërsa gjysma tjetër bënin vetëm solfezh. Dobia për “gjysmakët e solfezhit” ishte jo përfitimi muzikor, por të qënit në një klasë që bënte mësim vetëm ditën dhe njëkohësisht mësuesit e shkollës ishin nga më të zgjedhurit.

Që të hyje në atë klasë duhej të kaloje një konkurs për “veshë muzike”, i cili u krye në fund të gushtit dhe të cilin e kalova. Ishte diçka e thjeshtë që përmbante një imitim ritmi me shuplaka dhe ndoshta edhe një këngë. Juria me sa kujtoj ishin mësueset Besa Malka dhe Lefkothe Zeqo, por në këmbë ishte edhe kushëriri im Vaskë Kolaci, me mjaft autoritet në shkollë, që si për t’i bindur mësueset e jurisë për kushëririn e tij të vogël, nxorri nga dollapi i klasës një gazetë dhe më vuri ta lexoja. Kisha dy-tre vjet që babai më kishte mësuar të lexoja, një gjë jo e përhapur në atë kohë.

Nuk di a u shpallën emrat e fituesve apo jo, por kujtoj që na thirrën një ditë para 1 shtatorit të njiheshim me bashkënxënësit. I kujtoj thuajse të gjithë , por nuk jam i sigurt se cilët ishin miratuar për piano, violi dhe violonçel, që ishin tre veglat që studioheshin gjatë 8-vjeçares. Po mundohem të rifreskoj kujtesën dhe të rendit : Klea Miço, Ina Osmanlli, Mariana Fundo, Piro Viso, Zana Sota për piano; Arben Zagorçani, Klara Tili, Vangjush Andrea, Svjetllana Cale, Elektra Simi për violi dhe Alfred Karanxha bashkë me të ndjerin Ilir Joga në violonçel. Duhet të ketë pasur edhe të tjerë se përgjithësisht ishin 20 fëmijë me vegla dhe vit pas viti një pjesë thjeshtoheshin se nuk kishin talentin ose vullnetin e duhur për të vazhduar. Ishin disa shokë e shoqe me të cilët kishim qënë në të njëjtin kopësht dhe dy prej tyre nisën një kurs për fisarmonikë, jashtë programit zyrtar të filluar atë vit nga mësuesja Lefkothe Zeqo. Ishin Artur Balli dhe i ndjeri Petrika Marash.

Nuk kujtoj se me cilët mësues të instrumentave bënin mësim bashkënxënësit edhe pse ato kohë ata na tregonin gjithshka. Kujtoj vetëm violonçelistët që mësoheshin nga Oresti Miço. Violinistët duhej të ishin ndarë mes Vasilika Cavalit, Ilkë Bimblit dhe Vaskë Kolacit dhe pianistët mes Besa Malkës dhe Lefkës.

Shkolla e Re (një vit më vonë morri emrin Themistokli Gërmenji, gjatë një vizite në Korçë të vetë sho Enver) ishte një shkollë shumë e çuditshme . Nuk di nëse kishte të tjera të tilla në Shqipëri. Kishte nga klasa e I fillore dhe deri tek e XI-ta e të mesmes, që ishte ato kohë edhe matura. Disa vite më vonë u shtua edhe një vit tjetër shkollor ciklin e 7-vjeçares. Hynim në të njëjtën ndërtesë nga fëmijët 7 vjeç e deri 19 vjeçarë, pa llogaritur këtu ata që humbisnin nga dy tre vite ose e kishin nisur shkollën me vonesë.

Drejtor ishte Ilia Treska dhe nëndrejtorë Eftimi Treska dhe Alfred Mosko. Trupa e mësimdhënies përbëhej nga mësues të të gjithë moshave, ku më i moshuari më dukej një mësues i të mesmes, që nxënësit ja kishin vënë nofkën “Gogoli” nuk di nëse në lidhje me shkrimtarin rus apo me frikëndjellësin e përrallave.

Babai donte që unë të mësoja pianon dhe më futi në kursin e shtëpisë së pionierit që drejtohej nga pianisti Sami Bujari. Shkoja bashkë me shoqen e klasës Alma Lakrori. Nuk kisha vullnet të studioja edhe pse babai më merrte për të studiuar në Radio Korça ku ishte një piano e mirë dhe ai kishte porositur në Stamboll edhe një metodë të njohur, që me sa kujtoj quhej Bayher. Me të punonin edhe nxënësit e rregullt të pianos. Vazhdova 2-3 vjet në kursin e shtëpisë së pionierit, në fillim me Samiun e më pas me një mësuese, sepse pianistin Bujari e kishin dërguar për riedukim në minierën Mborje-Drenovë. Samiu i shkretë kishte bërë një shaka gjatë provave të estradës së Korçës, kur një këngëtare provonte një këngë për Adem Rekën, i posashpallur Hero, pasi kishte humbur jetën në një furtunë në bregdetin e Durrësit. Pa të keq Samiu kishte thënë “këngë për Adem Sulën”, që ishte një klarinetist në të njëjtin formacion muzikor. Duket një kleçkë në biografi pat ndikuar që instrumentisti i shkretë të përfundonte në minierë. Nuk di nëse pat punuar apo jo në nëntokë.

Pasi pata dështuar në piano (gjë për të cilën nuk më bëhej vonë, se nuk humbisja më asnjë minutë për të luajtur futboll) vazhdova të isha i pranishëm në lëndën e solfezhit, por jo me shumë kënaqësi se Lefka ishte vërtet e rreptë dhe rrallëherë qeshte. Tashmë ata që nuk kishin vegla numuroheshin me gishta, sepse të tjerët kishin nisur të bënin lëndën e muzikës, që ishte vetëm me të kënduara dhe hargalisje. Ndryshe nga shokët e mij isha i detyruar të mësoja teorinë e muzikës dhe të lexoja partiturat e të gjeja me veshë notat e fshehta që mësuesja luante në piano. Në klasën e pestë më në fund pata kurajon të kërkoja të largohesha, Mësuese ishte një pianiste e bukur që posa ishte diplomuar në konservator. Quhej Bianka. Pat përfunduar semestri i parë dhe doja të largohesha por ajo këmbëngulte të rrija se duket nuk kisha vesh të keq muzike. Por “qejfrat” e shokëve gjatë mësimit të muzikës me Adem Sulën (i njëjti Adem) më tërhoqën dhe u bashkova me ta. Ishte orë argëtimi.

(vijon)

No comments:

Post a Comment