Wednesday, 7 January 2026

Gaqka i Najdove


Ndoshta janë të rrallë ata që e kujtojnë Gaqo Najdon. Nuk pati fëmijë dhe nga motra e vetme e tij mbase nuk kishte shumë nipër e mbesa. Kush pati punuar me të duhet të jetë larguar nga jeta

Ata që e kujtojnë me mall, janë njerëzit e të shoqes, Vasilika Treskës, që hynin e dilnin përditë në atë shtëpi mikpritëse.

Gaqka ishte këpucar shumë i mirë. Në Korçë ata quheshin kundraxhinj, sepse pjesën më të madhe të kohës e kalonin mbi kundër, duke i dhënë formë lëkurës dhe shollëve, e duke i rrahur e mbërthyer me “semenca”metalike ose me kleçka druri, në varësi të klasit të këpucës. Najdoja ishte në tre-katër më të mirët në qytet dhe sot mund të quhej edhe stilist këpucësh. Dyqanet gjithnjë i kishte pasur afër qendrës së qytetit, dhe jo në Pazar, ku punonin kundraxhinjtë më të zakonshëm dhe mballomaxhinjtë (riparuesit e këpucëve). Këpucarët më të mirë të qytetit i kishin dyqan-punishtet e tyre jashtë Pazarit.

Më tregonte se mes klientëve kishte piktorin Vangjush Mio, i cili paguante 5 franga më shumë se çmimi i zakonshëm ndaj dhe Gaqoja ja priste këpucët e tij nga mesi i tabakut të lëkurës, që ishte pjesa më e mirë. Nuk di pse e e mendoja piktorin me këpucë ngjyrë portokalli, ndoshta ndikuar nga peisazhet e tij të vjeshtës.E imagjinoja që hynte serioz në dyqanin e Gaqos për të porositur këpucët dhe largohej po aq serioz. Që në fëmijëri figura e tij ishte ngulitur si e një shenjtori të artit. Ndoshta nga nderimi i veçantë i babait për të.

Kisha ndenjur bashkë me të mijtë në shtëpinë e Gaqkës për një vit, ndërsa prisnim të merrnim një apartament diku në qendër të qytetit. Atje ndërtohej në fillimin e viteve ‘60. Kujtoj pak, se isha 4 vjeç, atë vit që jetuam në shtëpinë e tij të vogël. Ne rrinim me qera në njërën dhomë dhe Gaqoja me teta Likan rrinin në dhomën tjetër. Njëra nga dhomat lëshohej gjithnjë me qera sepse ashtu i detyronte administrata vendore e kohës së Diktaturës (korçarët i quanin këshilla).

Gaqoja nuk ishte i bukur por kishte një shpirt të bukur dhe një zemër të madhe. E deshim më shumë se burrat e tjerë të fisit tonë, sepse ishte shumë i dashur edhe me ne fëmijët. Punonte në Fabrikën e Këpucëve dhe i duhej të punonte edhe pasi kishte mbushur të 60-tat, për të plotësuar vjetërsinë. Ndoshta lodhej edhe për të arritur normën, se vitet i kishin shkuar dhe duke qënë më shumë artist se prodhues mbase punonte ngadalë. Herë herë tregonte ndonjë “fërkim” me përgjegjësat, sepse nga një këpucar i mirë me çirakë, ishte shëndruar në një “zanatçi rob” i Fabrikës Shtetetërore. Mes çirakëve kishte patur Rita Markon dhe ndonjëherë përmendte, se po të kishte ndonjë hall do “i shkonte djalit”. Mua më dukej e çuditshme që një çirak të quhej djalë dhe mendoja se këtë Gaqoja e bënte se nuk kishte fëmijë, por më vonë kam mësuar që ishte e zakonshëm për zanatçinjtë t’i thërrisnin çirakët “djali” ose djemtë“.

Dansonte shumë bukur. Në ato kohë nuk përdorej folja “kërcej”, për ata që luanin vals, tango apo foxtrot. Edhe kurset ku mësonin ritmet e kohës quheshin “shkolla dansi”. Një mbrëmje të Vitit të Ri në familjen tonë përpiqej ti mësonte sime motre çarleston. Të dukej e çuditshme që këpucari 63 vjeçar të kishte atë zhdërvjelltësi dhe shkathësi të këmbëve,

Iku në shtator të vitit 1978 kur ishte 70 vjeç. Qëlloi që isha në një turne në Shkodër dhe nuk munda të hedh një dorë dhe mbi arkmortin e Gaqkës së dashur. Por më ka mbetur gjithnjë në mendje, ai dhe portreti i tij i rinisë i varur në mur, për të cilin theshte me mburrje :”Shiko Gaqkën e ri. Në çdo qoshe të dhomës të jesh ty të shikon!”

Portretin e tij nuk ka pasur kush ta rruajë, por vetë Gaqo Najdoja ka mbetur në zemrat dhe mendjet e shumë prej nesh.


Shenim: Ne foto Gaqo dhe Vasilika Najdo

No comments:

Post a Comment