Sunday, 18 January 2026

Vitet ‘60-’70 në arkitekturën e Korçës (3)


(vijim) 

Në fundin e viteve ‘50 kishte nisur realizimi i një projekti urbanistiko-inxhinierik, që ishte ai i devijimit të Drenicës (Lumi i Korçës) dhe mbulimi i shtratit të tij brenda qytetit, pjesën më të madhe të të cilit e mbulon shëtitorja “Fan Noli”. Devijimi dhe mbulimi i shtratit të Lumit, ishte një nga ndërhyrjet më të gabuara në urbanistikë, sepse humbiste mundësia e krijimit të sipërfaqeve ujore, të cilat janë të vlefshme jo vetëm vizualisht për banorët, por edhe për përmirësimin e mikroklimës. Pavarësisht se përroi shpesh ishte i tharrë dhe kur shirrat ishin të rrëmbyeshme shkaktonte përmbytje veçanërisht në[ Pazar, zgjidhja më e mirë do kishte qënë rregullimi i prurjeve dhe sistemimi i shtratit në pjesët brenda qytetit. Një ndërhyrje jo shumë e sofistikuaar, por e ngjashme me sistemimin e Lanës në Tiranë. Me siguri për mungesa financiare , por dhe nga një lloj injorance jo vetëm e pushtetarëve, u gjet zgjidhja më e lehtë dhe më e lirë, që shtrati të mbushej dhe të ndërtohej një rrugë me dy kalime dhe një trotuar në mes, që duhet të ketë qënë e kopjuar në qytetet sovjetike, se në qytetet perëndimore nuk has shembuj të tillë.

Pas viteve ‘90. konspiracionistët e thekur, e quajtën mbushjen e përroit, si përpjekje të komunistëve për të bashkuar komunitetet fetare myslymane dhe ortodokse, por ky është një tjetër interpretim-budallallëk me brirë nga ata të postkomunizmit.

E bëra këtë hyrje për të prekur pak historinë e vendosjes së shkollës “Th.Gërmenji”, të projektuar me shumë mençuri nga Kolevica. Fillimisht objekti ishte planifikuar të ndërtohej më në veri të vendit ku është sot, madje kishin filluar edhe hapja e themeleve, që bënte të qartë se do mbyllej rruga që të çonte tek sheshi para Kinoteatrit “Cajupi”. Qëlloi që në një nga vizitat e tij të shpeshta në Korçë gjatë stinës së nxehtë, Enver Hoxha e kishte parë dhe kishte urdhëruar çvendosjen e objektit, më pranë shëtitores ende në ndërtim e sipër (ku është edhe sot). Duhet thënë se ka disa raste që Diktatori ka bërë ndërhyrje me vend në formulimin arkitekturor të qytetit, një qytet të cilin e njihte. Për fat të mirë, Diktatorët nuk mund të bëjnë vetëm të këqija.

E vendosur në një vend ku mund të shihej nga të katër anët, objekti i projektuar me shumë racionalitet dhe shije, qëndroi për shumë kohë si një nga objektet më të arritur të ndërtuar në Shqipëri. I frymëzuar nga arkitektura moderne skandinave (Petraqi i referohej asaj shpesh për objektet në Korçën e ftohtë) edhe pse me dritare shirit të gjata në çdo klasë, ngrohej pa vështirësi edhe kur nuk kishte ngrohje qëndrore, kryesisht nga kapja pasive e ngrohjes diellore në krahun e jugut, ku ishin edhe klasat më të shumta të tij. Interesante ishte edhe zgjidhja e palestrës, që nuk qëndronte si vëllim më vete, sikundër haset shpesh në të gjitha shkollat në Shqipëri dhe Europë, por ishte brenda korpusit, në katin e dytë të godinës. Edhe pse brenda saj, e rrethuar nga korridoret si dhe mbi banjat dhe një punishte, palestra nuk krijonte asnjë zhurrmë që mund të sillte shqetësime për orët e mësimeve akademikke brenda klasave. Në katin përdhe kishte një holl shumë të madh, që mund të përdorej si hapësirë shumëfunksionale dhe kishte raste që shërbente si sallë koncertesh ose dhe sallë vallzimi.

Duhet të përmend, se projekti i mëvonshëm, i shkollës “Raqi Qirinxhi”, projektuar nga Koço Koçiu, edhe pse në kushtet e një “parcele “ të madhe dhe pa ndërtime ekzistuese në një distancë të afërt, ishte shumë më larg nivelit të projektit të Petraqit, edhe pse kishte “huazime” prej tij. Pa dashur të ul figurën e nderuar të Koçiut, dua të them se niveli i ndryshëm arkitekturoro-inxhinierik i autorëve detyrimisht që solli edhe rezultate të ndryshme edhe pse projekti i dytë u realizua 6 vjet më vonë dhe kishte kështu avantazhin kohor për përmirësime.

Projekti më i diskutuar, i zgjatur në kohën ndërtimore dhe ndaj të cilit bashëkohësit kishin shpesh opinione kontradiktore, është ai i Bibliotekës së Korçës. I projektuar në fund të viteve ‘60, ai ishte projekti më modern i realizuar në Shqipëri. Tipik një shembull i “International Style” (ka shumë që e quajnë si të Arkitekturës Kubiste, gjë e pavërtetë se nuk ka një rrymë të tillë në arkitekturë) ai ngrihej në një vend ku kishte qënë më parë Katedralja e Shën Gjergjit. Kisha pat qënë deri në prishjen e saj shembulli më i mirë i arkitekturës tradicionale të Korçës. Diçka shumë të errët kishte në mendjen e tij Diktatori ndaj asaj kishe, sepse edhe pse shumë herë studiuesit që përpilonin listat e objekteve të kultit t cilatë duheshin ruajtur e kishin Shën Gjergjin në vendet e para, në Byronë Politike mbrojtja e tij hidhej poshtë. Vetë Hoxha ishte shprehur që kisha të prishej dhe në vend të saj të ngrihej Biblioteka e Qytetit.

Nuk di nëse vetë ai kishte sugjeruar që projekti të bëhej nga Kolevica, por nuk është e pamundur sepse duhet të ketë qënë i kënaqur nga projekte e Petraqit në Korçë. Banesatkolektive ishin në vende shumë të dukshme dhe shkollën “Th. Gërmenji” e pat vizituar në vitin 1968.

Projekti i Kolevicës ishte “i kundërti” i kishës sepse nuk kishte asnjë element nga arkitektura tradicionae e Korçës. Përbëhej nga një vëllim paralelopiped i mbyllur në katin e dytë, ku mendoheshin sallat e leximit të ndriçuar nga tarraca. Vëllimi lehtësohej përgjatë brinëve më të vogla me dy llozha të mëdha të cilat kishin edhe vetrata për ndriçim anësor. Konsoli në brinjën më të gjatë ishte i përmbajtur (në dallim nga veprat e tjera të Kolevicës), por i theksuar në brinjët e vogla.

Në katin përdhe ku parashikoheshin holli, zyrat dhe recepsioni bashkë me pjesët e leximit të periodikëve. Në fasadën kryesore kishte kollona pilastër elegante , që mbanin vëllimin sipër dhe midis tyre kishte dritare të mëdha. Gjithshka e projektuar thjesht, pastër dhe shumë e proporcionuar. Planimetri e lirë në të dy katet ndërsa fondi i Bibliotekës ishte parashikuar në një sipërfaqe gjithashtu të hapur në katin nëntokë. Edhe pse i thjeshtë dhe jo impozant, objekti ishte vërtet mbresëlënës.

Ndërtimi i tij zgjati për shumë vjet, ndoshta për moslëvrim të menjëhershëm të fondeve, deri sa një ditë, kur ende nuk kishin nisur rifiniturat jashtë, pat kaluar Enver Hoxha dhe kur kishte parë fasadën e mbyllur të katit sipër, pat urdhëruar hapjen e dritareve. Petraqi u detyrua të hapte disa shumë të mëdha dhe vertikale që e dëmtuan paraqitjen e objektit. Nuk kihte rrugëdalje tjetër e megjithatë Bibioteka doli thuajse e përsosur.

Një ngushëllim (ndonëse i vogël) për humbjen e “margaritarit” të arkitekturës së Korçës, që ishte kisha e Shën Gjergjit.

(vijon)

No comments:

Post a Comment