Ky muaj duket më përgjakuri që prej viteve të luftrave në Afganistan dhe Irak. Mijra rusë dhe ukrainas po vriten çdo javë dhe mbi të gjitha, brenda 20 ditësh, në Iran janë vrarë mbi 40 mijë njerëz.
Më e keqja është se “udhëheqësit “ e kësaj bote nuk po bëjnë asgjë për të ndalur këtë masakër. Nuk munden, nuk duan apo janë të interesuar që masakra tëndodhë, përgjigja e kësaj pyetjeje nuk është në pohimin e njërit prej versioneve. Nëse flasim për ata që janë “marrëzisht” të pasur, mund të themi pa frikë, se nuk ju bëhet vonë se iranianët e rinj po vriten, madje kjo ju intereson për xhepat e tyre. Shikoni tregjet e aksioneve kudo në botë sa janë rritur edhe pse mijëra njerëz asgjesohen në një ditë të vetme.
Nëse i marrim individualisht aktorët kryesorë mund të themi:
Xi i Kinës është i interesuar që regjimi i mullave në Iran të qëndrojë, për shkak të naftës që marrin me lehtësi dhe për të mos u zëvendësuar me një qeveri proamerikane.
Putin i Rusisë gjithashtu kërkon që regjimi të mbetet dhe madje edhe masakra të ndodhë edhe për të mbuluar sadopak krimet e tij në Ukrainë, brenda Rusisë dhe kudo ku i arrin dora e tij e gjatë prej hajduti militarist.
Netanjahu i Izraelit është më i interesuari për këtë masakër, se cilado të jetë zgjidhja pas saj ai mbetet i fituar. Në rast të rrëzimit të Ajatollahut heq qafe një nga mbështetësit e çështjes së Palestinës, ndërsa nëse masakra vazhdon dhe protesta vdes, ai mund të duket faqe botës më pak kriminel se ç’është dhe të vazhdojë të akuzojë Iranin si përgjegjës për gjendjen e Lindjes së Mesme.
Europa e “budallallosur” nga presionet e Trump për tarifat , Groenlandën dhe të ardhmen e NATO-s e ka mendjen të armatoset më shumë për t’u mbrojtur nga “rreziku rus”, se sa të luftojë me çdo mjet për të ndalur gjakderdhjen në Iran. Pjesa më e keqe e saj me siguri kënaqet që luftrat vazhdojnë dhe mund të shesin më shumë armë.
Dhe arrijmë tek ai, që duket si Udhëheqësi i Botës së sotme dhe që me politikat e tij është një nga shkaktarët kryesorë të këtij “lëmshi botëror”. Trump nuk kuptohet nëse ka një politikë të prerë ndaj Iranit, sepse ai nuk ka asnjë politikë të prerë ndaj çdo problemi madhor ndërkombëtar. Qasja e tij transaksioniste në favor të xhepit të tij dhe të atyre që ka pas e bën që të bombardojë Iranin kur ja kërkon Netanjahu dhe të rrijë duarlidhur tani, kur vendi i lashtë është kthyer në ferr. Edhe i intereson për të vazhduar me politikën imperialisto-idiote, se Hemisfera Perëndimore i përket Amerikës. Në atë Lindoren çani barqet!
E keqja më e madhe e kësaj bote të sëmurë, është se brenda një viti, për interesa të të super të pasurve dhe grupeve militaristo-industriale, u minuan jo vetëm organizatat ndërkombëtare (veçanërisht OKB-ja) por fryma e përgjithshme e konfrontimit ndaj regjimeve kasape. Super miliarderët dhe të tjerët që mbushin xhepat në sajë të luftrave frenuan rezistencën ndaj Rusisë, më pas ndaj genocidit mbi palestinezët dhe tani ndaj masakrës së Iranit. Një botë, ku dominon mendimi njerëzor rreth Paqes, Drejtësisë dhe Moralit nuk është një botë e përshtatshme për ta. Nuk mund të bëjnë ligjin me lehtësi dhe nuk mund të fitojnë aq grykësisht. Ndaj dhe mbështetën një narcisist-idiot si “the Donald” për të marrë karrigen më të fuqishme të këtij Globi.
Cinikët mund të thonë që bota kështu ka qënë dhe do jetë, se njerëzit e thjeshtë dhe të mirë janë vrarë gjithnjë në masë. Edhe pse kanë disi të drejtë, unë them se paralizimi që të sjell të menduarit me cinizëm nuk i vlen askujt. Edhe ai i ju shërben TE PANGOPURVE!
No comments:
Post a Comment