Saturday, 3 January 2026

Kujtesa jonë “tradhëtare”


Ne jemi këta që jemi sepse “mbajmë mend”. Kjo veçori na ka ngritur mbi kafshët e tjera dhe na ka ndihur të sundojmë planetin blu, të cilin e quajmë Tokë.

Por kujtesa e gjithsejcilit, që është një regjistrim vetiak i ngjarjeve, fakteve dhe dukurive në më të shumtën e rasteve nuk është e saktë. Varet nga shumë e shumë faktorë. Ka shumë shembuj që dëshmitarë të një “incidenti” e përshkruajnë në mënyra jo të ngjashme , madje ndonjëherë edhe shumë kontradiktore. Ndaj në çështjet e historisë bashkëkohore e rëndësishme është kujtesa kolektive, e cila është një lloj rezultante e gjithë “vektorëve” të kujtesave vetiake,

Kështu, kur jemi përballë kujtimeve të shkruara e të botuara, duhet të presim që të ketë pasaktësi, subjektivitet madje dhe shtrembërim të fakteve. Kjo ndodh tek të gjithë dhe më shumë tek ata autorë, të cilët i besojnë verbërisht kujtesës së tyre. Harrojnë (ose nuk dinë) se kujtesa mund të “të tradhëtojë“, sepse varet nga rrethanat, nga gjendja emocionale si dhe aftësia e mendjes së gjithsejcilit për të “rregjistruar”. Kështu që është mëse e domosdoshme këshillimi me bashkëkohës, krahasimi me faktet historike të pranuara nga të gjithë dhe më parë se këto vënia në dyshim e asaj ç’ka kujton. Ndaj autori duhet t’i lerë dorë të lirë redaktorit për të verifikuar dhe saktësuar,

Këtu nuk flas për ata që qëllimisht i shtrembërojnë faktet, për të paraqitur çdo gjë në një “dritë të interesit të tyre”, por për ata që janë të bindur se “ashtu ka ndodhur dhe nuk e luan as topi”. Ka madje disa raste, kur të vetëbindurit (se topi nuk e luan) kanë një lloj “deformimi” në mekanizmin e kujtesës, që pa dëshirën e tyre i transformon kujtimet. Kam njohur dy vëllezër, që e kishin këtë deformim dhe nuk e dinin, ndaj dhe këmbëngulnin me fanatizëm për ngjarje që kishin ndodhur ndryshe nga çka i përshkruanin.

Por le të hedh disa rrjeshta për atë që më nxiti të shkruaj këtë “esse”.

Kushëriri im, mësuesi i muzikës Vaskë Kolaci, ka botuar dy vjet më parë një libër me kujtime të titulluar “Të jetosh me një ëndërr”. Nga titulli kujtova se do ishte një libër me poezi lirike të frymëzuara nga jeta me të nderuarën Anastasia Kolaci, por sa e hapa pashë se ishte me kujtime rreth jetës së tij, që “rrotullohet” kryesisht në zonën e Korçës. Ka qënë një jetë me drama. Si e tillë, e shumëvlefshme për tu sjellë tek lexuesi shqiptar dhe veçanërisht tek ai korçar.

Duke njohur sinqeritetin e tij, nuk e ve në dyshim se pasaktësitë në libër (jo të pakta), nuk janë rrjedhojë e një dëshire për të paraqitur veten dhe të tjerët jo sikundër janë. Por ka ndodhur ajo që ndodh me të gjithë (tradhëtia e kujtesës), pamjaftueshmëria e njohjes së historisë së Shqipërisë dhe asaj botërore, si dhe pak nga “deformimi i mekanizmit të kujtesës” që përshkrova më lart.

Sigurisht që një autori (sidomos kujt boton për herë të parë) i lejohen pasaktësitë dhe deformimet, por një gjë e tillë nuk i falet shtëpive botuese (në këtë rast Mediaprint) të cilat përgjigjen para lexuesve për botimet e tyre. Për fat të keq, ky është një problem kombëtar, ku dhjetra shtëpi botuese (tepër për një vend të vogël) interesohen vetëm për të marrë lekët nga autorët, pa siguruar redaktim të mirë madje as shpërndarjen e librave. Edhe në rastin e “Endrrës” së Vaskës, botimi nuk mban emrin e redaktorit, i cili duhej të ndjehej i turpëruar për shumë e shumë të meta të librit.

Po për të mos mbetur në kufijtë e një përgjithësimi dua të prek disa nga pasaktësitë dhe deformimet pa dashje të historisë nga autori-kushëri i imi.

Disa nga më thelbësoret janë rrjedhojë e leximit të Historisë të Shqipërisë (dhe asaj të Partisë) të përpiluara nga sektorët e propagandës së Diktaturës. Vaska ishte i detyruar t’i mësonte në shkollë edhe pse mund të kishte prirje antikomuniste dhe për fat të keq ato kanë mbetur në kujtesën e tij dhe janë hedhur edhe në libër. Kështu psh, Vaska 7-8 vjeçar kujton se(1941-42) flitej “për formimin e Partisë Komuniste” në një kohë kur deri në vitin 1943 as të rriturit nuk dinin nga binte Partia Komuniste Shqiptare dhe edhe deri disa vite pas luftës ajo fshihej pas Frontit nacional-çlirimtar.

Por më i deformuar është përshkrimi i pritjes “madhështore” që populli i Korçës ju bëri formacioneve ushtarake greke, të cilat kishin thyer ushtrinë e Duçes dhe hynë në Korçë më 14 nëntor 1940 (Vaska për çudi e vendos saktësisht më 22 shtator 1941). E vërteta është se edhe pse kalonte nga një pushtues i huaj në një tjetër, populli i Korçës nuk ishte aspak i entusiazmuar nga hyrja e grekëve. Traditat patriotike kishin qënë gjithnjë antigreke, sepse kishin qënë të rrezikuar nga politika e tyre vorioepirote aneksioniste. Në qytet vërtet kishte filogrekë, por numuri i atyre të gëzuar nga “hyrja e Grekut” ishte shumë i kufizuar. Edhe antifashistët (komunistë ose jo) nuk patën përkrahur kurrë hyrjen e ushtrisë së Metaksajt. Për më tepër, për një pjesë të popullsisë, koha e italianëve ishte “koha e bollëkut” ndërsa me hyrjen e grekëve u rritën vështirësitë ekonomike por dhe represioni. Shumë vite pas luftës, ata që e kishin jetuar Luftën e Dytë kujtonin ndryshimin e “kohës së italianëve” me “kohën e grekut” edhe pse kjo e fundit nuk zgjati as një vit.


(vijon)

No comments:

Post a Comment