(vijim)
Duke përmendur edhe njëherë gjallërimin ekonomik të Shqipërisë(socialiste) në vitet ‘60, duhet thënë se është periudha kur u bënë më shumë investime në ndërtim, dhe veçanërisht në objekte tregëtare-shoqërore-kulturore dhe jo vetëm në Tiranë. Për shembul biblioteka u ndërtuan në të njëjtën kohë në disa qytete kryesore, u projektuan dhe u ndërtuan disa kampe pushimi për punëtorët dhe disa shtëpi kulture. Një projekt i Qeverisë ishte ndërtimi në të njëjtën kohë i disa hoteleve në qendër të qyteteve, të cilat u quajtën “hotele turistike” dhe mendoheshin të ishin hotele të një klasi më të lartë, nga ata ekzistues. Paslufte nuk ishte ndërtuar asnjë hotel në Shqipëri, por përdoreshin ata të trashëguar nga periudhat e mëparshme dhe që ishin shtetëzuar.
Kështu krahas njëri-tjetrit u projektuan dhe ndërtuan hotelet në qendër të Shkodrës, Elbasanit, Sarandës dhe Korçës dhe pak vite më vonë ai i Tiranës (i famshmi 15 katëshi) dhe ai i Pogradecit.
Koncepti bazë vëllimo-panimetrik ishte i ngjashëm për të gjithë. Një ose dy katet e parë përfshinin mjediset e përbashkëta (restorant, bare, salla konference, mjediset ndihmëse) dhe një vëllim vertikal nga 6-9 kate me dhomat e fjetjes. Për herë të parë futeshin nyjet sanitare në shumicën, ose në të gjitha dhomat e fjetjes.
I ngarkuar me projektimin e Hotel Turizmit të Korçës ishte arkitekti korçar Koço Comi (i diplomuar në Poloni), që deri në atë kohë nuk kishte projektuar për qytetin e tij. Edhe Comi, si të gjithë të studiuarit jashtë punonte në Tiranë.
Projekti i Koços, ndryshonte disi nga projektet e tjerë dhe unë mendoj se ishte më i arrituri. Mjediset e përbashkëta ishin të gjitha në katin përdhe, me përjashtim të një minibari, që shërbente për tarracën-bar të katit të dytë. Po në katin përdhe, kishte dhe një oborr të brendshëm, element jo i hasur shpesh në projektet shqiptare të pasluftës.
Dhomat e fjetjes nuk ishin në një kullë të vetme, si në hotelet e tjera, por edhe në një bllok 3-katësh, i cili balanconte efektin shumë vertikal të kullës 9-katëshe. Zgjidhje shumë origjinale kishin dhomat e fjetjes, gjë që dëshmonte një nga cilësitë më të mira të ark Comit dhe që ishte trajtimi shumë racional dhe fin i planimetrive. Hoteli në fjaë u bë objekti më i rëndësishëm i qytetit, që dalohej nga larg nga aksi i rrugës së hyrjes nga Tirana dhe që përcaktoi edhe emrin e sheshit, që tashmë në gjuhën e përditshme quhej sheshi i Turizmit dhe jo i Teatrit si kishte nisur të quhej në vitet ‘50. Për fat të keq, pas ndryshimit të sistemit, ai pati ndarje pronësie dhe shtesa të tjera, që i kanë humbur çdo vlerë origjinale dhe e bëjnë thuajse të pamundur ta vlerësosh si një vepër të vetme arkitekturore.
Për fat të mirë, jo të njëjtin fat pësoi një objekt i një natyre të ngjashme dhe që është Kampi i Punëtorëve. Sigurisht që vendosja jashtë qytetit e ka ndihmuar “për të mos u përçudnuar”, por mbase rol ka luajtur edhe përdorimi i tij nga ing. Thanas Kote, një njeri me njohuri të mira ndërtimore dhe vlerësues i arkitekturës.
Kampi u ndërtua disa vite pas Turizmit dhe është vepër e arkitektit Mauricio Bega. I vendosur në një pikë dominuese mbi qytet, projekti i Begës ruan cilësitë e mira të projekteve të Kolevicës dhe Comit, që janë racionaliteti, zgjidhja e mirë planimetriko-vëllimore dhe proporcionimi i bukur i fasadave. Eshtë një tjetër objekt i projektuar në Institutin e Projektimeve në Tiranë dhe që i qëndron shumë mirë kohës. Mauricio projektoi edhe Pallatin e Sportit, i cili gjithashtu është i zgjidhur shumë mirë si vëllim dhe planimetri dhe ka një konstruksion elegant dhe jo shumë të shtrenjtë të mbulesës së hapësirës së tij të madhe. Konstruktor i tij është inxhinieri me origjinë korçare, Roland Poloska. Pallati u përurua në vitin 1976 dhe ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për sportistët dhe sportdashësit, pasi jo rrallë ndeshjet e lojërave me dorë zhvilloheshin në fusha me baltë ose të mbuluara nga dëbora.
Por mesi i viteve ‘70 pati edhe një tjetër ngjarje të rëndësishme për projektimet arkitekturore në Korçë. Filloi punë në Zyrën e Urbanistikës, ark. Vangjush Bellani, një nga arkitektët e parë të diplomuar në Universitetin e Tiranës. Për fat të keq, ndoshta nga mungesa e një arkitekti-mentor, apo dhe nga kufizimet e tij profesionale, Bellani nuk mundi të projektojë diçka të rëndësishme as në vitet ‘70. por as edhe më vonë. Por duhet shënuar si një “gur kilometrik” në rrugën e projektimeve të periudhës komuniste.
(vijon)
No comments:
Post a Comment