Sunday, 25 January 2026

Janari i 40 viteve më parë (fund)

 


(vijim)

Ndërsa shkonim bashkë me Klitin në ndërmarje të ndryshme të qytetit, për të parë ç’lloj prodhime mund të përmbushnin kriterin e mbështetjes në traditën popullore shqiptare, vizituam edhe Ndërmarjen e Prodhimeve të Ndryshme ku mendonim se mund të gjenim rrogozë, zile bagëtish ose objekte utilitare qeramike, të cilat ishin objekte që na duheshin. Nuk jam i sigurt nëse dinim për punimet e Vasi Kolevicës, por mundësia më e madhe duhet të jetë që një nga drejtuesit na shpuri pranë tornos së tij. E kujtoj që ishte një mjedis i errët dhe plot lagështi, aspak komod për të punuar. Me Vasin ishim moshatarë dhe njiheshim pak nëpërmjet shokëve të përbashkët, por ai pat nisur herët të punonte dhe dukej më i rritur se unë. Hallet familjare e kishin detyruar të punonte shumë dhe të burrërohej para kohe. E kisha ditur që ishte poçar dhe që bënte normën pagdhirë për tu kthyer në shtëpi të mbante vajzat e tij të vogla, por nuk dija rreth cilësisë së punëve të tij.

E mbaj mend mirë, që nuk e priti me shumë dashamirësi vizitën, ndoshta për shkak të atij (ose asaj) që na shoqëronte, por më vonë u tregua më i hapur dhe na tregoi jo vetëm se ç’po bënte, por edhe se ç’mund të bënte. Ne vërtet u habitëm dhe ndjemë se bëhej fjalë për eksponate që do e ngrinin shumë nivelin e Ekspozitës. Unë e pëlqeja shumë terrakotën e pa glazuruar dhe i kërkuam Vasit (dhe përgjegjësit të tij), që të prodhonte sa më shumë objekte që ishte e mundur. Ndoshta atje edhe prekëm edhe problemin e mundësisë të pjekjes në ndonjë furrë më të madhe në fajancë (Ndërmarja e Prodhimeve Hidrosanitare).

Me Klitin vendosëm që salla e ekspozitave të përkohshme të ishte e gjitha për objektet e Vasit. Ja përmendëm këtë Gjergji Cikopanit (atë kohë sekretar i Komitetit Ekzekutiv), që ishte njeriu i angazhuar tërësisht me Ekspozitën. Duhet të theksoj se pa angazhimin e tij të plotë dhe lënie të dorës së lirë për ne, Ekspozita nuk do kishte suksesin që pati. Ja kërkuam Gjergjit me një lloj pasigurie, sepse unë e dija që piktori Dhimitraq Kolevica (i jati i Vasit) kishte qënë i dënuar për tentativë arratisjeje shumë vite më parë. Ishte ajo “njollë“ që e kishte detyruar Vasin të punonte që kur ishte 15 vjeçar dhe më pas të bënte ushtrinë në brigadat e xhenjos. Sekretari i Komitetit nuk pati asnjë hezitim.

Vasi e tejkaloi pritshmërinë tonë. Objektet e tij të qeramikës ishin të larmishme dhe të punuara me shumë shije. Pavioni i tij ishte pika kulmore e gjithë Ekspozitës. Ishte edhe një nga pikat kulmore të Ekspozitës Kombëtare të hapur në Shkodër, ku u nderua me çmimin e parë, po njëlloj edhe si e gjithë Ekspozita e Korçës.

Nuk di nëse “lançimi” i tij si artisti më i mirë i qeramikës utilitare dhe më vonë si një nga më të mirët e qeramikës artistike në Shqipëri i pati rrënjët në atë janar të para 40 viteve. Jam gjithashtu i sigurt që ne nuk e njihnim si artist të qeramikës. Pak kohë para se ta takonim, i pata kërkuar skulptorit qeramist Vladimir Topi (me të kisha bashkëpunuar tek Lapidari i Cifligut) të bënte një basoreliev për hyrjen në pavionet e Katit të Dytë të Ekspozitës, basoreliev që Ladi e realizoi bukur. Ndoshta Vasi me Ladin njiheshin dhe bashkëpunonin, por këtë ne nuk e dinim. Ndoshta Kolevica ishte i largët edhe për Repartin e Qeramikës të Artistikes, ku punonin disa artistë korçarë të arteve figurative dhe ku modelet krijoheshin kryesisht nga qeramistja Zana Erzeni. Nuk kujtoj të kemi bashkëpunuar me Zanan dhe të tjerët për Ekspozitën e Kulturës Popullore.

“Shpërthimi “ i Vasit do kishte ndodhur edhe pa Ekspozitën e Kulturës Popullore sepse ai kishte cilësitë më të mira të cilat i duhen një artisti të sukseshëm. Talentin dhe vullnetin për punë. Por ndoshta edhe “ndodhja në vendin e duhur në kohën e duhur” ka luajtur një rol. Edhe prania e pushtetarëve jo mendjengushtë si Gjergji Cikopani.

Vasillaq Kolevica njihet tashmë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende europiane. Unë nuk i kam marrë leje për të bërë këtë shkrim dhe as e kam pyetur se ku janë veprat e tij në Ballkan dhe në Europë. As për çmimet kombëtare dhe ndërkombëtare që mund të ketë marrë. Di vetëm se ka 40 vjet që nuk lodhet së punuari dhe që ruan thjeshtësinë dhe ndjenjën e mirënjohjes si ndodh zakonisht vetëm me mjeshtrat e artit. Për fat të mirë ai nuk punon më në një mjedis të errët dhe plot lagështi si punonte në janarin e 40 viteve më parë.

No comments:

Post a Comment