Hedhja në “treg” e një materiali bruto, ka një avantazh të madh, se ekspozohet ndaj shumë lexuesve, disa syresh të informuar më mirë se unë rreth temës që trajtoj. Vërejtjet, kundërshtimet apo pohimet e tyre bëjnë të mundur, që materiali të “rafinohet” dhe të dalë më pranë të vërtetës, kjo më shumë për datat dhe ngjarjet, se interpretimi i arkitekturës do mbetet subjektiv. Nuk mund të ketë kurrë një vlerësim objektiv të saj. Si në shumë rryma të artit, opinionet variojnë nga formimi i opinionistit, nga prirjet estetike tëtij dhe një kohësisht nga njohuritë. Pra ka tre variabla, të cilat detyrimisht do sjellin opinione nga më të ndryshmet. Një kolegu i pëlqen Kolevica më shumë se Bega, një tjetër preferon arkitekturën “harmoniike” në vend të asaj të “kontrastit”, dikush mund të jetë edhe i opinionit se gjithshka e vjetër duhet rrafshuar dhe mbi gërmadhat e saj të ngrihet e reja urbano-arkitekturore.
Për mendimin tim e rëndësuishme është që opinioni të shprehet me bindje dhe me sinqeritet, pa u trembur nëse mund të jetë i gabuar, apo më keq akoma se mund të lëndohet x profesionist, apo y përkrahës i një rryme të caktuar arkitekturore.
Psh një nga korrigjimet e para më erdhi nga ing. Thanas Kote, i cili më sqaroi se mbulimi i Lumit të Korçës, nuk ishte rrjedhojë e një studimi urbanistik (unë mendoja se diçka e tillë duhet të ishte bërë në Tiranë rreth fundit të viteve ‘50). Historia ishte më e thjeshtë dhe më banale. Pas tërmetit të vitit 1960, kur në qytet kishte shumë mbeturina ndërtimore për shkak të shkatërrimeve, Komiteti Ekzekutiv i Rrethit gjeti një zgjidhje të shpejtë dhe me pak kosto, duke depozituar gjithë mbeturinat në shtratin e lumit (mbi një kolektor për ujrat e pjesshme të përroit) me qëllimin që shtrati i lumit të kthehej në rrugë për kalimin e makinave dhe këmbësorëve. Kryetar i Komitetit në atë kohë ishte Myftar Grabocka.
Vërejtje dhe korrigjime më të hollësishme më bëri mentori im, doktori i shkencave ing Pirro Thomo. Ai i mëshoi faktit që Pazarin e shpëtoi një grup shkencëtarësh, ku bënte pjesë dhe ai, ndërsa ajo ç’kisha shkruar unë për rolin e Hoxhës ishte një legjendë urbane e pavërtetë!
Më i detajuar ishte shpjegimi i tij i historisë të projektimit dhe zbatimit të Muzeut të Artit Mesjetar, të cilin unë e quaja “dështim” në shkrimin tim (një opinion që unë për fat të keq e kam të pandryshuar). Duke paraqitur disa argumenta arkitekturore dhe historike, si edhe një numur të madh vlerësimesh të lëna në librin e përshtypjeve, Pirroja hidhte poshtë opinionin tim. Gjithashtu nënvizonte se shtesat e domosdoshme per funksionimin e Muzeut, ishin projektuar me kujdes që të mbulonin por mos dëmtonin detajet e kishës, në rast të një rikthimi të mundshëm në funksionin fillestar. Pikërisht në vitet e terrorit të pas 1973, Pirroja dhe shokët e tij kishin largpamësinë e rihapjes së tempujve fetarë!
Për fat të keq, Muzeu i Artit Mesjetar, në eksterier kishte vlerat arkitekturore të një shtëpie kulture të një qyteti të vogël shqiptar të asaj kohe. Diçka më tepër se një dështim.
Po në atë pjesë, ing.Thomo nënvizonte faktin se roli tepër negativ i Hoxhës pas vitit 1967, ishte ai i kërkesës për reduktim të ndërtesave të kultit në 70% të ekzistuesve, por në sajë të rezistencës së madhe të Aleksandër Meksit, Theofan Popës dhe vetë Pirros u arrit që ky numur të shkonte në 80%. Nga kjo patën pasoja të rënda dy të fundit.
Kam përshtypjen se mentori im është ende nën mbresat e kohës së Diktaturës, kur Partia shtirej se çdo gjë i ishte lënë në dorë të specialistëve dhe roli i vetëm i saj ishte t’ju hapte sytë me mësimet e materializmit dialektik dhe historik. E vërteta është, se jo vetëm Diktatori, por edhe të tjerë poshtë tij, ndërhynin shumë në çështjet e arkitekturës dhe urbanistikës. Dihen rastet e ndërhyrjeve arrogante të Mehmet Shehut, Spiro Kolekës dhe Hysni Kapos për të përmendur disa syresh. Shpesh edhe “agallarët” vendorë fusnin hundën në gjëra që ju takonin profesionistëve. Shembuj përplasjesh të tyre me specialistët ka patur plot. Por njëkohësisht ka patur raste që ata edhe mund të sugjeronin diçka të mirë. Padyshim që sugjerimet (vendimore) më shumë se cilido tjetër, i ka dhënë vetë Diktatori. Në rastin e Korçës ka patur disa prej tyre.
Unë vërtet nuk kam qënë i pranishëm në ato biseda dhe nuk ka as dokumenta që të vërtetojnë nëse ka qënë Dulla që ka sugjeruar që të themi MAM të ngrihej në Korçë apo që të ndërtohej Parku Rinia, atje ku ndodhet edhe sot etj.etj.. Edhe dëshmitarët okularë të bisedave apo mbledhjeve tashmë janë të pakët. Më shumë mund të bëhet duke gërmuar në arkiva, por në rast se ka “vendime” të tipit “O Myftar këtë objekt që kini nisur këtu nuk e kini mirë, po ta bëni në filan vend tjetër!” sigurisht që do ju referohem “legjendave të besueshme” duke i përmendur në libër si të tilla.
Sa më shumë thellohem në këtë temë dhe sa më shumë biseda kam rreth saj, më shtohet bindja se është një periudhë me shumë e shumë “dritë hije”.
Ndaj dhe korrigjimet e variacionet mbi këtë temë do vazhdojnë edhe në të ardhmen.
No comments:
Post a Comment