(vijim)
Një prirje për të parë me simpati “flamurin e bukur bardh e blu” e bën autorin të deformojë një ngjarje të mirënjohur nga i gjithë qyteti dhe që në legjendat urbane quhet “hapja e kazermave të grekut”, Nuk është diçka që e nderon popullin e Korçës, por dëshmon për kaosin e kohëve kur ka vakum pushteti. Pasi gjermanët filluan të hynin në Greqi ushtria greke në Korçë u tërhoq me shpejtësi për të mos u ndodhur mes dy zjarreve dhe la në mëshirë të fatit magazinat e saj të mbushura me ushqime dhe materiale të tjera. Fjala u përhap në mëhallat pranë kazermave dhe njerëzit u lëshuan dhe i plaçkitën. Vaska e kujton si bamirësi të administratës greke ndaj popullit të Korçës.
Avokati im në Lion më ka sugjeruar disa herë të jem më pozitiv në shkrimet rreth veprave letrare, ngjarjeve artistike dhe personaliteteve të artit. Ai thekson se më e rëndësishme është vënia në pah e anëve të mira dhe jo të metave të një vepre. Edhe pse nuk jam i sigurt nëse këshillën ma ka dhënë për të më mbrojtur mua nga ndonjë proces i mundshëm për shpifje dhe defamacion (mbrojtjen e të cilës ai do e bëjë pro bono) apo se e gjykon që jam më tepër kritik se sa duhet.
Por edhe në rastin në fjalë unë nuk po e ndjek këshillën e tij, sepse shkrimi nuk është një analizë e veprës së Kolacit, por një lloj ilustrimi me shembuj prej saj të idesë se ç’lloj “marifetesh na krijon padashur kujtesa”.
Si shihet edhe në foto, kushëriri im Vaskë ka qënë në rini shumëi pashëm. Gjithashtu kishte dhe një trup atleti. Edhe sot që ka lënë të 90-tat ai është ende një burrë i bukur në prag të mbushjes së shekullit të jetës së tij. Ai nuk përmend në libër një dëshirë të fshehtë për të pasur karrierë në Hollivud, por mendoj se në rini edhe mund ta ketë menduar. Ndaj edhe në një pjesë të librit ku flet për rininë e tij dhe vizitat në Tiranë prek i entusiazmuar rolin e Kinostudios “Shqipëria e Re” në rritjen e jetës kulturore në vitet ‘50 dhe ‘60.. Në fakt Kinostudioja në ato vite nuk arrinte të bënte as edhe një film në vit. Kinematë (edhe pse plot) shfaqnin vetëm filma sovjetikë, ndonjë film të neorealizmit italian, disa filma historikë francezë dhe filmin indian“Vagabondi”, që ishte edhe më i ndjekuri. Ndryshe nga vitet e paraluftës, kur shqiptarët mund të ndiqnin në kinema filmat më të mirë të Hollivudit dhe studiove me famë të Europës.
Shpesh mes faqeve të librit, më shkon mendja se Vaska e ka shkruar “Endrrën” duke qënë në ëndërr. Ka pasaktësi nga më të rëndomtat, shumë nga të cilat nuk i kalojnë dot edhe një filtri logjik krejt mesatar. Disa here përmend se u përndoq nga që vinte nga një shtresë tregëtarësh të pasur, kur e vërteta (që pasqyrohet edhe në pjesë të librit) është se edhe i jati i tij Petraq Kolaci dhe i gjyshi, Miti Treska ishin tregëtarë të një niveli mesatar. Miti (vëllai i gjyshit tim) arriti të shtonte pasurinë kryesisht në vitet e luftës, kur për nevojat e një ushtrie italiane të madhe të dislokuar me synimin për të hyrë thellë në Greqi ata nisën të bënin në shtëpi nga vera, në sapunët, petullat e deri në çdo gjë që mund të shitej. Ai kishte një bakallhanë të zakonshme në Pazar, por merrej edhe me kambizëm dhe me çdo lloj tregëtie që sillte fitim. Kryesisht furnizonte tregun e Korçës me agrume. Petraqi bente në dyqanin e tij këpucë për fshatarët dhe tregëtonte dhe ndonjë material për këpucëbërësit e tjerë. Që kur ishte martuar rrinte dhëndër brenda në një shtëpi të vogël, pronë e të vjehrrit dhe kështu deri në fund të luftës. Shtëpinë e tij të ndërtuar në vitet ‘30 e kishin lëshuar me qera në një inxhinier italian dhe merrte një të ardhur të mirë.
Në mënyrë të çuditshme Vaska shkruan se në kohën e rinisë dhe adoleshencës së tij, në gjimnaz mund të hynin vetëm fëmijë nga familjet me përbërje të mirë politike, ndërsa të tjerët detyroheshin të shkonin në shkollën pedagogjike ose në ato profesionale.
(vijon)

No comments:
Post a Comment