Sunday, 11 January 2026

A ishte viti 2025 fillimi i një periudhe të errët për Njerëzimin?


Në fillim të këtij viti, disa nga shënimet e mija në blog, kishin një frymë pesimizmi rreth ngjarjeve të mundshme në arenën ndërkombëtare. Kjo për shkak të asaj ç’kishte treguar Trump gjatë mandatit të parë si president dhe retorikës së tij në fushatën e fundit presidenciale.

Parashikoja inkurajimin e shteteve që drejtohen nga autokratët, rritjen e tensioneve në rajone të ndryshme të botës dhe shtimin e luftrave si rrjedhojë e tyre. Vetë koncepti i MAGA-s (ta bëjmë Amerikën sërish të lavdishme), nëse aplikohet nga të gjitha fuqitë e mëdha dhe të mesme botërore nuk mund të sjellë asnjë të mirë veç konflikteve të vazhdueshme.

C’farë ndodhi në të vërtetë?

Jo vetëm që autokratët si Putin, Erdogan, Netanjahu, Bin Salman e të tjerë u ndjenë më mirë nga drejtimi që morri politika e jashtme amerikane, por armatosjen “deri në dhëmbë“ filluan ta bëjnë edhe shtete të njohura pacifiste si Gjermania, Japonia, Kanadaja, Spanja dhe vendet skandinave. Erërat e luftës nisën të frynin jo vetëm tek fqinjët e Rusisë, por edhe në Gjermani, Angli, Francë, si edhe në Japoni, Kore dhe Filipinet. Në Lindjen e Mesme, Ballkan dhe në Kaukaz ato fryjnë dhe janë shqetësuese prej shumë vitesh.

Të quajturat klane ushtarake-industriale u bënë edhe më të fuqishëm dhe në bursat botërore letrat me vlerë të kompanive që prodhojnë paisje luftarake u rritën ndjeshëm.

Dhe nëse buxhetet ushtarake rriten, kjo nuk është shenjë se Paqja është e qëndrueshme, por se vatrat e luftës do rriten dhe rreziku për një konflikt të armatosur botëror shtohet.

Armatosja për të mbrojtur Paqen (slogan i shumë qarqeve politike) është një dëngël!

Nëse prodhohen gjithnjë e më shumë tanke, avione luftarake, raketa dhe kallashnikovë, këto nuk do mbahen stoqe, por do përdoren, për të vazhduar prodhimin dhe për të shtuar fitimet e atyre që kontollojnë këtë industri dhe politikat shtetërore.

Dobësimi i madh i Institucioneve Ndërkombëtare (duke nisur me OKB-në) është gjithashtu një faktor shtesë në rritjen e konflikteve dhe mosparandalimin e tyre.

Rolin e sherifit botëror e ka marrë me zell të madh Trump që pretendon se ka ndalur 4 luftra të nisura dhe 5 të tjera që do nisnin së shpejti dhe për këtë kërkonte me ngulm Cmimin Nobël për Paqe! Dhe pikërisht njeriu që ka nisur luftën ndaj Venezuelës duke rrëmbyer Maduron në bazë të fakteve disi të dyshimta, dhe që kërcënon se do bombardojë Meksikën dhe Kolumbinë për të shkatëruar kartelet e drogës. Njëkohësisht hapur po shfaq sërish synimet konkrete për të aneksuar Groelandën.

Shumë rrezikshmëri paraqet dokumenti i fundit i administratës për Sigurinë Kombëtare, ku mes drejtimeve të politikave kryesore ëdhtë një kundërvënie e plotë ndaj demokracive liberale europiane, që janë edhe shoqëritë më të përparuara dhe më njerëzore të botës së sotme,

Reagimi botëror ndaj sjelljes dhe politikave të Trump përgjithësisht ka qënë konfuz. Edhe pjesa më e madhe e aleatëve të Amerikës kanë pasur qëndrime kontradiktore duke mos ditur si të rreagojnë ndaj këtij “demi të tërbuar”, që po shkatërron rendin botëror, të cilin vetë Amerika krijoi pas Luftës së Dytë Botërore dhe që i shërbeu asaj më së miri, por edhe Njerëzimit në përgjithësi, pavarësisht nga “kusuret “ jo të pakta.

Njerëzimi ndodhet në një udhëkryq të vështirë, dhe që ndërlikohet nga politika e vendit më të pasur dhe me fuqinë ushtarake më të madhe. Si do veprojë nëse amerikanët fillojnë të drejtojnë de facto ekonominë e Venezuelës dhe më pas atë të Kubës? Si do reagojë nese Trump hyn forcërisht apo me blerjen e referendumit të pavarësisë në Groenland?

Për fat të keq Europa është plotësisht impotente. Rusisë kjo sjellje e Trump i vjen pas shtatit për të vepruar po njëlloj në ish-republikat sovjetike. Po ashtu edhe Kinës, që me durimin e tyre të zakonshëm do shtojnë kontrollin në Azinë lindore dhe në Afrikë. Pra lojtarët kryesore po sillen fshehtazi dhe hapur si kolionalistë të rinj. Le të kemi tre perandori të reja koloniale si dikur Anglia dhe Spanja dhe deri diku Franca, Portugalia dhe Otomanët!! Me një fjalë të gjitha prurjet pozitive të pasluftës së Dytë për të drejtat e popujve dhe vendeve të vogla e të mëdha të hidhen në koshin e plehrave sepse Trump dhe idiotët që e ndjekin (përfshi këtu komunitetin shqiptaro-amerikan) duan që Amerika të bëhet sërish e lavdishme.

Unë ende besoj në energjitë pozitive mendore dhe shpirtërore të pjesës më të madhe të Njerëzimit dhe sidomos të popullit amerikan, që të ndalë këtë kthesë tepër të shëmtuar e të rrezikshme të jetës ndërkombëtare,

Në të kundërt një epokë e errët për ne dhe fëmijët tanë na pret!

No comments:

Post a Comment