Ne korçarët jemi “të zhurritur” për masa të mëdha uji. Që kur na thanë Gjolin e Maliqit (që ishte kënetë) kemi mbetur pa një lumë a liqen të rëndësishëm pranë. Ndaj në subkoshiencë na vërtiten ura të varura, anije me vela, kryqëzorë dhe nëndetëse, si dhe plazhe pambarim. Se në “hauska” futeshim në behar për të mësuar pakëz not, që dhe atë nuk e mësuam për të qënë. Aq të shtënë ishim pas ujit, sa në një intervistë të fundit, korçari më i pasur ose Zamiri I Bitijes, tregonte që shkonte me urban deri në Maliq dhe që atje nisej më këmbë për në Pogradec për të mësuar not. I binte rrugës automobilistike apo mezhdave për shkurt, këtë nuk e saktësonte dhe nuk e kishte pyetur as gazetarja, që me siguri nuk ishte nga anët tona pa gjol.
Aq i duam vaporët, varkat dhe varkëtarët, sa dhe kënga jonë
më e njohur është ajo “Mbaje varkën varkaxhi!”. E kemi kënduar dhe e këndojmë
me shumë dert, se ëndërronim të kishim një liman.
Ndaj dhe më të lidhur me limanet dhe varkat janë mjeshtrit
tanë të muzikës. Një kantautor shumë i njohur, që nuk di not, njoftoi këto ditë
se “zbarkoi” në Korçë një mjeshtër i sektorit të këngëve dhe të dy palët do
diskutojnë planet artistike të së ardhmes. Kanatautori nuk e di që “zbarkim” përdoret
për ata që zbresin nga vaporët në zonat e pushtuara nga armiqtë. Kështu të paktën
e ka Fjalori. Kantautori nuk besoj të dijë as meselenë-shaka të viteve ’60, kur
një tjetër mjeshtër i muzikës ra preh e një rengu. Kompozitorit dhe dirigjentit
Rikardo Jorganxhi i thanë që në Dunavec kishte mbërritur Flota e Gjashtë
Amerikane. Për hir të së vërtetës Flota e Gjashtë vërtitej nëpër Mesdhe dhe këtë
e dinte mirë Rikardoja, por vetëm që nuk dinte dimensionet e aeroplanmbajtëseve
ndaj dhe mori biçikletën dhe u degdis në Ura e Dunavecit. Flota e Gjashtë nuk
ishte.
Sigurisht që ëndërra e korçarëve të shumëvuajtur, që merren
me muzikë ose me të tjera degë të artit dhe kulturës do realizohet një ditë dhe
për këtë punojnë pa rreshtur çdo ditë Zamiri, Rilindasit dhe gjithë ujëdashësit
e tjerë dhe herët a vonë do kemi një gjol të lagim noçkat. Mund të bëhet fare
mirë me Partneritetin Privat Publik dhe me me bekimin e Paput, Myftiut dhe Babait
të Teqesë.
Më pas do presim gjigandët në Limani dhe do nisemi me varkën
më të parë për në brigjet e Lumturisë!
No comments:
Post a Comment