Unë përpiqem të përsiat, por nuk shkoj dot thellësive të trurit.
Thellësitë e trurit janë më të frikshme se humnerat e
Alpeve.
Humnerave të Alpeve gjatë shkrirjes së akujve ndeshen
gjithnjë e më shumë kokalla njerëzish.
Kokallat e njerëzve janë të bardha , të frikëshme dhe nuk të
thonë asgjë.
Nuk të thonë asgjë edhe shumë njerëz, që takon rrugës,
kafeve, mbrëmjeve festive dhe që i fshehin mendimet e tyre.
Mendimet e tyre i fshehin skuthat, intrigantët, ata që nuk
duan të të lëndojnë, ata që ju tremben mendimeve të tyre, pak a shumë të gjithë.
Pak a shumë të gjithë e vuajnë mungesën e lirisë që të sjell
fshehja e mendimeve, nëse do përjashtojmë skuthat dhe intrigantët.
Skuthat dhe intrigantët janë dy kategori njerëzish për të
cilët nuk duhet të harxhosh kohën.
Nuk duhet të harxhosh kohën për njerëz, ngjarje dhe dukuri që
dashur padashur të krijojnë energji negative.
Energjia negative në raportet mes njerëzve apo dhe në
psikologjinë e tyre nuk është diçka e provuar shkencërisht dhe megjithatë ke përshtypjen
se ekziston objektivisht.
Ekziston objektivisht edhe dashakeqësia, por a ka qënë “nëpër
këmbë“ edhe kur nuk ka patur njerëz?
Kur nuk ka patur njerëz nuk dihet se si ka qënë bota, se veç
mund të hamendësojmë.
Mund të hamendësojmë për shumë e shumë dukuri dhe përsëri
rrezikojmë të “qorrollisemi” humnerave të trurit.
No comments:
Post a Comment