Nuk di se ku është huajtur kjo shprehje – në thesarin e pashtershëm popullor, në ndonjë vepër të sho Enver a është përkthim i ndonjë shprehje latine. Gjithsesi, ajo ishte cituar shpesh nga brezi para nesh, se duket do kishte qënë e preferuara e ndonjë mësuesi të ushtarakes.
Më erdhi nga thellësitë e kujtesës, kur lexova që tre agjentë
rusë (në një nga mediat tona thuhej edhe që ishin sekretë, thua se ka dhe
agjentë jo sekretë) ishin kapur ndërsa tentonin të hynin në uzinën e armëve në
Gramsh. Kurrsesi nuk dua të thjeshtoj rëndësinë e çështjes, për të cilën
shpjegoi qartë edhe Ministri I Mbrojtjes, që nuk mund të trajtohet si një
incident i thjeshtë. Me gjithshka që po ndodh në Europën Lindore dhe në
Ballkan, kjo s’mund të jetë gjë tjetër veç një përpjekje për destabilizim. Po përgatitet
të ndodhë diçka e madhe në një të ardhme të afërt, kjo nuk mund të thuhet me
siguri, por ndjehet në atmosferë.
Kështu nis - agjentët (sekretë) në fillim fotografojnë
objektet ushtarake, pastaj tentojnë të hyjnë për të parë se çka brenda dhe pasi
marrin të plotë informacionin planifikojnë goditjen.
Po ç’prodhohet në uzinën sekrete të Gramshit, që donin të
fotografonin agjentët sekretë?
Përsëri duke ju referuar mediave tona, në uzinë prodhoheshin
AK-47 që ne na i mësuan t’i bëjmë sovjetikët, por duket që rusët nuk besojnë
plotësisht në mediat tona. Diçka më e rëndësishme prodhohet atje. Por është sekret.
Në vitin 1997 nuk mbeti depo ushtarake pa u bastisur dhe bazë
ushtarake pa u braktisur, dhe banditët dhe kriminelë shtinë në dorë gjithshka që
mund të shitej, por asnjëherë këto të dhëna nuk ja u dhanë armiqve tanë
tradicionalë, rusëve dhe sërbëve. Të mrekullon dhe të bën të ndjehesh i sigurt
patriotizmi i popullit tonë dhe sidomos funksionimi i institucioneve tona
ushtarake. Se vërtet kemi një administratë thellësisht të korruptuar, por kur
vjen puna në çështjet e sigurisë kombëtare të marrim gjak në vetull dhe nuk ka
pepper spray të na verbojë.
Gojët e liga dhe qentë që lehin mund të thonë se Rama me
Peleshin e sajuan vetë këtë incident për t’i treguar Amerikës dhe NATO-s që jo
vetëm mund ta ndërtojmë Bazën në Porto Romano pa futur asnjë lekë në xhep, por
jemi edhe në gjendje ta ruajmë të pacënuar. Unë jo vetëm që nuk i besoj lehësit,
se është fakt që spiunët e Putin u kapën
me presh në dorë dhe shpejt do dalin para gjyqit dhe do marrin dënimin e
merituar, por i hedh poshtë me indinjatë gjithë sajimet që duan të njollosin
qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe nëse kanë futur diçka në xhep nga këto
të takspaguesve e kanë bërë vetëm e vetëm që të jenë të motivuar për të mbajtur
sa më lart vigjilencën.
Kalanë tashmë e kanë të tyren!
No comments:
Post a Comment