Thursday, 25 August 2022

Ne dhe stereotipet


Dikur, në vitin e largët 2013, pata shkruar një shënim të shkurtër të titulluar “Ne, viktima të imazheve”, ku përmendja tre dyfjalësha që më bënin të gajasesha, kur i kisha dëgjuar. I përmendja me hollësi se në ç’rrethana i kisha dëgjuar dhe nënvizoja faktin që ne nuk jemi “mendjehapur” se na çuditin ose bëjnë për të qeshur përcaktime që dalin nga korniza e një shablloni të caktuar. I pari ishte partizani dembel, që në kohën kur e komentonte një miku i im i vjetër mund të shkoje edhe për ndonjë hetim në birucat famëkëqia të Degës së Brendëshme; i dyti ishte gjyshja dëshmore, që edhe ky i komentuar dhe stërholluar në vitet ‘80 mund të të sillte ndonjë përjashtim nga shkolla; ndërsa i treti, putanë arbëreshe, ishte i kohëve të lira, madje rrjedhojë e një ngjarje të jetuar në Amerikën e Veriut.

Nuk di pse shënimi im i postuar atëhere në facebook solli shumë përdredhje buzësh dhe shprehjen e revoltës nga arkitekti Lyti nga Kukësi, që edhe vetë si togfjalësh , nëse je mendjembyllur, tingëllon jo shumë i besueshëm, madje edhe pak qesharak. Pse mendja jonë pranon menjëherë arkitekt Klement nga Tirana, ose arkitekt Tani nga Durrësi, por reagon mosbesuese nëse dëgjon arkitekt Lyti nga Kukësi, a thua se është e pamundur të ketë një të tillë? Përgjigja më duket qëndron në programimin që na kanë bërë të mendjes mbi bazën e stereotipeve. Dhe për këtë kanë faj prindërit, mësuesit, edukatoret, klerikët, poetët, punëtorët socialë, deputetët, historianët, spikeret e televizionit, tutorët, këshilltarët dhe patjetër edhe veteranët e luftës.

Edhe tani, kur vitet më kanë mësuar se në këtë jetë çdo gjë është e mundur dhe sidomos njerëzit janë të ndryshëm, me karaktere komplekse, me virtyte dhe vese bashkë ndaj nuk ka përse t’i shohësh sipas një profile të caktuar qoftë psikologjik, profesional, etnik apo historik, përsëri druhem të shkruaj dhe botoj tregime, esse apo novela rreth personazheve atipike. Eshtë një lloj letërsie që më pëlqen, por kur filloj dhe shkruaj mendja më rri se si do e presin lexuesit dhe a janë gati për këtë lloj zhanri. Ndaj dhe nuk i hedh ende në blog tregimet “Dentisti dhëmbërënë“, “ Eskimezi dhe gamilja e tij”, “Prifti shurdhmemec” dhe disa të tjerë, që të gjithë të kësaj natyre.

Por ajo që më mundon më shumë prej disa vitesh, është që nuk jam në gjendje të përfundoj essenë historike “Impotenca e Skënderbeut”. Nuk është vetëm frika se do më quajnë antikombëtar, agjent të sërbëve dhe grekëve, islamofil dhe Erdoganist. Nuk do më besojë lexuesi i thjeshtë edhe pse në esse nuk do ketë vetëm hamendësime plotësisht të llogjikshme, por edhe citime nga dokumente të gjetura në Bibliotekën e Doxhëve në Venecia dhe në Bibliotekën e Vatikanit. Për ne shqiptarët kryetrimi Skënderbe është sinonimi i forcës, zgjuarsisë, vullnetit, bujarisë, ndershmërisë, sinqeritetit, liridashjes, besimit në fitore, strategjisë ushtarake dhe padyshim edhe i potencës seksuale. Ndaj edhe kur na lindin pyetjet- pse u martua në moshë të shtyrë dhe pse bëri vetëm një djalë, ne druhemi t’i bëjmë me zë të lartë apo të gërmojmë në libra dhe dokumenta nga frika se mos gjejmë ndonjë të pabërë në jetën e Heroit tonë Kombëtar.

Edhe Skënderbeu legjendar ishte njeri. Gjatë viteve të kaluara në stërvitje ushtarake dhe beteja të panumurta  mund t’i ishte krijuar ajo që e quajmë “impotencë“ nga që mendonte vazhdimisht për atdheun, nga ndonjë plagë e mundshme në testikulat, nga ndonjë sëmundje veneriane e marrë në kuplaratë e Edrenesë dhe qyteteve të tjera që pushtonin turqit, por edhe mund të kishte lindur i tillë. Një fakt i tillë nuk e bën më pak legjendar dhe as nuk i heq aureolën e përjetshme që ka rreth përkrenares së tij me dy brirë dhie dhe jo prej cjapi.

Problemi është se trurin na i kanë strukturuar gjatë viteve me stereotipe dhe nuk jemi në gjendje të gëlltitim lehtësisht që Lenini gënjente, Ismail Qemali mbante edhe një të dashur pas kur udhëtonte me familjen, që Marksi kishte bërë fëmijë ilegalë dhe që Skënderbeu për një periudhë ishte impotent.

No comments:

Post a Comment