Të dyja janë të konsideruara si ndjenja negative edhe pse “frika” është një ndjenjë e natyrshme,të cilën e kanë të gjitha gjallesat. Frika është nga ndjenjat më të komplikuara, që na mbron nga të gjitha rreziqet në jetë, por shpesh në psikologjinë e shoqërisë konceptohet në një sens të keq dhe që shpreh dobësi. Frikacakët janë përqeshur gjatë gjithë historisë të folklorit dhe letërsisë botërore.
Urrejtja, ndër ndjenjat më të errëta të qënies njerëzore, çuditërisht
është trajtuar më lehtësisht dhe shumë herë është quajtur si një ndjenjë
fisnike. Urrejtja për armiqtë, urrejtja për keqbërësit, urrejtja për veset etj.
Po urrejtja jo vetëm është e verbër, por e dëmshme si për shoqërinë njerëzore, edhe
për njerëzit, që e mbartin në një shkallë të pazakontë. Ka studime mjekësore-psikologjike,
që e mbështetin këtë të fundit.
Ndaj duhet të kemi
frikë nga urrejtja.
Për brezin tonë, të brymosur në shkollat e mbushura me propagandën
e Partisë së Punës kjo është e vështirë. Na kishin mësuar me urrejtje për
fashistët, kapitalistët, revisionistët, klerikët, borgjezët, diversantët dhe
shumë armiq të tjerë dhe gjoja na kishin ushqyer me dashurinë për popujt, që
ishte një dashuri krejt abstrakte se vetë nocioni i popujve ishte krejtësisht i
papërcaktuar. Dashuria tjetër abstrakte ishte ajo ndaj Partisë, që nuk dihej
mirë se ç’ishte. Ishte kultivuar dashuria ndaj udhëheqësit, e cila ishte më
konkrete dhe si e tillë kishte “ngjitur” tek shumë e shumë fëmijë dhe të rinj
të brezit tim.
Mund të thuhet pa droje se pas vitit 1944 në Shqipëri u
krijuan diza breza “urrejtësish”. Kuptohet që kjo ndodhte në të gjithë Europën
Lindore, por pas vitit 1966, me prishjen e institucioneve fetare, mesazhi për
dashurinë për të tjerët ishte akoma dhe më i zbehtë. “Njerëzit e rinj”ishin
materialistë, që urrenin. Ende sot ka edhe intelektualë shqiptarë që kanë një
urrejtje të pashpjegueshme për klerikët për shembull.
Urrejtja krijohet
shpesh nga frika.
Eshtë e natyrshme frika që kemi nga e panjohura. Na siguron
mbijetesën si qënie. Por kjo frikë shpesh është një burim i verbër urrejtjeje,
sidomos kur shoqërohet nga një propagandë negative. Nuk ka se si mendja jonë ku
lindën frika dhe komplekset, mos kushtëzohet nga klasifikime të caktuara të së
mirës dhe të keqes, ku e panjohura e largët përgjithësisht hyn në zonat gri dhe
të zeza të paragjykimit. Dhe nuk mund të themi që nuk kemi “paragjykime” sepse
e tillë është natyra e të menduarit tek qëniet njerëzore.
Shumë njerëz kanë prirje “ksenofobie”, veçanërisht kur të
huajt janë me karakteristika të ndryshme fizike dhe sidomos me ngjyrë të
ndryshme prej tyre. Frika e të badhëve, sidomos në vendet ku ka patur pak
emigracion, ndaj aziatikëve dhe sidomos zezakëve është e tillë. E shoqëruar me propagandën
raciste, frika ndaj të huajve me ngjyrë kthehet në urrejtje. Por edhe forma të
tjera të agjitacionit historik ndikojnë në mendjen e njerëzve të zakonshëm. Një
banor i Ballkanit, që vazhdimisht ka parë piktura ose ilustrime, ku turqit me çallma
dhe jataganë përdhunojnë gratë vendase apo sulmojnë heronjtë kombëtarë, ka predispozicionin
të urrejë një njeri me lëkurë të errët dhe me çallmë në kokë. Në mendjen e tij
shoqërizohet në mënyrë absurde ngarkesa e vazhdueshme negative e pushtuesit që
mbante çallmë me dikë që mund të jetë një mendimtar, mjak apo një bamirës.
Imazhe të tilla, të amplifikuara me mijëra herë përdoren nga
politikanët e ekstremit të djathtë që bazojnë suksesin e tyre në urrejtjen që
krijohet nga frika. Ndoshta edhe këta lloj politikanësh nuk është e nevojshme t’i
urrejmë, por mjaft t’i largojmë nga jeta politike e shoqërisë.
No comments:
Post a Comment