Asnjëhere nuk e kam kuptuar se përse jeta e keqe karakterizohet si “jetë qeni!” Nuk ka vallë asnjë kafshë shtëpiake ose jo shtëpiake me jetë më të keqe se të qenit?
Ndonjë lexues me besnikëri prej qeni, mund të më thotë se
shprehja i përket kohëve të lashta, kur qentë keqtrajtoheshin në zonat, që
sundoheshin nga sllavët dhe më vonë nga otomanët dhe është tashmë një shprehje
demode. Por dhe në atë kohë, edhe nëse qentë përndiqeshin, nuk jetonin më mirë “mizat
në bythë të kalit”, zhabat, pjavicat apo edhe “dhitë e zgjebura”. Pse duhet që
jeta e qenit të përzgjidhej nga populli jonë qendashës, si etalon i jetës më të
keqe?
Nuk mund të thuash se vinte nga që qentë mbaheshin të
lidhur, sepse kishte edhe atë kohë shumë syrresh rrugaçë, që vërtiteshin të lirë
qyteteve dhe fshatrave pa ju shkuar në mendje të shijonin lirinë e pyjeve. Nuk
kemi dëgjuar as edhe që qentë të abuzoheshin seksualisht nga të zotërit a nga
zoofilë të pandreqshëm. Mundet që jetë të keqe bënin qentë në Kore, ku edhe i hanin,
por ne nuk kemi pasur kurrë lidhje me Korenë dhe s’ka arsye që origjina e
shprehjes të jetë në atë vend të largët, ku bërxollat e qenit gatuhen që të lëpish
gishtat.
Vërtet që qeni është një skllav “par excellence” i njeriut,
ndoshta më shumë se të gjitha kafshët shtëpiake, por është dhe ai që na do më
shumë. E megjithatë në asnjë nga vjershat e shumta lirike të shqipes, edhe në
ato të poetëve fshatarë, nuk ka asnjë figurë të llojit “të dua si një qen” apo “dashuria
ime qenore për ty!”.
Këtu ku jetoj ka shumë qenër, që jetojnë në dashuri dhe
harmoni të plotë me të zotët e tyre. Nuk kam dëgjuar asnjë komshi të ankohet për
qenin. Paraditeve dhe pasditeve dalin në shëtitje të dy të gëzuar, sa mund të
thuash se nuk ka dy lloje gjitarësh në botë që janë kaq të lumtur në praninë e
njëri tjetrit. Qeni mund të bëjë me gëzim çdo gjë që i kërkon i zoti (edhe kjo
fjalë nuk shkon më), mjaft që njeriu t’i mbledhë në një qese celefoni jashtëqitjen,
pasi qeni vetë nuk ka duar. Në supermarket ka një rradhë të tërë raftesh me
ushqime për qentë, të ambalazhuara aq bukur sa të vjen keq që nuk mund t’i hash
vetë. Brenda shtëpisë qenit i lejohet të bëjë të gjitha gjërat që i ndalohen
burrit të shtëpisë, nga e fjetura në një shtrat me zonjën kryefamiljare, hipja
mbi tavolinë, gërvishtja e kolltukëve prej lëkure dhe copëtimi i librave. Nuk
shkon as në punë, as i bëhet vonë nëse hyn ndonjë hajdut në shtëpi se është mësuar
të jetë i përkëdhelur, i dashur dhe tolerant.
Kjo është “jeta e qenit” të ditëve tona! Ky është qeni jonë i
ri i mbrujtur me idealet e barazisë, lirisë, besnikërisë dhe vëllazërisë. Me shumë
kënaqësi në jetën tjetër do doja të isha qen! Prej race ama!.
No comments:
Post a Comment