Monday, 29 August 2022

Kafeja e vogël në udhëkryq

Nyja lidhëse ishte atje.

E ardhmja shtrihej më poshtë,

Tek varkat me vela

Që larg ngjajnë si pulëbardha.

Atje kisha dremitur një pasdite të nxehtë,

Atje kisha qënë në dimër kur mardha.

Xhepave numuroja të hollat

Që mjaftonin vetëm për një kafe;

Ngjitesha përgjatë rrugës që mbante një emër fshati,

Sytë i hidhja në ballkoni

Dhe prapë kthehesha atje.

Nuk di pse ndjeja se të gjitha rrugët

Të vjetrat buzë detit,

Dhe ku rrëzoheshin ndërtesat,

Për tu hapur një e re,

Fatet dhe brengat,

Grindjet dhe gëzimet,

Do i sillnin vetëm atje.

I habitur më shihte kinezi

Të cilit nuk ja dalloja dot vitet,

Unë dhjetra herë hyja dhe dilja

Të tjerët pinin më nge,

Për ta ishte një vend i thjeshtë pushimi,

Për mua e gjithë jeta ishte atje.

Rrugët si litarë më qëndronin lidhur,

Nyjeve,

                Fytit

                                Dhe mendjes së lodhur,

Nuk ngjitesha dot më përmbi re.

Me gojën e hidhur,

Pa ditur ç’kishte ndodhur

Kohën thërmoja në të voglën kafe.

No comments:

Post a Comment