Sunday, 21 August 2022

Dhjetvjeçari apo shekulli i…prapanicave?


Tetë vite më parë, “i indinjuar” nga fotot e shumta në internet të prapanicave të J.Lo, Kim Kardashian dhe shoqeve të tyre, pata hedhur në blog një shënim me titullin “Viti i…prapanicave!” E mendoja si një dukuri të pazakontë, por kalimtare. Pas kaq vitesh, ekspozimi në gjithfarë mënyre i “të pasmeve” është kthyer në një epidemi për të gjitha femrat që duan të bëjnë emër në art, modelim, media, madje edhe në politikë.

Nuk di se sa orë në javë i kushtojnë në palestër ushtrimeve që “strukturojnë mollaqe të hijshme“, por nga fotot që mbushin mediat tradicionale dhe sociale duket se kujdesi është fokusuar në “glutealet” se duket që suksesi vjen nga “glutealet”.

Nëse do vazhdohet në këtë mënyrë, duhet një lloj transformimi rrënjësor edhe në mendësinë, fjalorin dhe shprehjet në shoqërinë tonë. Duket absurd nënvleftësimi tradicional që i është bërë “fundshpinës” në folklor, letërsi dhe në përgjithësi në filozofinë e përditshme të popullit tonë. Duhen flakur si anakronike shprehjet “punë e bërë me by…”, “më ke dëgjuar me by…”, “në by… i ke sytë ?!” dhe plot të tjera si këto, që kanë denigruar në shekuj këtë pjesë kaq të rëndësishme të trupit të femrës.

Diçka duhet të bëjnë në këtë drejtim edhe shkrimtarët dhe poetët e shumtë shqiptarë. Letërsia duhet të pasqyrojë sa më mirë kohën që jetojmë. Nuk ka përse t’ju përmbahen më klisheve të vjetra të përshkrimit të hireve femërore tek fytyra, supet, gjinjtë dhe pjesëve të tjera të përparme, por me të njëjtin përkushtim të brezave të mëparshëm të krijojnë figura letrare për pjesën kaq më të rëndësishme të femrës. Dhe sinonimet e shumta që ka në shqip për këtë pjesë të trupit, japin mundësinë e figurave dhe rimave të pafundme në poezi. Ndaj poetët shqiptarë duhet të jenë në pararojë të ndryshimit të mendësisë kolektive, që në fakt, ka ndodhur tek brezi i ri. Dhe këtë nuk duhet ta bëjnë vetëm repistët, që shquhen për ngritjen në art të vulgaritetit, por edhe ata më tradicionalët.

Nuk mund të mos të të krijojnë emocione vargjet:

Eh o shpirt sa më kënaqe,

Kur t’i pashë ato mollaqe!

Ose:

Kur qershia mbush’ me sytha

Edhe frynte pak veri

Ty në pah të doli bytha,

Unë u ndjeva krejt i ri!

Dhe mund të ketë pafundësisht vargje të tilla emocionuese, sepse nuk ka dy prapanica të njëjta. Mjaft të kesh durim dhe të ndjekësh fotot e vajzave dhe grave të spektaklit në Facebook, Tik Tok, Instagram dhe do shohësh se e ardhmja nuk është përpara, por prapa, pikërisht atje ku nuk e kemi menduar.

Por që të kesh durim, si e thotë qartë populli, “duhet bythë!”

No comments:

Post a Comment