Friday, 5 August 2022

Mistiçizmi i Instagramit


Kisha shumë vite që kisha shpëtuar nga “presioni psikologjik” i mediave sociale. Më mirë të them më kishin shpëtuar. Edhe pse i lidhur me leximet në internet, veçanërisht nëpërmjet blog-ut tim, duhet të them që këmbimet me njerëz realë apo edhe me njerëzit realë që shkruajnë me pseudonime ka qënë i pakët. Veç “Miut të Gjirizave”, komentuesit e tjerë kanë qënë tepër të rrallë dhe kjo bën që të mos ndjej ndikimin e mendjeve të tjera.

Kështu deri fund të qershorit të këtij viti, kur ndoshta nga rritjet e temperaturave, truri më tha të hapja një profilin tim në Instagram. Nuk dija tamam ç’ishte, por kishte ndodhur që më pyesnin- “Je në Instagram?” ose në mënyrë më kritike- “Si ka mundësi që nuk je në Instagram?!”. Le të instagramosem edhe unë mendova. Në fund të fundit, po e pashë që nuk më shkon për shtat, e le pas pak kohësh edhe Naumin e Instagram-it. Dhe hyra pa ditur se ç’ishte, as se si funksiononte dhe as ç’duhej të bëja dhe nuk duhet të bëja. E mendova që do ndjek disa dhe disa do më ndjekin dhe duke ndjekur njëri tjetrin do jemi më të gëzuar, më të informuar dhe më optimistë për të ardhmen e bukur që na pret.

Nga që e kam të vështirë “të hapem si vaji në lakra” ndoqa disa dyzina dhe më ndoqën disa dyzina. Në Instagram paska foto dhe video dhe video dhe foto, gjë që e bën më të thjeshtë se nuk ke nevojë të mendohesh shumë as të kuptosh se ç’thonë ata që ndjek dhe as t’ju përgjigjesh. Vere resmen dhe videon dhe përfundimet le t’i nxjerrë kush të dojë.

Hataja që më gjeti është se Instagrami më mbyti me mistiçizëm. Ndoshta fajin e pata vetë, kur vura një foto që kisha dalë gushe me Danten dhe algoritmi i programit me siguri e mori se jam i interesuar për Ferrin, Purgatorin dhe Parajsën. U sulmova nga video me zombie, foto përkujtimore të vdekurish, ceremoni fetare në kisha katolike dhe ortodokse, si dhe këngë të trishtuara me raki, dashuri të humbura dhe vdekje të virgjëreshave.

“Nga e futa kokën në këtë aplikim!” - i thashë vetes, por më vjen turp që të largohem pa mbushur 40 ditë. Po të kisha nisur të ndiqja Kardhashkat, Britnin, Armina Mevlanin dhe ndonjë pornostar mbase do kishte ca vithe dhe gjinj më shumë, por nuk do më kujtohej çdo çast largimi nga kjo botë. Ja dhe të jesh namusqar i tepruar nuk të bën mirë.

E hap të shikoj ndonjë plazh të bukur në njërën nga katër hemisferat (jugore, veriore, lindore dhe perëndimore) dhe më del Papu me temjanicë duke kënduar “I përjeeetshëëëm kujtiimiiiiii!”. Dua të shoh ndonjë fëmijë që hargaliset duke luajtur me kafshët shtëpiake dhe më del një video me bombardimet në Ukrainë.

“Jeta nuk është vetëm plazhe, festime dhe hargalisje!” mund të më thoni me të drejtë, por edhe unë kam të drejtë t’ju përgjigjem: “Le të festojmë jetën dhe me vdekjen le të merremi, kur të na trokasë!”

 

No comments:

Post a Comment