Oqeani vazhdon të nxjerrë në breg
Të flakurat kujtime.
Nuk treten,
As mund të shkojnë në fund të honeve,
Të rëndat e të bukurat
Perlat e jetës tënde dhe time.
Rëra e brengave të grimcuara
Nuk i fsheh,
Por nxjerr në pah
Të bardhën e tyre plot shkëlqim
Përsosjen e tyre të rrumbullt.
Më shfaqen dhe një : Ah!
Si vetëtimë përflak
Mendjen time të turbullt.
Nuk mundem më t’i mbledh;
Uji gjithnjë do ma punojë këtë reng.
Do vijë dita të kridhem,
Thellë honeve të së panjohurës,
Me shpresën që valët,
Rrymat,
Pështjellimet,
Të më nxjerrin në tëndin breg.
No comments:
Post a Comment