E ardhmja e kryeqytetit grek nuk duket shumë e sigurt. Ngrohja globale dhe vetë nxehtësia e qytetit mund ta bëjnë atë të papërshtatshëm për banim pas disa dhjetvjeçarëve. Qysh tani shumë banorë të Athinës kanë menduar të largohen nga qyteti për në zona me më shumë gjelbërim dhe freski. Ndoshta edhe në vendet e Europës veriore.
C’ka binte menjëherë në sy, kur e vizitoje kryeqytetin grek
ishte mungesa e parqeve të mëdha dhe dendësia e ndërtimeve. Elita greke pat bërë
një gabim të rëndë ekonomiko shoqëror në vitet ’80 dhe ‘90, duke përqëndruar të
gjithë ekonominë e vendit në kryeqytet. Fryrja e administratës shtetërore ishte
një tjetër arsye, që fshatrat dhe qytezat e vogla u braktisën dhe gjysma e
popullsisë së Greqisë u përqëndrua në Athinë. I gjithë ky migrim u shoqërua me
gabime të rënda urbanistike si zhvillimi i mikrorajoneve të reja pa sipërfaqe të
mëdha të gjelbëruara dhe pa hapësira të tjera publike, që do ulnin dëndësinë e
ndërtimeve në qytet. Në këtë tejngjeshje të ndërtimeve ndikoi edhe rregulli urbanistik,
që ndërtimet të mos kalonin lartësinë e 12 kateve. Thuajse në të gjitha lagjet
jo larg nga qendra e Athinës, parcelat që më parë kishin vetëm një shtëpi ose
një vilë, u zevëndësuan gjatë viteve ’80 dhe ’90 me ndërtesa kolektive nga 6
deri 12 kate.
Tirana rrezikon të njëjtën gjë si kryeqyteti grek. Edhe pse
popullsia e saj është larg asaj të Athinës, me zhvillimet e pakontrolluara
ekonomike-urbanistike duket që pas disa viteve të ketë gjysmën e popullsisë së
Shqipërisë. Janë të njëjtat dukuri që përsëriten. Përqëndrimi i të gjitha
pushteteve dhe institucioneve në kryeqytet, fryrja e administratës shtetërore,
investimet publike me shumë diferencë nga ato që bëhen në qytetet e tjera. Prej
vitit 1998, nuk ka pasur një orientim urbanistik për të krijuar një qytet të
shekullit XXI, por kanë vazhduar të jepen për ndërtime të larta sipërfaqet
publike dhe vitet e fundit edhe shumë zona të Parkut të Madh të Liqenit Artificial.
Tejnxehja është e dukshme në Tiranë për shkak të uljes së sipërfaqeve të gjelbërta
dhe mbingarkesës në qarkullimin e mjeteve të transportit individual. Për më tepër
nuk ka asnjë plan për të ndërtuar një metro për këtë qytet që priret të shkojë
drejt 1 milion e më shumë banorësh.
Por edhe kriteret më të mira urbanistike nëse vendosen për kryeqytetin,
problem kryesor mbetet politiko-ekonomik. Ka të bëjë në rradhë të parë me
decentralizimin e pushtetit dhe rritjen e kompetencave të pushteteve lokale.
Por me ardhjen në fuqi të Partisë Socialiste në vitin 2013, procesi i decentralizimit
jo vetëm është ndalur, por janë aplikuar ligje dhe vendime që kanë shtuar
centralizimin. Duket e pamundur që Rama dhe Veliaj e kompani të lëshojnë pe në
këtë drejtim. Ndërtimet e vazhdueshme në Tiranë janë burimi kryesor i të
ardhurave të tyre personale, si dhe i blerjes të zgjedhjeve. Ka të ngjarë të përsëriten
edhe veprimet megalomane të organizimit të ngjarjeve të mëdha artistike dhe
sportive, si ndodhi me aventurën greke të Lojërave Olimpike të vitit 2004. Eshtë
i njëjti skenar. Le të bëjmë gjëra të mëdha për të “rrejt miletin”, për të
reklamuar gjenialitetin tonë dhe për të përfituar edhe personalisht nga
investimet publike.
Tirana është ndër qytetet me ajrin më të ndohtur në Europë.
Eshtë e vështirë të gjesh studime serioze, të mbështetura në të dhëna të sakta
statistikore, se sa ndikon cilësia e ajrit dhe rritja e temperatureës së
kryeqytetit në sëmundjet kardio-vaskulare dhe ato të mushkërive. Por fakt është
që gjatë tre muajve të verës jeta në Tiranë bëhet gjithnjë dhe më e vështirë,
veçanërisht për të moshuarit, që janë edhe shtresa e popullsisë më e varfër dhe
e kanë të vështirë të “verojnë“ larg kryeqytetit.
Mbetet sërish të shpresojmë tek “ndërkombëtarët” dhe në
detyrat që do na shtrojë së shpejti Brukseli për të na pranuar në familjen
europiane. Ndoshta gabimet e bëra në Athinë ja u kanë hapur sytë edhe burokratëve
europiane për të frenuar korrupsionin dhe autokracinë, që janë arsyet kryesore
të kthimit të qyteteve mesdhetare në vendbanime ku cilësia e jetës vazhdon të pësojë
ulje.
No comments:
Post a Comment