Monday, 15 August 2022

Korça nuk di t’i vlerësojë supernjerëzit e saj


Sot gazeta e njohur britanike “Guardian”, kishte një artikull ku flitej kryesisht për një “qiellgërryese” në Tiranë, që është projektuar të përjetësojë Skënderbeun, por jo atë që njohim të gjithë, por këtë të Spiropalit. Ndërtimi në formën e kokës të një njeriu me mjekër, që e ka tretur vështrimin në Jugperëndim do duket sa Zeus, sa Skënderbe, por më shumë si Edi Rama dhe do ju kujtojë brezave se “kur u bë në të vërtetë Shqipëria!” Idea e projektit është e arkitektit holandez Winy Maas, që shumë vite më parë “tromaksi” Londrën me një objekt që shkaktoi edhe rënien e qeverisë konservatore. Në Tiranën e Edit ka gjetur “shefahet”.

Po mua nuk më bëhet shumë vonë për Tiranën e Edit, sepse jam shumë lokalist, por më bëhet vonë për “Korçën e Nikos”, nëse do citoja kryeministrin tonë.

Korça po tregon se ka kohë që ka dalë nga tradita e saj për të përkujtuar heronjtë e saj. E mbylli në vitet ’30 të shekullit të kaluar me Themistokliun. Edhe shtatoren e sho Enver që e ngriti me shumë dashuri më 1988 e rrëzuan vagabondët, vandalët, antikomunistët, të pacipët, rrugaçët dhe nuk mund të rresht me epitete.

Po mirë sho Enver se ishte nga Gjirokastra, po për Nikon që e kemi jo vetëm nga Korça, por lindur dhe rritur 70 metra nga qëndra e qytetit, si nuk kujtohemi të bëjmë gjë?

Pse ndërtuesit e shumtë, të cilëve Nikoja ju ka hapur horizonte, I ka paisur me leje ndërtimi, ju ka dhënë tendera të merituara nuk kujtohen të bëjnë një ndërtim që të duket si koka simpatike e Nikshit? Le të mos jetë 85 metra sa ky i Tiranës, po 10-12 kate dhe elementë arkitekturorë të stilizuara mund të gjenden në portretin e Peleshit. Kaçurrelat, vështrimi zhbirues dhe mjekra e zgjatur që tregon vendosmëri mund të kapen shumë shpejt nga arkitekti australian Piti ose “Kashei i Pavdekshëm” dhe të na gëzojë ne të moshuarit dhe të frymëzojë brezat.

Le të vendoset edhe diku në Moravë dhe të tregojë edhe origjinën mborjare të tij. Mund të shërbejë si hotel dhe kazino dhe nëse një ditë do ligjërohet prostitucioni, të kryejë edhe atë funksion.

Patronazhistë korçarë merreni këtë nismë që të mos mbetemi pas Tiranës. Koha ikën shpejt dhe ju detyrohemi brezave të ardhshëm!

 

 

No comments:

Post a Comment