Tuesday, 23 August 2022

-Më lidhni!

-Më lidhni!

As dylli në veshë nuk ndal dot melodinë

Ndjellësen,

                Vrasësen,

Fjalët e bukura plot rimë,

Që më joshin t’ju qasem!

Kështu ju tha rremtarëve Uliksi,

Ndërsa ishullit i shkonin pranë,

Magjikja këngë nisi,

Puhiza ndali,

Gjithshka ishte pezull,

Në detin e paanë.

Ishte magjikja melodi

E të kaluarës dhe të ardhmes përzjerë,

Ngjizur me të patuturën përjetësi,

Thellë në palcë ndjerë,

Që nuk le kohën të rrjedhë,

Ndërsa në atë buzëdeti rri.

-Nuk janë sirenat që mishin të hanë

Dhe mbetesh si skeletet e zbardhur në breg!

Koha ka ngelur në këtë pikë,

Ndërsa brenda trupave tanë rrjedh,

Dashurohemi,

Rritemi dhe të vdesim kemi frikë.

Casti i përjetshëm këtu është,

Lidhur pas këngëve mrekulli,

Ndaj më shtrëngoni më shumë litarët,

Rremave më fort u jepni,

S’duhet të shkelin këtu vdekëtarët

Eshtë vend për perëndi!

Gjithshka kishte kuptuar Uliksi

Apo pat humbur rastin e rrallë?

Kërkush nuk i ka parë më sirenat,

Ka qënë vërtet një ishull,

                Planet i Udhës së Qumështit

A krijim i mendjes vallë?

Prag i tjetërsimit të mishit në shpirt,

Portë për tek një tjetër Gjithësi,

Shtangësia melodioze e të përjetshmes,

Më i epërmi vullnet,

Ajo ç’ka nuk mund të nxëhet?

Ndaj : Më lidhni!-thërret dhe ti.

 

No comments:

Post a Comment