Që kemi qënë dhe jemi ca (si shumë) racistë ne shqiptarët kjo nuk do shumë njohuri rreth nesh, hyqeve dhe historisë. Ka tashmë një teori, që qarkullon më shumë për të patur ndonjë përfitim gjeo-politik, se ne kemi qënë populli që nuk i dorëzuam çifutët në gjermanët, por është një teori që vlen të shihet më thellë se të duket pak e çuditshme që spiunonim njëri tjetrin në gjermanët, por ruanim hebrenjtë!
Gjithsesi ky shkrim nuk ka lidhje me hebrejtë, se të tillë
nuk kishte në Korçë me përjashtim të ndonjë individi, por me Katavaroshin dhe veçanërisht
me një personazh të dalë nga ajo lagje e Korçës -Tataçin.
Nuk di se si cilësohen sot si etni ish-banorët e
Katavaroshit, si egjiptianë apo romë. Në kohët e hershme, kur racizmi ishte më
pak i maskuar, i quanin kaur-evgjitë. Dhe si çdo kaur, Tataçi kishte një emër
shenjti – Taqo, që vjen si transformim-shkurtim i emrit Dhimitër. Në çdo fund
tetori edhe Tataçi festonte emrin e tij për Shën Mitër dhe me siguri që merrte
pjesë në ceremonitë fetare në kishën e Shën Gjergjit, që ishte kisha më e afërt
me Katavaroshin.
Komunistët e transformuan Katavaroshin, që gjatë viteve
kishte qënë një lloj getoje, ku gëlonte gëzimi , hareja dhe fukarallëku si dhe
disa veprimtari të ngjashme me ato të rrugëve me drita të kuqe ne getot e
Metropoleve europiane. Banorët e Katavaroshit mund t’i quash pa droje si
shqiptarët e parë liberal-globalistë. Të dashur me mercenarët francezë, pa
paragjykime për racat,kombet dhe etnitë, të ëmbël me Italianët dhe të trembur
nga gjermanët, ata kishin vërtet një lloj filozofie universale për jetën. Të
shijojmë jetën 6 ditë të javës dhe të djelë të vemë në kishë për të larë
gjynahet!
Kjo ishte e vërteta e jetës së tyre dhe të vërtetat I thoshin
më hapur se të tjerët. Pikërisht se nuk kishin se ç’të humbisnin. Cdo humbiste
Tataçi i vogël, veç samarit të tij prej hamalli, mbi të cilin vinte nga
tavolinat deri në thasët me grurë që shpinte në shtëpitë e Varoshit të Sipërm
dhe lagjeve të tjera të Korçës. Kishte zgjehur një profesion që nuk mund t’ja
merrte njeri dhe nuk I duhej as ta kishte mirë me qeveritarët. Të kohës së
Zogut dhe të kohës së Dullës. Me këta të sotmit është më bela se mund t’i kërkonin
edhe liçencën e hamallit, numurin e biznesit dhe taksat e dhjetë viteve të
fundit, po qe se fliste kundër Partisë në fuqi.
Dhe që do fliste kundër këtyre për këtë është e sigurt, se
Tataçi e kishte të shënjtë lirinë e fjalës. Në kohën e Zogut kishte pak vjedhje
të pronës publike, ndërsa në kohën e Dullës të gjitha ishin pronë publike dhe
kishte edhe që trazonin. Për ata Tataçi theshte: “Këta e dinë se socializmi është një mal me pilaf dhe o burra kush të
rrëmbejë“ Po ç’mund të thoshte për super-hajdutët e sotshëm që nuk lanë gjë
pa rrëmbyer nga tulet, koskat dhe pendët e Shqipërisë së gjorë?
-Më mirë që nuk i pe këta hajdutë me çizma i dashur Dhimitri
nga Katavaroshi! Edhe samarin do të ta kishin marrë dhe do të të jepnin 50 mijë
lek asistencë, se janë edhe bajagi racistë!
No comments:
Post a Comment