Nuk e di nëse kjo shprehje kishte qëllim të mos bëje shumë pyetje gjatë të ngrënit, apo ndoshta gjella apo ëmbëlsira e sajuar nuk kishte ndonjë emër të veçantë, që ishte gjetur kjo përgjigje-mur. “Ha dhe hesht e ka emrin”- ishte përgjigja pasi kishe pyetur si e ka emrin kjo.
Ndoshta kjo lloj përgjigje në fëmijëri, kishte bërë që shumë
nga ne mos thelloheshim shumë në emrat e gjërave që hanim. Unë vet[m dje kam mësuar
se ashurja e ka marrë emrin nga fjala
aramaike dhjetë dhe që ka të bëjë me
festimin e datës 10 të muajit Muharrem sipas kalendarit hixhra. Festa fetare e
Ashures, që festohet vetëm nga besimtarët shiitë, ku hyjnë edhe bektashinjtë
tanë, ka të bëjë me një ngjarje të largët në kohë dhe vendndodhje. Në Qerbela,
në vitin 680, ushtria e sundimtarit Jezit I, masakroi në betejë Hyseinin, nipin
e profetit Muhamet dhe gjithë burrat që luftonin bashkë me të. Gratë dhe fëmijët
u morrën skëllevër.
Në vendet me shumicë të popullsisë shiite, si Irani dhe
Iraku, Festa e Ashures është ndër dy-tre festat fetare më të rëndësishme. Tek
ne shumica e popullsisë e feston pa ditur se ç’është, por nuk harron të bëjë një
kazan të madh me ashure, ndoshta edhe më të madh se atë që gatuan për Sulltan
Novruz.
Po përse gruri i zjerë me sheqer dhe i përzjerë me arra dhe
pak kanellë, i shërbyer i ngrohtë në tasa u quajt në anët tona ashure?
A kanë kuptime të ngjashme hallva, revania, asudeja,
shantantlia, kurabija dhe plot e plot ëmbëlsira të ardhura nga Orienti i ëmbël
gjatë shekujve të pushtimit turk?
A luajtën rol ëmbëlsirat në kthimin e një pjese të madhe të
popullsisë shqiptare në muhamedanë?
Janë pyetje që marrin shkas nga ashureja dhe që nuk gjejnë
dot përgjigje për shkak të parrullës shkurajuese “Ha dhe hesht!”
Përgjigje nuk gjeta dot as në fjalën e mbajtur nga Baba
Mondi në Ditën e Ashures.
No comments:
Post a Comment