Kam përmendur në një shkrim të mëparshëm, ndryshimin për mirë që ndjeva në Tiranë gjatë vizitës të këtij viti. Nuk kisha qënë prej 18 vjetësh dhe shumë gjëra dhe dukuri kishin mbetur “të fotografuara” në mendjen time. Këtë rradhë i pashë të ndryshuara. Përgjithësisht mendova që “liria funksionon”. Ndoshta shumë më ngadalë se pritshmëritë tona. Ndoshta më ngadalë edhe se parashikimet e të huajve që kanë më shumë përvojë. Por funksionon.
Eshtë gjithashtu
fakt, që njerëzit duan të largohen nga Shqipëria. Por edhe ky është një nga
aspektet e Lirisë. Njerëzit instiktivisht ose racionalisht ndjejnë se përmirësimet
nuk shkojnë me ritmin me të cilin na “fluturon” jeta dhe shkojnë për të jetuar
më mirë në vende më të pasura, më të sigurta dhe me institucione të
konsoliduara.
Por shoqëritë e lira kanë “plagët” e tyre dhe ndonjëherë janë
të thella dhe të pashërueshme. Ne na çudisin kur shfaqen në shoqërinë
shqiptare, pasi kemi vetëm 30 vjet në liri, por ekzistojnë ende në të gjitha
shoqëritë e lira madje dhe në ato me institucionet më të forta.
Dje më kapi syri një lajm, që një konkurente shqiptare e
Miss Universe kishte shoqëruar gjatë ndjekjes një kriminel të shumëkërkuar. Opinioni
reagon me përbuzje ndaj “Missit”sepse krimineli është gjithashtu i martuar dhe
me katër fëmijë. Dukuria nuk është e re për Shqipërinë, ku plot vajza të bukura
të medias kanë të dashur trafikantë droge dhe të tjerë kriminelë. Eshtë më e përhapur
në të gjitha vendet e demokracisë dhe tregut të lirë. Pushteti dhe veçanërisht
paratë, por edhe shpirti i aventurës i tërheqin vajzat e bukura. Të gjithë
kapot e karteleve të Meksiskës dhe vendeve të tjera të Amerikës Latine, kanë të
dashura ose martohen me konkurueset dhe fitueset e konkurimeve të bukurisë. Ja
që pedagogët e universiteteve, shkencëtarët dhe gjenitë e informatikës kanë më
pak “sexual attraction”, ose nuk kanë shumë për t’ju ofruar bukurosheve. Eshtë
e njohur që në kohën e Al Kapones!
Një tjetër plagë e pranishme është korrupsioni i madh i policisë
dhe përfshirja e oficerëve të policisë në tregëtinë e drogës dhe të krimeve të
tjera. Ne na çudit përfshirja e ish-ministrit të brendshëm dhe kapove të tjerë
të policisë në tregëtimin e kanabisit apo dhe kokainës, por ka ndodhur dhe
ndodh në vende më pasura dhe me institucione më të forta se tonat. Jo vetëm në
Amerikën e viteve ’20-’30, policët, gjyqtarët dhe shumë politikanë paguheshin
nga Mafia, por deri në vitet ’70-’80, në Nju Jork një pjesë jo e vogël e
policisë ishte në “borderonë“ e kriminelëve. Në vitet ’80 dhe fillimin e viteve
’90, në Sidni të Australisë, banda më e fuqishme e drogës dhe vjedhjeve
drejtohej nga kapot e policisë. U deshën shumë vite që të pastrohej policia e
metropolit dhe të viheshin në krye oficerë të ndershëm. Dhe nuk bëhet fjalë për
narko-shtete.
E megjithatë është më mirë të jetosh në një shoqëri të lirë
me këto plagë të thella, se sa në një sistem totalitar, ky krimineli më i madh është
vetë shteti.
No comments:
Post a Comment