Sunday, 7 August 2022

“Habia” jonë me vetvrasjen


Ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë në Nju Jork. Një aktor shqiptar, që jetonte atje me familjen, pas një sherri ka shtyrë gruan jashtë dritares dhe më pas është hedhur dhe vetë. Të dy të vdekur dhe dy fëmijë të mitur të mbetur jetimë. Një tragjedi, që vështirë se mund përshkruhet me fjalë. Dhimbje, dhimbje, dhimbje.

Përpos kësaj ngjarjeje tejet të rëndë, ka dhe një tjetër dukuri t[ dhimbshme, që është keqperceptimi i jonë i vetvrasjes dhe personave, që i japin fund jetës. Lidhet me shumë faktorë: tabutë tradicionale, përpjekjet për të shpjeguar gjithshka, mospajtimi me vdekjen e vullnetshme, padija dhe shabllonizmi. Në një diskutim në një kanal televiziv, disa njerëz që e njihnin aktorin e ndjerë shprehnin habinë e tyre duke përdorur shabllone si : “është e pamundur”, “ishte shumë normal”, “nuk ishte njeri i izoluar”, “bënte humor me jetën në Shqipëri” etj.etj.

Në të njëjtën mënyrë, madje edhe më absurde, u komentua vetvrasja e gazetarit të ndjerë Kastriot Myftaraj disa javë më parë. “Nuk kishte shënja depresioni”, “ishte optimist për kurimin e sëmundjes” dhe deri në akuza, se “Myftarajn e ka vrarë Rama pasi ai po e desmakonte!” ishin disa nga komentet jo të pakta, të bëra edhe nga njerëz të njohur të vendit.

Eshtë e drejtë të mos pajtohemi me idenë e largimit vullnetar nga jeta, me përjashtim të rasteve të të sëmurëve shumë rëndë, të cilët nuk ka pse ta presin fundin e tyre mes s humë vuajtjesh fizike dhe shpirtërore dhe për të cilët diskutohet kudo në botë nëse duhet të jetë a jo e ligjëshme eutanazia. Por jo vetëm që duhet të kemi respekt për të larguarin nga jeta në mënyrë të vetdijëshme, por kryesorja është që duhet të pranojmë me thjeshtësi se sa pak dimë rreth vetvrasjes.

Eshtë një dukuri e vjetër sa edhe njerëzimi, madje haset edhe në gjitarët e tjerë. Por më kryesorja është që mjekësia dhe psikiatria janë shumë pak të zhvilluara në këtë fushë. Për më tepër kryejnë vetvrasje edhe njerëz që nuk janë prekur nga depresioni apo s[munjd t[ tjera mendore. Janë aq të ndryshme rastet e vetrasjeve, sa jo vetëm ne vdekëtarët e zakonshëm nuk mund t’I klasifikojmë ose t’I futim në klishe të caktuara, por shumë të vështirë e kanë edhe specialistët dhe grupet studimore. Ashtu si janë tërësisht të veçanta shënjat e gishtërinjve të një individi, po aq e veçantë është psikologjia e gjithsejcilit apo sëmundja mendore që mbart. Ndaj “habia” jonë është tërësisht e habitshme, madje tërësisht idiote ndaj këtij misteri të madh të qënies njerëzore.

Dua të citoj komikun më të madh të botës së sotme, Dejv Shapel (Dave Chappelle), i cili në një monolog të tij duke komentuar rreth vetvrasjes së shefit të njohur të kuzhinës dhe dokumentaristit Antoni Burdein (Anthony Bourdain) thoshte: “Antoni ishte njeriu i fundit në këtë botë, që duhet t’i jepte fund jetës, sepse kishte një jetë të mrekullueshme, i suksesshëm, udhëtonte kudo dhe hante nga ushqimet më fantastikë e megjithatë…” Idea është që jo vetëm e njohim shumë pak botën vetiake të sejcilit, jo vetëm që njohim pak sëmundjet mendore, por më kryesorja është thuajse e pamundur që të hymë e të spjegojmë atë reaksion të çuditshëm të ndërveprimit të ndjenjave me mendimet, që herë herë sjellin kaskada gjenialiteti dhe herë herë herë kthehen në një ortek të llahtarshëm që na merr brenda vetes dhe na bën të marrim hapin më ekstrem të ikjes nga kjo jetë.

Ndaj ajo që duhet të na bëjë të habitemi është padija jonë e pakufi!

No comments:

Post a Comment