Tuesday, 23 August 2022

Gusht e gulç


Ndërsa i ngjitem një të përpjete këtë gusht gulçoj. Ndoshta do ishte më mirë të përpjetat t’i lija për në shtator, kur koha freskohet dhe ka më shumë sherre politike në Shqipëri. Në sherret mes hajdutëve gulçues, kanë dalë akuza më të rënda se ajo e të qënit vjedhës. Spiun, rrezik për sigurinë kombëtare, vrasës, agjent i rusëve, antiamerikan, kriminel, sërbofil e plot e plot të tjera. Hajdut nuk është e mjaftë për të mos qënë në krye të qeverisë apo të opozitës. Si në atë anekdotën e vjetër të atij që vidhte kumbulla dhe e zonja e shtëpisë e akuzoi se ishte edhe hajdut edhe rrencak.

Këtë gusht, pa gulçuar aspak, Luza Gega u shpal kampione e Europës në atletikë dhe jo vetëm u prit si e meritonte në Tiranë, por kryeministri jonë i thjeshtë dhe i përvuajtur i puthi duart. Nuk mund të rrinte indiferent ndaj lajmit më të mirë për Shqipërinë këtë gusht, kur ka qënë i detyruar të fshihet se banditët vriten në mes të ditës ndërsa policët vrasin fëmijë me motoskaf në plazh.

Duke gulçuar ishin ngjitur rrepirave të Gramshit edhe agjentët sekretë rusë në misionin për t’i hedhur hi syve Ministrisë së Peleshit, Ministrisë së Cuços dhe NATO-s. Po Peleshi ja u kuptoi menjëherë lëvizjen, që donte të tërhiqte vëmendjen në Gramsh për të sulmuar Kuçovën dhe aeroportin e Kukësit. Të dyja këtë pika nevralgjike për Sigurinë Kombëtare u vunë në mbrojtje të trefishtë.

Mes gulçimeve të gëzuara, zëdhënësi i Mbretërisë Zulu dha lajmin lumturues se sherri politik njëvjeçar mes pretendetëve për fron është mbyllur me fitoren e Misuzulu ke Zwelithini, që do drejtojë zulutë për një afat të pacaktuar. Edhe zulutë e gjejnë mënyrën për tu marrë vesh me njëri tjetrin, veç ne shqiptarët krenarë nuk rrimë dot pa sherr. Grindemi për hiçgjë dhe pasi fillojmë të gulçojmë sulemi në shtëpi, rrëmbejmë kallashnikovin e vjedhur në uzinën e Gramshit dhe ja numurojmë tjetrit.

Që ta shpëtojmë nga gulçimet!

 

 

No comments:

Post a Comment