Këto janë fjalët që Diogjeni i pat thënë dikur Aleksandrit të Madh pasi ai kishte shkuar ta takonte pranë qypit të madh prej qeramike ku filozofi grek flinte. Aleksandri jo qëllimisht pat zënë diellin, që e ngrohte Diogjenin atë mëngjes.
Eshtë kjo shprehje në buzët e të gjithë qytetarëve të Tiranës,
të cilëve kullat monstruoze të ideuara dhe të miratuara nga Edi Rama po ju
pengojnë elementët më të domosdoshëm të jetesës- rrezet e diellit, ajrin e pastër
dhe peisazhin qetësues. Aleksandri i Madh kishte shkuar me përulësi të mësonte
nga filozofi cinik i Greqisë së Lashtë, kurse Edi Rama me arrogancë po i imponohet
një populli të tërë në hapësirën e kryeqytetit.
Të gjithë ‘diogjenët” e Tiranës kanë të drejtë të revoltohen
jo vetëm për qiellgërryeset e shëmtuara, por për të gjitha idetë urbanistike që
ka zhvilluar vite më parë Edi Rama dhe po i vazhdon edhe tani me ndihmën e
Veliajt dhe ekipit të tij. Nuk dua të hyj në analizat ekonomiko-kriminalistike
se ku e kanë origjinën paratë që investohen për qiellgërryeset. Ka specialistë
që mund ta bëjnë shumë mirë, sikundër e bëjnë gazetarët e huaj. Pyetjet e mija
janë rreth cënimit të hapësirës së përbashkët dhe privimit të kryeqytetasve
ndaj gjërave më themelore në jetë. Po citoj një arkitekt bashkëkohës, shumë të
vlerësuar nga kolegët, australianin Glenn Murcutt: “Jeta nuk sillet rreth maksimalizmit të gjithçkaje, por në dhënien e diçkaje
– në arkitekturë në dhënien e dritës, hapësirës, formës, qetësisë, gëzimit.
Duhet t’ju kthesh diçka njerëzve.”
Eshtë krejt te kundërta ajo që bën ekipi i Ramës në Tiranë.
Maksimalizim i fitimeve të investitorëve (dhe rryshfetit), maksimalizim i kapjes
së hapësirave, maksimalizim i dendësisë. Ku e ka burimin kjo arrogancë dhe babëzi?
Kush ta jep ty të drejtën të ngresh një monstër volumore tek
hapësira e këndëshme dikur, që quhej parku i “7 xhuxhave”?
Votat që ke marrë edhe duke vjedhur në tre zgjedhjet e
fundit të përgjithshme?
Përse duhet të kaloj çdo ditë para një ndërtimi në formë
koke, që do na kujtojë gjithnjë vitet e sundimit autokratik?
Këto janë vetëm disa nga pyetjet e ligjëshme të
kryeqytetasve dhe banorëve të tjerë të Shqipërisë.
Mos ja u merrni njerëzve atë ç’ka nuk ja u jepni dot. Në të
kundërt zullumi teprohet shumë dhe pas tij nisin përmbysjet.
No comments:
Post a Comment