Thursday, 4 August 2022

Unë jam 63 vjeç dhe për mediat “i moshuar”


Ka diçka që nuk shkon mes mendësisë sime për vitet që kam kaluar mbi këtë dhe, dhe mediave shqiptare. Sipas tyre jam i moshuar. Nuk e gjej këtë cilësim në mediat kanadeze dhe europiane për bashkëmoshatarët e mij. Nuk është ndonjë e keqe e madhe, por për deri sa meshkujt në Shqipëri dalin në pension mbi 65 vjet, kjo duhet t’I bëjë pak të mendojnë gazetarët, moderatorët, opinionistët dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre që vërtiten redaksive të gazetave dhe televizioneve.

Por duhet të pranoj, se “i moshuar” është ku e ku më i ëmbël si cilësor, se sa ato që përdorin ndaj meje miqtë e mij që më quajnë “shtrig”, “gërxho”, “plakush”, “ i rrëgjuar”, “xhaje”, “lëshnik”, “sa gomari i hallos” e të tjera të ngjashme. Por e keqja e këtij “i moshuar” është se është zyrtar dhe nuk të ndahet sa afrohesh në fundin e të 50-ve dhe deri sa të kujdesen për ty agjensitë funerale. Dhe po të llogaritësh jetën me mesataren e jetës së meshkujve në Kanada do të thotë që më shumë se një çerek shekulli të jesh “i moshuar”. Me një fjalë i lidhur me gjithë problemet që sjell mosha për ne ballkanasit e shkujdesur- tension, prostat, fshikëzë uji, kolesterol, rheumatizëm, viagra, dhjamosje, harresë dhe dërdëllisje pa fund.

Unë refuzoj të quhem zyrtarisht “i moshuar”, sepse nga të gjitha të mësipërmet kam vetëm “dërdëllisjet pa fund”. Mund të pranoj të më quajnë si dikur Karlsonin, njeriun që banonte mbi çati, jam në moshën e një burri në lulen e burrërisë. Nuk mund të kalojmë kështu fët e fët nga rinia në pleqëri se i do qejfi mediave tradicionale në Shqipëri. Kriteri duhet të jetë ai i mediave sociale që të thonë të vërtetën gjithnjë “sa i ri dukesh”, “yll ke mbetur”, “djalkë je fare”, “vitet kalojnë dhe ti sikur rinohesh” e sa më të bukura se këto që më vjen zor t’i përmend.

Dhe të mendosh që unë nuk kam bërë asnjë ndërhyrje kozmetike. Se po të bëj atë të rinocerontit, heqjen e mamzës, pak botoks rreth syve  dhe të mbij edhe leshtë e kokës e di që nuk do dukem më shumë se “tletetle”. Kam një problem me këtë të leshve se nuk di si do t’i them nipit që më pyet :”Po ti gjysh ku i ke flokët?, se deri tani i kam thënë “Më kanë ikur” dhe nuk dua ta zhgënjej.

Më shumë se shprehje e indinjatës së brendëshme, kjo është një thirrje për të gjithë ata që kanë mbushur 58 dhe lart, të solidarizohen në lëvizjen “i moshuar duhet të quhesh mbi të 75-at për burrat dhe mbi 77 për gratë“.

Dhe është një kërkesë më se e arsyeshme nga ne të rinjtë e përjetshëm.

 

No comments:

Post a Comment