Nuk di kur e dëgjova këngën e Ninas për herë të parë, por e para gjë që më shkoi në mendje ishte nëse ka ende të reja që kanë këtë emër . Se jo vetëm duhet të ketë , por edhe duhet të jenë jo pak, sa njëra prej tyre ka frymëzuar një dorë me këngëtarë të dëgjuar shqiptarë të thurrin një këngë nga këto të beharit, që janë si “shiu I beharit” – të vrullshme dhe të harrueshme.
Po të shohësh në google, ka shumë pak Nina të famshme. Tek
ne emri duhet të ketë hyrë në kohën e Italisë dhe ndoshta edhe kur u sevdallisëm
me ruskat, që mbanin emrin Nina. Që kur u prishëm me sovjetikët nuk kujtoj të
kishte ndonjë Nina në brezin tonë. E vetmja e njohur ishte Nina Nishanka, që
duhet të ishte rreth të 40-ve kur ne ishim fëmijë. Nina Nishanka ishte e ardhur
në qytet si gjysëm e “internuar” për çështje jopolitike, por kjo nuk i pengoi
shumë qytetarët të nderuar të Korçës të viteve ’60, të kalonin orë kënaqësije
me të dhe të hynin në Listën e Degës së Punëve të Brendëshme, ose si u quajt
ato vite - Lista e Nina Nishankës.
Ku u gjet në vitet ’20 të shekullit të ri kjo Nina që “të bën
jetën si në filma”? Dikush mund të pyesë me të drejtë se për ç’lloj filmash e
kanë fjalën autorët, se ka romantikë, të aksionit, fantastiko-shkencorë dhe historikë.
Kjo Ninoçkë, emri i të cilës ze gjysmën e vargjeve të këngës duhet të jetë jo
vetëm e bukur, por dhe e përzjerë ndopak me drogë dhe e zonja në ngarjen e
makinave të shpejta. Edhe njohje të armëve duhet të ketë, si dhe t’i japë
skafit se kënga është “këngë behari”.
Ndoshta unë ju besoj shumë këngëve dhe filmave dhe dua jo
vetëm të emocionohem, por edhe të njoh historinë që është pas këngës a filmit,
si dhe nëse ka ekzistuar vërtet protagonistja. Se nuk mund të jenë të gjitha
Helena të Trojës, Ana Karenina, Ema Bovari, Lara, Mishelë apo Esmeralda. Do ketë
edhe të tilla që nuk ekzistojnë, por kanë emra të shkurtër që mund të përsëriten
për efekte muzikore të thjeshta e që mund të përdoren në diskoteka, ashtu si
kjo e jona:
-
Me ty Nina, Nina, Nina, Nina oooooo!
No comments:
Post a Comment