Ai kishte qënë gjithnjë Tomi për mua dhe moshatarët e mij. Një djalë biond që kishte mirësi dhe buzëqeshje në sytë e tij. Nuk kujtoj nëse e kisha njohur para vitit 1971, kur ishim në një turn në kampin e pionierëve në Voskopojë. Më ishte dukur se e njihja prej vitesh edhe pse nuk kisha këmbyer biseda me të. Ishte në një shkollë tjetër dhe ndoshta nuk kishte shumë interes për sportet, atje ku njiheshim me bashkëmoshatarët e tjerë dhe grindeshim për faullet dhe krijonim armiqësitë dhe aleancat fëminore.
Më pas, në adoleshencën tonë, përsëri ishte në një shkollë të
largët nga e jona, por për të dinim më shumë. Këndonte bukur, i binte kitarës
dhe dashuronte vajzën më të bukur të brezit tonë. Kishte edhe një grup shokësh
, që këndonin shumë bukur. Kështu flitej. Unë e pata dëgjuar vetëm njëherë
bashkë me një shokun tim, në një mbrëmje vjeshte me shi, kur rastësisht qëlluam
në një strehë dhe na mësoi një këngë, të cilën nuk e kishim dëgjuar më parë.
Ishte një këngë me tekst të Zhuljana Jorganxhiut, të cilën çuditërisht e mësuam
menjëherë. Ishte ndoshta efekti që po mësonim një këngë nga Tomi, çka e bëri ta
kapnim aq shpejt dhe ta këndonim me vone kur mblidheshim me shokët tanë të afërt.
Mç pas ndodhi këputja. Kishte ndodhur diçka që qyteti nuk e
priste. Tomin e kishin arrestuar ndërsa përpiqej të arratisej nëpërmjet liqenit
të Pogradecit. Ishim studentë dhe ndjemë lëndim. Nuk mësuam se si kishte
ndodhur dhe se kush e kishte tradhëtuar. Ishte diçka që nuk donim ta dinim në
hollësi për një moshatarin tonë që njihej në qytet vetëm për cilësi të mira. Na
dukej sikur kishim edhe ne një pjesë të fajit për vuajtjet e tij. Dihej se si të
trajtonin në birucat e Degës së Punëve të
Brendëshme.
Rreth fundit të vitit ’80 ishte më së fundi I lirë. E kujtoj
edhe vendin ku u takova me të. Nuk e njoha. Ishte burrëruar. Në sytë kishte të
njëjtën dritë dhe buzëqeshje. Më pas rinisi karrierën artistike dhe na gëzonte
ne moshatarëve të tij, që mendonim se do kishte pasur një karrierë të
suksesshme nëse do kishte arritur të ikte nga Shqipëria. Nuk e kishte pasur atë
fat dhe vitet na kanë mësuar se në këtë jetë duhet edhe shumë fat.
Vitet e fundit, kur shkoj në Korçë e shoh më shpesh se jemi
klientët e parë të një kafeneje që hap shpejt. Nuk e kam dëgjuar të thotë as gjysëm fjalë mllefi ndërsa
pimë kafenë dhe flasim për Korçën dhe muzikën. Shpesh pyes veten nga i buron
kjo mirësi e pazakontë? Filozofia e jetës e përzjerë me muzikën i japin këtë
qetësi?
Ai mbetet për mua dhe shokët e mij Tomi i talentuar, i buzëqeshur
dhe i mirë. Tomi Kondakçi.
No comments:
Post a Comment