Tuesday, 16 August 2022

Ndjenja e “përkatësisë”


Ndodh që i bëj pyetjen e dyfishtë vetes, nëse i përkas një grupi dhe a është e domosdoshme ndjenja e përkatësisë.

Ka shumë e shumë vite që nuk bëj pjesë në asnjë lloj organizate, nuk paguaj kërkund kuotizacion dhe prej më shumë se dhjetë vjetësh punoj për veten time, pa qënë pjesë e ndonjë organizmi prodhues apo ekonomik. Nuk jam në ndonjë parti, nuk jam  mason, rotarian, ekologjist i organizuar, anëtar i ndonjë bashkësie fetare, nacionale apo e çfarëdo lloji. Nuk kam përkatësi. Ky është në njëfarë mënyre identiteti im. Jam një shqiptar,nënshtetas i Kanadasë dhe nuk shkoj kurrë në ndonjë grumbullim njerëzish sepse i përkas atij grupi.

Në fëmijëri dhe rini doja t’i përkisja një grupimi. Ishte e natyrshme për të qënë pjesë e një grupi që të konsideron të barabartë dhe me një farë vlere. Nuk e kam fjalën për organizatat e pionierit dhe të rinisë, ku ishim të detyruar të bënim pjesë, por i grupit të madh të djemve të mëhallës sime, që quhej “djemtë e Bonbonerisë“, ose siç vetquheshim për pak vite, “shoqëria Spiranca”. Kuptohet që nuk kishim as rite betimi, as mbledhje dhe as ndonjë program të caktuar, por na pëlqente të ishim pjesë e asaj shoqërie. Ju ndodh të gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve në botë. Eshtë ndjenja se je pjesë e diçkaje, ke një qëllim të përbashkët, ndjehesh disi më i sigurt dhe më i mbrojtur.

Në vitet e “studentllëkut”, kur njerëzit në botë zgjedhin të bëhen pjesë e një klubi, grupi apo një çështjeje të rëndësishme, tek ne kjo nuk mund të ndodhte, sepse organizime të tilla ishin të rrezikshme edhe sikur të bëheshin për “të shpënë para çështjen e revolucionit”. Partia i kishte përcaktuar se cilat do ishin organizatat. Jashtë tyre, nëse dikush synonte, përfundonte fare lehtë në burg.

Ndoshta kjo, si dhe mungesa e plotë e dëshirës për të marrë pjesë në mbledhje, bëri që edhe pas ndryshimit të sistemit, të mos bëhesha pjesë e ndonjë partie, klubi, organizate fetare, shoqate jo qeveritare etj. etj. Edhe një ide që pata në vitin 1993 për organizimin e një klubi arkitektësh dështoi për mostregim interesi nga kolegët e mij. Dhe i tillë përfundova matanë Atlantikut pa asnjë lloj përkatësie. Gjatë një çerek shekulli edhe në këtë botë të re me njerëz të organizuar në një mënyrë a në një tjetër, nuk e pashë si të domosdoshme “të ngjisja” diku. Sigurisht që nuk pata as edhe ndonjë prirje për të ngritur biznes, sepse nëse do kisha, do isha pjesë e një kompanie të suksesshme ose jo.

Po a të bën mizantrop, “të paplotësuar”, “të vështirë“, “pa një kauzë“ apo më keq akoma në rrezik të mbijetesës, mungesa e përkatësisë?

Unë nuk i urrej njerëzit dhe njëkohësisht kam besim tek ta. Madje i përmbahem parimit, që në këtë jetë nëse nuk i beson kujt nuk ja vlen të jetosh. Gjithashtu i besoj shumë rëndësisë të solidaritetit për të shpënë përpara një kauzë të caktuar. Por mund të solidarizohesh me dhjetra të tilla, me shumë grupime dhe individë pa qënë domosdoshmërisht pjesë e një grupimi të caktuar. Madje shumë herë, grupimet me rregulla shumë të forta të brendëshme janë stisur për qëllime jo të mbara, si ndodh me organizatat kriminale, kultet apo shoqatat paramilitare. Dhe jo rrallë anëtarë të këtyre grupimeve janë njerëz jo të këqinj, por që mungesa e forcës dhe ndjenja e domosdoshmërisë për të “përkitur” diku i bën pjesë të kulteve apo organizimeve që i kanë rrënjët tek e keqja.

Mund të jetosh edhe pa përkatësi dhe të jesh I interesuar për shumë kauza të dobishme, të bësh në të mirë të njerëzve dhe të ndjehesh se nuk po bën një jetë të plotë.

Sa për të qënët i vështirë nuk duhet të trembesh se është më mirë se të jesh i lehtë.

 

 

No comments:

Post a Comment