Kështu m’u drejtua një koleg pas kritikave të mija për veprat e arkitektit holandez Winy Mass në Tiranë. Nënteksti ishte “ti je ku e ku sa më poshtë nga niveli profesional i arkitektit holandez, ndaj nuk të bije të flasësh!”
M’u kujtua një “hakërrim” i një shqiptari simpatizues i të
djathtës në rrjetet sociale, që ju drejtohej miqve të tij, që quanin “budalla”
ose “gomar” presidentin Trump, duke numuruar arritjet e tij gjatë jetës.
Eshtë një mënyrë e njohur për t’ju mbyllur gojën kritikëve
kur nuk ke argumente për të hedhur poshtë kritikat e tyre. Ju thua se “ti je një hiç para atyre që kritikon!”
dhe kujton se e fitove diskutimin. Ose përdor këtë shprehjen e fundit “shumë e
ke ngritur stekën”, që tashmë në Shqipëri e përdorin të kopjuar edhe njerëz që
nuk kanë parë ndonjë herë kërcim së larti apo me shkop.
“Gojëmbyllësit” harrojnë një gjë fare të thjeshtë. Nëse
Trump ose çdo politikan kritikohet edhe duke u përdorur epitete si “budalla”, “idiot”
apo të tjera, kjo ka të bëjë me rolin e tij si President a kryeminstër dhe jo
me të qënit vërtet me të meta mendore. Publiku (ku hyjnë edhe kritikuesit) kanë
një pritshmëri të lartë për ata që marrin përsipër të drejtojnë vendin dhe duan
që të bëjnë sa më pak gabime dh eveçanërisht mos bëjnë gabime të trasha. Nëse
presidenti francez Holland shkonte tek e dashura i veshur tebdil si pica shpërndarës
mbi motoçikletë, atëhere me të drejtë kushdo ka të drejtë ta quajë “idiot”. Në
pozitën e Presidentit të Francës ajo që bënte ishte idiotllëk. Dhe raste të
tilla mund të gjenden rëndom në sjelljet dhe veprimet e politikanëve nga Bajden
tek Putin apo nga Erdogan tek Rama.
Duke u kthyer në kritikat e mija ndaj kolegëve të shquar
europianë apo të kontinenteve të tjera, duhet të theksoj se kritikat nuk kanë qënë
ndaj aftësive të tyre, por ndaj veprave të caktuara dhe veçanërisht në veprat e
realizuara në Shqipëri. Unë kam dyshime të forta, që arkitektët e huaj dhe ata
të firmave me emër, kur projektojnë për në Shqipëri projektojnë në rastin më të
mirë me nënvleftësim dhe në rastin më të keq janë pjesë e një sistemi të
korruptuar, të cilin nuk e kanë krijuar ata vetë.
Nëse projekton një monstër vëllimore me një hartë të Shqipërisë
në fasadë vetëm për t’ju mbyllur gojën kritikëve të mundshëm atëhere nuk ke për
të pritur gjë tjetër veç kritikave. Nëse projekton një vëllim të madh të një
godine zyrash dhe apartamentesh në formën e kokës të një personazhi historik,
atëhere ke shkelur në parimet bazë të arkitekturës dhe ke dëshmuar naivitet të
shoqëruar me një lloj korrupsioni. Dhe duke qënë një person publik, që
projekton një vepër në një mjedis publik atëhere do “goditesh” jo vetëm nga
profesionistët, por edhe nga njerëzit e thjeshtë, të cilëve ju ke cënuar hapësirën
e tyre.
Gjatë diskutimeve kur po niste ndërtimi i Kullës Vrojtuese në
Korçë, shumë nga pushtetarët lokalë dhe lakejtë e tyre nisën të numuronin
shkollimet dhe arritjet e arkitektit Australian Peter Wilson. Përpjekja ishte të
mbyllnin gojët e njerëzve. Tani nuk e bëjnë më se dhe vetë janë të bindur që
Kulla ishte një skifo e madhe që duhet hedhur në erë një orë e më parë.
No comments:
Post a Comment