Edhe tek ne, muaji i tetë i vitit e ka marrë emrin e tij nga Perandori i parë romak, August. Ndoshta nga udhëtimet e tij pushtuese, ndoshta nga një ndjenjë thellë nënndërgjegjeve tona, në gusht ne sillemi si perandorë të vegjël. Kursejmë gjatë gjithë vitit për të shpërthyer në gusht. Dhe nisemi në ekspeditat tona “pushtuese” drejt vendeve të njohura dhe të panjohura, të “armatosur” me mbrojtës nga dielli, rroba banje firmato, veshje të holla që na nxjerrin në pah hiret dhe kuletat me kartmonedha dhe karta krediti. Për një javë, dhjetë ditë ose edhe një muaj duam të ndjehemi të plotfuqishëm.
Këtë gusht, vetëm njerëz të cilët i njoh nga afër kanë
pushtuar Ishujt Azore, Islandën, bregdetin e detit Tiren, Kretën, Maldivet,
Kalkidhiqinë, Santorinin, Mikonos, bregun jug-lindor të Amerikës dhe Aruban. Shumë
nga këto vende Perandori August as nuk i dinte se ekzistonin. Bota është bërë
shumë më e vogël dhe Perandorët e vërtetë të ditëve tona duan të shkojnë në Hënë
dhe në Mars.
Ujrave të Mesdheut, Atlantikut dhe Oqeanit Indian ndjehemi të
privilegjuar, të shkëputur nga hallet, të rrethuar nga shërbëtorë që na ofrojnë
shezlongje, pije, ushqime, zhytje nëndet, shëtitje me skafë në këmbim të “hyrjes”
në kuletën tonë dhe si jemi thekur mirë e mirë (shpesh edhe djegur) ëndërra e
Augustit merr fund.
Vjen muaji i nëntë, që quhet i shtati dhe të gjithë i kthehemi
jetës sonë prej “skllavi” në tavolinën e punës, kompjuteri, makina qepëse, laboratori,
etj. etj. dhe punojmë të paktën 8 orë në ditë, udhëtojmë 2 orë në ditë dhe
kursejmë çdo ditë deri gushtin tjetër.
-Në Tailandë vitin tjetër?
-Jo. Më mirë në Honolulu!
No comments:
Post a Comment